E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni "Kumari 2", në prokurori 65 subjekte kazinoje

Në datat 4-6 dhjetor, strukturat përkatëse të shtetit kanë kryer një aksion të gjerë në rang vendi, për të verifikuar nga afër aktivitetin e lojërave të fatit. Sipas Policisë së Shtetit, e cila ka mbështetur në terren Njësinë Mbikëqyrëse të Ministrisë së Financave, gjatë këtij operacioni u kontrolluan 260 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojërave të fatit. Nga kontrollet, 65 prej tyre rezultuan të palicencuara nga organet përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti, të cilët u proceduan penalisht në organin e prokurorisë për kryerjen e veprës penale të "Organizimit të lotarive të palejuara" dhe "Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara" bazuar në nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal.

Gjithashtu subjekteve të palicencuara iu bllokuan ambientet ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe iu sekuestruan në total 401 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojërave të fatit. Nisur nga situata e krijuar mbi evidentimin e personave dhe të subjekteve që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kishte zhvilluar në shkallë vendi operacionin policor të koduar "Gambling 2" ("Kumari 2"), me qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimin dhe procedimin penalisht të personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit. Gjithashtu, në mbështetje të këtij operacioni, janë angazhuar edhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›