E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani sefte në Bienale

Pas negociatave shumëvjeçare, është konfirmuar se më 2013 Vatikani për herë të parë do të ketë pavijonin e tij në ekspozitën më të madhe botërore të artit modern, në Bienalen e Venecias.

Në fakt, ideja për pjesëmarrje në Bienalen e Venecias është e vitit 2009, por vetëm tani u mor vendimi përfundimtar që Vatikani të marrë pjesë në këtë ngjarje në vitin 2013.

Drejtori i muzeve të Vatikanit, Antonio Paolucc, nuk ka dashur që zbulojë për media se çfarë planifikon Vatikani të ekspozojë në paraqitjen e tij të parë në Bienale, megjithëse, sipas gazetës italiane ‘La Stampa’, paraqitja e parë e Vatikanit do të jetë e inspiruar nga Libri i Zanafillës.

Ndryshe, në edicionin e vitit të ardhshëm të Bienales së Venecias për herë të parë do të prezantohen edhe Kosova, Bahrejni, Kuvajti, Nigeria, Paraguai, Bahamet dhe Bregu i Fildishtë.

Bienalja e Artit Bashkëkohor në Venecie do të mbahet nga data 1 qershor, deri më 24 nëntor 2013.

Kosova ende nuk ka bërë të ditur se cila do të jetë tema e pavijonit të saj.

Nga ana tjetër, kuratori i Bienales, Massimiliano Gioni, ka njoftuar se temë e përgjithshme e ekspozitës më të madhe botërore të artit bashkëkohor do të jetë “Pallati Enciklopedia”.

Koncepti i saj është inspiruar nga vepra “Palazzo Encicplopedico”, e artistit, Marino Auritio, i cili në vitin 1955 krijoi një muze imagjinar, i cili në një vend tubon të gjitha dituritë dhe zbulimet e botës, që nga rrota e deri te sateliti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›