E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kriza e pronave”, krerët e AKKP-së ndërrohen çdo tetë muaj



Në vitin 2008 erdhi shkarkimi i drejtorit Besnik Maho. Fill pas këtij shkarkimi, në qytetin e Vlorës u kryen tre arrestime, njëri prej të arrestuarve ishte Genci Panozaqi, kreu i AKKP-së së qytetit dhe i afërm i njërit prej njerëzve më besnikë të pushtetit të Berishës. Ky arrestim dhe fillimi i procedimit penal shtoi vëmendjen e mediave, ndërsa çdo ditë e më tepër filluan të dilnin të dhëna që flisnin për qindra hektarë tokë që ishin abuzuar në mënyrën më arbitrare të mundshme. Prokuroria e Vlorës kaloi për hetim dhe Besnik Mahon, i cili vetëm tri javë para se të shkarkohej i kishte dorëzuar dorëheqjen Berishës, ndërsa ky i fundit i kishte shprehur mbështetjen e tij më të plotë. Ndonëse u largua në një moment kur abuzimi me pronat ishte kthyer në “virozë”, publikisht shkarkimi i Mahos u justifikua me “mosmarrëveshjet” mes tij dhe ministrit të sapoemëruar të Drejtësisë, Alibeaj. Ky i fundit i kishte paraqitur Berishës dhe një raport për disa shkelje administrative të AKKP-së, që më shumë se të tregonte vjedhjen e ndonjë prone raporti fliste për disa kërkesa me shkrim që AKKP-ja nuk i kishte lexuar. Nga ky raport u konstatuan shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që i jepnin përgjegjësi të drejtpërdrejtë drejtorit të AKKP-së. Në mënyrë të përmbledhur, në këtë raport të kontrollit, të miratuar nga ministri Alibeaj, thuhet se një ndër arsyet e forta ishte shkelja e të drejtave të të interesuarve përmes mungesës së përgjigjeve në rreth 270 kërkesa drejtuar AKKP-së. Por as për këto shkelje të pretenduara Maho nuk dha ndonjëherë llogari, por u harrua në heshtje, ndërsa pasuesi i radhës ishte Tunxh Vatnikaj, i shkarkuar dy ditë më parë dhe paralelisht i hetuar nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me abuzimin më spektakolar që mund të jetë bërë me pronat në Shqipëri, ku është konstatuar tjetërsimi dhe abuzimi me qindra hektarë tokë shtetërore në disa baza ushtarake të vendit.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›