Përfaqësuesit e opozitës, tendenca për të vonuar rezultatin e Tiranës
PS, alibi pas alibie në KQZ, vazhdon edhe protestat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej ditësh me radhë ndodhet në debate të nxehta lidhur me numërimin e fletëve të votimit për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Shqyrtimi dhe vlerësimi i fletëve të kontestuara, porsa kohë ato i përmbaheshin kritereve të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bën që vota të numërohet deri në fund si dhe të respektohet me domosdoshmëri vullneti i qytetarëve. Por, ajo që e bën situatën disi komplekse dhe të paqartë, vazhdon të mbetet roli bllokues i komisionerëve socialistë në KQZ, të cilët nga dita e parë e numërimit e deri dje në mesnatë, kanë tentuar të bllokojnë nxjerrjen e rezultatit për Tiranën.
Alibitë e socialistëve janë të natyrës së ndryshme, por ajo që kuptohet është zvarritja pafundësisht e procesit, duke e kthyer numërimin e votave për Tiranën, në një maratonë të pafundme. Jo më larg se dje, ditë kur pritej që KQZ të dilte me një rezyme përfundimtare dhe të shpallte fituesin e bashkisë, nënkryetarja Dëshira Subashi tha se kishte nevoje për informacion të plotë, lidhur me kutitë e njësisë bashkiake nr. 5, të cilat kishin mbërritur në KQZ që të shtunën pasdite. Ajo theksoi se kutitë po shtohen përditë dhe nuk dihet se nga dalin. Kjo deklaratë u kundërshtua si nga ana e kryetarit të KQZ-së Arben Ristani edhe nga komisionerët e tjerë, të cilët i konsideruan deklaratat e Subashit si të qëllimshme për vonimin e nxjerrjes së rezultatit.
Rezultati për Tiranën, opozita në ditën e gjashtë të protestës
Për të gjashtën ditë me radhë mbështetës dhe deputetë të opozitës janë mbledhur dje para godinës së KQZ-së, për të kundërshtuar vendimin e këtij institucioni për rezultatin e bashkisë së Tiranës.
Opozita këmbëngul se kandidati i saj për Tiranën Edi Rama ka fituar me 10 vota ndaj rivalit të tij demokrat Lulzim Basha dhe numërimi i votave të hedhura gabim nga zgjedhësit në kutitë e tjera, gjatë procesit të votimit të 8 majit, është një vendim antiligjor i KQZ-së që synon të ndryshoj këtë rezultat në tavolinë.
Deputetë dhe simpatizantë të opozitës që kanë folur gjatë protestës së sotme përsëritën se “kjo është një procedurë antikushtetuese që dëmton rëndë besueshmërinë dhe deformon me qëllim rezultatin për kryeqytetin”, ndërsa u shprehën të vendosur “në mbrojtje të votës së lirë”. Paralelisht me protestën e opozitës, KQZ ka vijuar normalisht mbledhjen me rendin e ditës, fillimisht me ankimimet e subjekteve të ndryshme të për zgjedhjet vendore të 8 majit ndërsa në pasdite nisi numërimi i fletëve të hedhura gabim për kreun e ri të bashkisë së Tiranës.