E Diel, 1 Nëntor 2026

Vavilis, Policisë Greke: Alimuçaj mund të ketë çuar jashtë 150 milionë USD

28/03/2005  Prokuroria greke zbulon pronat e ish-bosit Vehbi Alimuçaj

Athinë, vila e hoteli 7 milionë dollarë i VEFA

Hotele, vila, llogari bankare, të ish-piramidave, janë publikuar tashmë duke nxjerrë pronarët e vërtetë. Ndonëse gjendeshin prej vitesh në Greqi, pasuritë e ish-skemave piramidale janë tashmë më të zbuluara se herë tjetër. Një vilë dhe një hotel shmëkatësh në lagjet luksoze të Athinës, që kanë kushtuar të paktën 7 milionë dollarë, janë zbuluar nga prokuroria greke dhe janë vënë nën sekuestro. Sipas hetuesve helenë pronat janë të Vehbi Alimuçajt, ish-bosit të “Vefa”.

Pronat

Vila, gjendet në lagjen “Elali” në rrugën “Sepidos” nr 27. Eshtë një nga lagjet më luksoze të kryeqytetit të vendit fqinj. Shtëpia sipas ekspertëve ka kushtuar katër milionë dollarë dhe është blerë në vitet 96-97-të. Në këtë banesë aktualisht jetojnë dy familje të shpoqërisë “of shore” e cila minimizon të dhënat për detaje të hollësishme reth “pronarëve” të rinj të vilës. Ndërsa hoteli gjithnjë sipas prokurorisë athinjote ka kushtuar tre milionë dollarë. Godina “Posedions” gjendet në lagjen “Alima” dhe mendohet se është blerë në fund të vitit 1996 ose në fillim të vitit 1997. Sipas hetuesve Alimuçaj këtë pasuri e ka në bashkëpronesi me një grek. Helenit i është kërkuar që të tregojë burimin e kësaj pasurie dhe të justifikojë atë ligjërisht. Por deri në stadn e tanishëm të hetimeve, pronari i vetëm nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Arapi

Farudin Arapi, kryembikqyrësi i ish-skemave piramidlae me rikthimin e skandaleve të tetë viteve të shkuara, ka dalë për të rikonfirmuar të dhënat që vinë nga Greqia. Sipas Arapit është e vërtetë që janë bërë transfertat nga kjo dhe ajo kompani. Po sipas tij familja Alimuçaj ka prona në Greqi dhe në disa vende të tjera. Sigurisht të dhënat për pasuri të ish-bosëve të fajdeve jashtë vendit Farudin Arapi ka pohuar se i ka pasur dhe në vitet e para të marrjes së detyrës, ndonëse bërjen me dije e pohon në ditët e marsit 2005.

Krerët e drejtësisë shqiptare në Greqi për fajdet

TIRANË- Zyrtarët më të lartë të drejtësisë e prokurorisë shqiptare nisen në Athinë për bisedime me homologët e tyre, në lidhje me skandalin e transfertave të miliardave nga agjenti grek Vavilis. Lajmin e kanë paralajmëruar mediat greke, të cilat flasin për takime të kryeprokurorit Theodhori Sollaku, kreut të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi e shefit të shefit të animafias shqiptare Zamir Shtylla.

Sollaku

Fillimisht prokurori i Përgjithshëm shqiptar, Theodhori Sollaku, do të jetë në Athinë më 1 prill 2005. Burime të besueshme bënë të ditur se vizita zyrtare e shefit të akuzës, do të ketë në axhendë një numër të konsiderueshëm çështjesh dhe dosjesh të përbashkëta. Në qendër të takimit të Sollakut me homologun grek, do të jenë hetimet për piramidat, episode të të cilave kanë sjellë fakte të reja në muajt e fundit. Transfertat e parave në miliarda, ku janë përfolur si të implikuar ministra e deputetë, pohohet se do të jenë pjesë e punës së kryeprokurorëve të dy vendeve. Agjenti Vavilis, "sipërmarrësi" i çuditshëm që shfaqet çdo javë në një nga ish-skemat piramidale, si biznesmen, nënkontraktor, ka futur në lojë dhe deputetë e pushtetarë të vendit fqinj. Do të jetë takimi i dytë në harkun e gjashtë muajve mes drejtuesve të prokurorive të Greqisë dhe Shqipërisë.

Kondi

Takimeve të përbashkëta u është shtuar edhe pjesmarrja e kreut të Gjykatës së Lartë Thimio Kondi, i cili do të takohet me homologun e tij Dhimitris Lino. Edhe ky takim bëhet i ditur nga disa të përditshme greke, të cilat lajmërojnë për bisedime të Kondit me Linon përsa i përket mardhënieve të Gjykatës së Lartë Greke me atë shqiptare, në momentin e transfertave të miliardave. Sakaq, nuk jepet asnjë detaj tjetër në shkrimet e gazetave greke, përvecc rastit Vavilis.

Shtylla

Disa ditë më parë, drejt Athinës ka udhëtuar dhe shefi i antimafias shqiptare, Zamir sShtylla. Marrja në pyetje e Lefter Cenajt, ish-president i Ce&Co, që, aktualisht vuan dënimin e dhënë nga gjykata e Janinës, është një nga detyrat që pritet të mbarojë në vendin fqinj, kreu i luftës kundër krimit të organizuar. Shtypi grek, e më pas ai shqiptar, kanë përfolur ministrin Arben Malaj dhe deputetin Kristo Goxhi, të implikuar në transferimin në Greqi të mbi 50 miliardë dhrahmive në vitet ‘97-‘99. Malaj, ka reaguar ndaj lakimit të emrit të tij, e ka pohaur se "sulmet ndaj tij, të cilat në mënyrë direkte, ose indirekte, i janë drejtuar ministrit të Financave, Arben Malaj, janë pjesë e një fushate dhe presioni, e nisur që në vitin 1997", Ndërsa, Goxhi ka pranuar se ka qenë pjesë e një transferte parash, por gjithçka është bërë sipas ligjit.

Prokuroria, nuk ka fakte për transfertat e parave

Nga hetimet që prokuroria e Tiranës ka kryer më parë rreth aktivitetit të firmave rentiere, ndër to edhe VEFA-s, nuk është arritur të vërtetohen në bazë të fakteve transferta të paligjshme të parave jashtë shtetit. Lajmi bëheti i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime zyrtare pranë këtij institucioni. Sipas burimeve, më parë është hetuar edhe në këtë pistë. Kjo pasi ka pasur informacione për transferta dhe transportime të sasive të mëdha parash jashtë shtetit. Por nga të gjitha verifkimet dhe hetimet e kryera më parë nuk është arritur të vërtetohet asnjë prej këtyre informacioneve. Burimet sqarojnë se nuk ka asnjë dokument zyrtar që të vërtetojë se paratë e firmës rentiere Feva, janë transferuar jashtë shtetit. Sipas burimeve, informacionet për transferimin e një pejse të parave të kësaj firme në Greqi dhe Hungari kanë ekzistuar edhe më parë, ndonëse nuk janë publikuar. Nisur nga këto informacione mësohet të jetë kryer një hetim i imtësishëm, por që nuk arriti të sigurojë ndonjë provë konkrete. Burimet theksojnë se nuk ka asnjë dokument zyrtar apo dëshmitar, që të vërtetojë transportimin e këtyre sasive jashtë shtetit. Gjithashtu, nuk ka depozitime në bankat e këtyre vendeve në emër të vetë presidentit të VEFA-s, Vehbi Alimuçajt, përfundojnë burimet e organit të akuzës.

Media helene: Apostolis Vavilis nënshkroi në Volos me Alimuçajn në ´95-ën

Agjenti sekret grek marrëveshje me VEFA-n

Një marrëveshje e fshehtë është zbuluar në vendin fqinj disa javë më parë nga Media Gereke rreth marrveshjeve të bosit të VEFA-s. Gazeta greke "Apogevmatini" zbuloi një bashkëpunim të fshehtë, nënshkruar mes ish-bosit të kompanisë shqiptare Vehbi Alimuçaj dhe një "prifti" grek të quajtur Apostolis Vavilis, që në fakt ka qenë edhe agjent i shërbimeve sekrete.

Marrëveshja

Sipas medias në fjalë, "kleriku" mashtrues, spiuni, ka hyrë në bisedime me Alimuçajn në Volos. Gjithnjë sipas medias greke bosi shqiptar ka pasur aty një shtëpi. Në ’95-ën pas negociatash të shumta sipas shtypit është arritur të bindet VEFA, të porosisë pajisje sigurie, por nuk është përcaktuar lloji i tyre. Vavilis biznesmen këtë herë, ka kryer punë të paqme me Alimuçajn. Shërbimet ia kanë dalë të hyjnë në lojën e madhe. Sipas marrëveshjes, i fshehti prift grek përfitonte të paktën 800 mijë dollarë nga kjo mesele biznesi. Madje, shkruhej në gazetën greke, ai ka mundur të udhëtojë në Shqipëri nën një emër të rremë, Apostolos Kavelaras, si biznesmen. Nuk është tjetër vetëm se një njeri gjoja i fesë i implikuar në skandale të trafikut të drogës, skandale seksuale, duke përfunduar në person në kërkim nga drejtësia e Athinës.

Biznese

Gjithnjë duke iu referuar medias greke, ustai athinjot ka mundur të hedhë biznese të tija dhe në Shqipëri, për të cilat ai nuk ishte tjetër, vetëm se prurës i punës së fshehtë. Ai ka qenë dhe është bërë lojë e shërbimeve sekrete, por ka mundur të shpëtojë dhe të mos bjerë në pranga. Një mik i ngushtë i patriarkut të Jeruzalemit, te i cili ka gjetur përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme, shkruante për të gazeta greke. Adresa e tij e re është e paditur pohon policia, megjithë dyshimet se gjendet në Malin e Shenjtë. Manipulimet dhe mashtrimet e tij janë të pafund sipas medias. Pjesë e kësaj dosje është dhe marrëveshja me ish-presidentin e kompanisë piramidale Vefa-Holding

Në raportin që Vavilis i ka vënë në dispozicion Policisë Greke të cilën e botoi të plotë dje gazeta “Metropol”, ai hedh dyshimet se Alimuça është përpjekur të “zhdukë” një një shumë prej më shumë se 150 milionë dollarësh. Vavilis ka shpjeguar se Vehbi Alimuçaj ka mbivlerësuar dëmet e pësuara gjatë peridhës së trazirave. Sipas Vavilisit ikjo shumë parash mund të jetë transportuar jashtë kufijve të Shqipërisë në një kohë të pacaktuar në llogari bankare personale.

Vëzhgime dhe konkluzione të vizitës në Tiranë nga 1 deri në 30 qershor.

Nga kontaktet e mia me zotin Vehbi Alimuçaj si president dhe aksioner i vetëm i firmës VEFA HOLDINGS SHPK, si dhe për kontakte me zotin Emin Mysliu ose Myslih siç është shkruar në pasaportën e tij, kam arritur në këto përfundime:

1Në lidhje me çështje që kanë të bëjnë vetëm me firmën

1.1

Pasuria e firmës të cilën e kam të pamundur ta parashikoj, vazhdon të ngelet e pacënueshme me përjashtim të katastrofave dhe shkatërrimeve që iu bënë asaj gjatë trazirave dhe që kanë të bëjnë me;

a Rrjetin e saj tregtar të përbërë nga 15 supermarkete

b Tre njësi turistike hotelerie në Korçë ose Përmet, Burrel dhe në Vlorë

c Rreth 15 punishte të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, kryesisht në Shqipërinë Qendrore e Jugore.

D Një numër i papërcaktuar automjetesh të të gjitha tipeve

1.2

Madhësia e dëmeve në bazë të saj ka thënë vetë ai ka shifrën 300 milionë dollarë amerikanë. Duke qenë se numri i godinave të shkatërruara nuk shkon më tepër se 150, secila me vlerë mesatare 1.000.000 dollarë, duket qartë se zoti Alimuçaj përpiqet që të "zhdukë" një shumë me vlerë 150 milionë USD, duke mbivlerësuar dëmet e pësuara. Kjo shumë parash ka tepër të ngjarë që në kohë të pacaktuara të jetë transportuar jashtë kufijve të Shqipërisë, natyrisht në llogari bankare personale.

1.3

Një përshtypje të veçantë të bën, jo vetëm këmbëngulja e zotit Vehbi Alimuçaj, por edhe e Emin Mysliut për bashkëpunimin me firmat e huaja Dar-Handsah, DEI, etj, me synimin për marrjen përsipër të ndërtimit të disa veprave publike hidrocentrale në lumin Vjosë, rrugë nacionale, por edhe për ndërtimin e veprave të mëdha private siç është projekti "TIRANA 2", i cili parashikon ndërtimin e 10.000 banesave moderne e me cilësi të lartë në një territor, i cili gjendet ndërmjet Durrësit e Tiranës dhe që ky territor kërkohet të blihet nga VEFA. Të tilla sipërmarrje kërkojnë një planifikim afatgjatë, d.m.th stabilitet politik e ekonomik. Për një pyetjen time drejtuar zotit Emin Mysliu mora vërtetimin se zgjedhjet në 29 qershor do të zhvillohen normalisht dhe se gjendja do të normalizohet. Gjithashtu ai ka këmbëngulur për rëndësinë e kryerjes së këtyre veprave me investime të huaja.

1.4

Pjesa më e rëndësishme e bisedimeve ishte ajo në të cilën përmendej fakti që VEFA HOLDINGS SHPK, të shndërrohej ose të krijonte një bankë në Shqipëri, ose mundësisht në Greqi apo ndonjë vend tjetër të besueshëm e lehtësues. Synimi i kësaj përpjekjeje ishte legalizimi i sistemit të marrjes së depozitave, pra gjetja e nje rrugëdaljeje për firmën dhe për vetë zotin

Alimuçaj, nga rruga pa krye në të cilën i çoi konkurrenca në dhënien e përqindjeve në një përpjekje për të kontrolluar pjesën më të madhe të tregut monetar shqiptar (sado që ky term duket hiperbolik dhe i paprovuar te ekonomistët dhe gazetarët vendës, amatorizmin e të cilëve vuan sot Shqipëria dhe bashkë me të edhe i gjithë Gadishulli Ballkanik) dhe, ndoshta të zhvillimeve politike në vend. Sot në Shqipëri, përveç firmës VEFA mbijetojnë dhe tri firma të tjera piramidale. Pritet që të arrijë të japë një zgjidhje nëpërmjet një banke, off shore, e cila duhet të marrë një leje funksionimi për degë ose në Shqipëri, ose në Greqi, në mënyrë që të zgjidhet problemi me dhënien e librezave me llogari të ngrira ose aksione.

Zoti Emin Mysliu, me këmbëngulje më kërkoi të ndërmjetësoj për arritjen e një marrëveshjeje me zinxhirin të restoranteve “Goody’s” dhe dyqanet “Praktiker”, në mënyrë që VEFA të marrë ekskluzivitetin në Shqipëri.

Zoti Vehbi Alimuçaj më kërkoi për llogari të tijën dhe të familjes së tij, pajisjen me pasaporta greke. Iu përgjigja se e konsideroja si të pamundur, për shkak të gjendjes aktuale. Gjithashtu m’u kërkua zhvillimi i një fushate reklamuese në Greqi, në mënyrë që të informoheshin emigrantët shqiptarë për të vërtetën dhe synimet e ardhshme të firmës VEFA, e cila nuk ishte shkatërruar, por do të vazhdonte programin e saj investues. U rezervova t’i përgjigjem.

Shtypi grek: Vavilis strehohet nga një deputet dhe ministër shqiptar

Vavilis strehohet në Gjirokastër. Ky është dyshimi më i fundit i hedhur nga shtypi grek për adresën e agjentit të shërbimeve sekrete, implikuar në afera të shumta të paligjshme. Dyshimet flasin se prifti, agjenti, i kërkuari Vavilis, lëviz me makinën e një deputeti, të një ministri dhe ka mbrojtjen e zyrtarëve të lartë, që janë bashkëpunëtorë të tij në transfertat e parave dhe bizneset e paligjshme. "Njeriu me njëmijë fytyra, duke ndërtuar marrëdhënie me vendin fqinj, sillet, gjithnjë sipas burimeve të besueshme, të ketë gjetur strehë në Gjirokastër, ku edhe u pa para njëzet ditësh, fakt që u konfirmua edhe nga burime shumë të larta gjyqësore ditët e fundit". Kështu shkruan media helene për të kërkuarin "fajde". Sipas të njëjtave burime, Vavilis tani mund të gjendet në Itali. Aktiviteti i tij nga 1993 deri më 1999 ka përcaktuar edhe vendin se ku fshihet, përderisa rajoni më i gjerë i Ballkanit i ofron siguri, por edhe mundësinë e informimit për atë që ndodh në Greqi, lidhur me hetimet rreth tij.

Miqësitë e “priftit” dhe agjentit të shumëfishtë

“Ndërtonte” marrëdhënie konfidenciale në Shqipëri në periudhën 1993-1999, ndërsa puna e tij kishte hedhur rrënjë dhe në Shkup, ku gjatë së njëjtës periudhë sillet se ka marrë me qira një banesë në Manastir, në të cilën bashkëjetonte me oficerin në lirim, Joani Triandafilaki, shkruan Ion Papadakis në “Apogevmatini”.

Shqipëria

Por pika kyç është Shqipëria dhe më gjerë rajoni i Ballkanit. Duke pasur për “aleate” situatën e paqëndrueshme politike në Shqipëri dhe në Shkup, dhe duke u kamufluar pas sistemeve të sigurimit që përfaqësonte Vavilis, brenda një kohe të shkurtër ka penetruar në firmat investuese, ka krijuar marrëdhënie me zyrtarë të lartë të aparatit shtetëror të vendit fqinj dhe duke iu shërbyer interesave të tij personalë, por edhe interesave të “miqve” të tij, pas të cilave ka përfituar imunitet.

"Fajdexhiu"

Në kërkim në disa vende. Vazhdon të fshihet Apostolo Vavilis në Shqipëri? Sipas informatave, ai fshihet në Gjirokastër, nën mbrojtjen e një deputeti, një ministri dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë shqiptarë. Çfarë marrëveshje do që të arrijë njeriu më i kërkuar për drejtësinë helene në këto muaj të fundit?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›