E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima te “Don Bosko”, krushk i një anëtari të bandës

28/03/2005  Personi i identifikuar operativisht, ka një aktivitet në Lushnjë

Viktima e shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko” dyshohet të ketë pasur lidhje krushqie me një prej të akuzuarve si anëtar i “Bandës së Lushnjës”. Nga informacione të siguruara operativisht prej policisë kryeqytetase është arritur në një emër të dyshuar lidhur me identitetin e viktimës. Sipas policisë, ka informacione se viktima mund të jetë një person i cili ka lidhje krushqie me një prej anëtarëve të Bandës së Lushnjës. Gjithashtu personi i dyshuar si viktima mësohet të ketë edhe një aktivitet tregëtar të tijin në qytetin e Lushnjës. Por, policia nuk e bënë të ditur identitetin e tij, pasi nuk është arritur të konfirmohet zyrtarisht.

Identifikimi

Nga burime zyrtare të policisë kryeqytetase mësohet se për identifikimin e viktimës së shpërthimit të lëndës plasëse në një pallat në rrugën “Don Bosko” disa javë më parë, u hetua operativisht. Kjo, pasi nuk pati asnjë kallëzim për zhdukje personi të seksit mashkull me ngjashmëritë fizike të viktimës. Pas konkludimit se në këtë ngjarje kishte dorë Banda e Lushnjës, atëherë agjentë të policisë mblodhën informacione operative në qytetin myzeqar. Nga informacionet operative është siguruar identiteti i një personi që konsiderohet i zhdukur, por që mungesa e tij nuk denoncohet nga familjarët. Sipas burimeve, personi në fjalë ka pasur një aktivtet privat në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu ai rezulton të ketë lidhje krushqie me një prej të akuzuarve si pjesëtar i Bandës së Lushnjës, sqarojnë burimet. Ndërsa nga marrja në pyetje e familjarëve të tij nuk është arritur të sigurohet gjë. Burimet e policisë thonë se ata nuk kanë pranuar t’u jetë zhdukur i afërmi i tyre, duke pretenduar se kanë kontaktuar me të pas ngjarjes. Viktima sipas raportit mjeko-ligjor i përket moshës rreth 40-vjeç dhe është 1.75 metra i gjatë.

Hetimi

Hetimin e kësaj çështje prej disa ditësh e ka marë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga hetimet e kryera deri tanimë, dyshohet se objekt i atentatit mund të ketë qenë një ish-zyrtar i lartë i policisë, i cili ka kryer disa aksione kundër Bandës së Lushnjës vite më parë. Burimet pohojnë se dyshimi që pas kësaj ngjarje fshihet Banda e Lushnjës, lindi pasi në numrin celular të viktimës u gjetën numrat e disa lushnjarëve që kishin lidhje miqësore me të akuzuarit. Sipas prokurorisë, ata kishin kryer thirrje të shumta reciproke me viktimën kohët e fundit, madje edhe natën e ngjarjes. Ditën e Verës, policia kryeqytetase arrestoi tre të rinjtë lushnjarë, Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani,të cilët kishin shkëmbyer thirrjet telefonike me viktimën. Burimet e akuzës thanë atëherë se tre të ndaluarit kishin deklaruar se numri ishte i Leonard priftit, njërit prej të akuzuarve si pjesëtar i Bandës së Lushnjës, i cili gjykohet në mungesë për vrasje. Por nga krahasimi i të dhënave fizike të viktimës me ato të Priftit, nuk u gjet asgjë e përbashkët, përfundojnë hetimet. Re.kro

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›