Vazhdojnë luftimet në Sirte

Luftime të ashpra po zhvillohen në rrugët e Sirtes, fortesës së fundit të Muammar Gaddafit në Libi, ku trupat e koalicionit po përballen për të dytën ditë radhazi me besnikët e mbetur të Kolonelit.
Forcat e autoritetit të përkohshëm kanë marrë nën kontroll bulevardin kryesor të qytetit, duke izoluar një qendër konferencash ku janë mbledhur njerëzit e Gaddafit.
Me mijëra civilë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në qytet.
Luftëtarët e Këshillit Kalimtar u ndeshën me një rezistencë të ashpër nga snajperët pro-Gaddafit, ndërsa ata përpiqeshin të avanconin në vendlindjen e ish-pushtetmbajtësit.
Një stuhi rëre që mbuloi Sirten, e pengoi disi avancimin e forcave kundërshtare të Kolonelit. Por, marrja e kësaj rruge kyçe shihet si zhvillim tepër i rëndësishëm dhe mund të ndihmojë për të marrë vetë qendrën e qytetit.
Sirte, gati 360 kilometra në lindje të Tripolit, është një nga pikat e fundit të qëndresës së Gadafit.