Normalisht, raport negativ!

Edhe pse Raporti i Progresit i vitit 2010 ka qenë mjaft negativ, duke përmendur ngecje në shumë fusha, ai nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ishte paraqitur si mjaft i suksesshëm, duke ju referuar fjalëve të secilit kapitull që është përmendur fjala progres. Por siç dihet në Raportet e Progresit fjala regres nuk figuron, por progresi mund të jetë pak, pak më i mirë, i mirë dhe substancial.
Subjektet politike opozitare nuk kanë dyshim që ky raport të jetë edhe më negativ nga ai që ishte vitin e kaluar, duke u bazuar në performancën që ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka thënë se pritjet kanë qenë që do të jetë më i mirë, por sipas tij problemet që kanë të bëjnë për sundim të rendit dhe ligjit japin shenja për një raport negativ.
“Fatkeqësisht dhe të jemi realist, se edhe kësaj radhe nuk do të jetë një raport pozitiv edhe pse pritjet kanë qenë të kemi një realitet pak më ndryshe, por janë disa çështje që detyrimisht determinojnë një raport jo të mirë si në rrafshin institucional, ashtu edhe në sundim të rendit dhe ligjit. Edhe ky vit e ka përcjell me probleme Qeverinë e Republikës së Kosovës, si në aspektin e shpenzimeve apo ndarjeve buxhetore edhe në aspektin e miratimit apo dërgimit të ligjeve, të cilat janë të përcaktuara sipas Raportit të Progresit, por edhe udhëheqjes ekzekutive të vendit”, ka thënë Zemaj.
Zyrtarët e institucioneve të vendit shpeshherë kanë deklaruar që nuk është mundur të punohet shumë, për shkak të krizës institucionale që ka ndodhur këtë vit. Por sipas Zemajt ky mund të jetë një arsyetim i lehtë, por jo gjithmonë të thirret në atë, sepse ajo krizë ka kaluar dhe ka qenë kohë e mjaftueshme që të ngritën të gjitha kapacitetet në atë drejtim që të plotësohen kushtet sipas raportit dhe kërkesave të Komisionit Evropian.
Nga ana tjetër, Puhie Demaku nga Lëvizje Vetëvendosje thotë se Raporti i Progresit për vitin 2011 do të jetë raport i “regresit”, për shkak se sipas saj, institucionet e Kosovës kanë ngecur në reformën në administratës, nuk ka përparim në sundimin e ligjit, pavarësisht miratimit të ligjeve në Kuvend. Ajo gjithashtu përmend faktin se gjykatat janë duke u treguar shumë jo efikase dhe se këtë e dëshmon numri i madh i lëndëve të pazgjidhura.
Sa i përket fushës së ekonomisë, Demaku thotë se Kosova sivjet do të marrë kritika të ashpra për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjë e cila sipas saj ka ardhur nga një premtim i pamatur i kryeministrit Hashim Thaçi gjatë zgjedhjeve për rritjen e pagave.
Por ajo edhe këtë herë pret nga zyrtarët e institucioneve që do të dalin dhe të thonë se Raporti i Progresit 2011 ka qenë pozitiv.
“Unë e di se ata zakonisht do të marrin konstatimet dhe jo vërejtjet se raporti ndahet në dy pjesë, në atë ku bëhet konstatimi se çka është punuar e mandej se çka është e mangët brenda të këtij procesi, dhe në fakt është ai vlerësim që është më i rëndësishëm. Ata kuptohet që do të përdorin edhe për propagandë politike dhe Raportin e Progresit sivjet”, ka thënë Demaku.
Por edhe më kritik është shfaqur deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, i cili ka thënë për Kosovapress se për shkak të dukurive siç është korrupsioni, krimi i organizuar do të ndikojnë në një raport edhe më negativ këtë vit.
“Ky raport pritet të jetë më negativ se të tjerët për arsye se është paralajmëruar, madje edhe më herët që do të jetë negativ. Është keq pse do të jetë kështu për arsye se Kosova ka pasur nevojë të ketë një vlerësim më pozitiv për integrime të reja, për liberalizimin e vizave për një imazh më të mirë të Kosovës e që do të duhej të ishte në rrethana shumë më të mira. Megjithatë, për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar, mos funksionimit të duhur të institucioneve sipas standardeve dhe jetës së rëndë politike të qytetarëve në Kosovë do të jetë një raport, i cili do të jetë vërejtje që në të ardhmen mos të kemi raporte të tjera, përkundrazi të kemi raporte më të mira”, ka thënë Isufi.
I pyetur se a i kanë përmirësuar institucionet vendit ato vërejtje që janë cekur në Raportin e Progresit të vitit të kaluar, Isufi thotë që janë minimale që kanë mundur të ndryshohen, duke shtuar kjo qeveri ka vazhduar me tempin e njëjtë, me avazin e njëjtë dhe nuk ka bërë ndryshime cilësore në funksionimin e vet.
Zyrtarët e institucioneve të vendit ka qenë e pamundur të kontaktohen për këtë çështje, përkatësisht ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Raporti i Progresit për vitin 2011 pritet t’i dorëzohet institucioneve të vendit më 12 tetor. (KosovaPress)