E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë me fitore

Kombëtarja e Shqipërisë të mërkurën mbrëma ka shënuar fitore në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë ndaj Andorrës, me rezultat minimal, 1:0, falë golit që e ka shënuar Hamdi Salihi.

Kjo është fitorja e tretë rresht që përfaqësuesja kuq e zi e shënon në tri ndeshjet e fundit miqësore, pasi më parë kishte mposhtur Irlandën e Veriut dhe së fundmi Malin e Zi.

Fitoren e përfaqësueses shqiptare ndaj Andorrës, selektori i ekipit kombëtar, Josip Kuze, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme për ekipin e tij, para se Shqipëria t’i nis garat eliminatore për Kampionatin Evropian, që mbahet në Ukrainë e Poloni në vitin 2012.

“Nëse do të fitonim kështu me rezultat 1:0 edhe në kualifikime do të isha më se i lumtur. Jam i kënaqur me rezultatin e sotëm, por edhe me lojën e treguar. Ndaj një kundërshtari si Andorra që mbrohet gjatë gjithë ndeshjes është e pa mundur të bësh më shumë”, ka deklaruar Kuze pas këtij takimi, i cili padyshim se ka luajtur një rrol të rëndësishëm në këto suksese të fundit që i ka arritur ekipi kuq e zi.

Megjithatë, Kuze ka thënë se pas këtyre tri ndeshjeve të fundit miqësore, e ka të qartë se cilët lojtarë do ta përbëjnë ekipin e parë.

“Pas tri miqësoreve, tani e kam të qartë përbërjen e parë, dhe në muajin gusht kërkoj një ndeshje tjetër miqësore me ndonjë kundërshtarë më të fortë”, ka theksuar Kuze, menjëherë pas përfundimit të këtij takimi.

Para fillimit të ndeshjes, në ‘Qemal Stafa’ është mbajtur një minutë heshtje në nderim të sulmuesit kosovar i cili ndërroi jetë më 15 maj pas një sulmi në zemër, Besian Idrizaj, i cili ishte kandidatë për ta veshur fanellën kuq e zi.

Edhe pse takimin e nisi në mungesë Lorik Canës, Erion Bogdanit, Debatik Currit, Armend Dallkut e Altin Lalës, Shqipëria dominoi gjatë gjithë pjesës së parë në duel me Andorrën, duke bërë përpjekje për të kaluar në avantazh.

Këtë synim kuqezinjtë e arritën në minutën e 43-të të takimit, kur Hamdi Salihi shfrytëzoi një harkim të Vangjelit nga e djathta, duke realizuar gol për rezultat 1:0. Pikërisht Salihi e kishte shënuar golin e fitores për Shqipërinë para pak ditëve ndaj Malit të Zi (0:1).

Gjatë kësaj pjesë-loje ekipi i Josip Kuzes i pati edhe dy raste tjera, por që nuk mundi t’i shfrytëzoj Edmond Kapllani. Madje, Shqipëria e shënoj edhe një gol tjetër nëpërmjet Vrapit, por që anulua nga gjyqtari i takimit.

Shqipëria ka dominuar edhe gjatë pjesës së dytë, duke i krijuar disa raste të mira shënimi, por që nuk ia doli t’i konkretizoj, dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat 1:0.

Selektori i kombëtares kuq e zi, Josip Kuze e shfrytëzoi këtë ndeshje për t’i provuar edhe disa lojtarë tjerë, ashtu siç edhe pati paralajmëruar para takimit. Kroati i bëri shtatë ndryshime në formacion. Por, i vetmi që mbeti pa u aktivizuar në këtë ndeshje ishte sulmuesi kosovar, Ahmed Januzi.

Kuze e kishte ftuar Januzin prej ekipit të shpresave në grumbullimin e ekipit kombëtar për dy miqësoret ndaj Malit të Zi e Andorrës, por që nuk u aktivizua në asnjërin prej këtyre dy takimeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›