E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë protestat kundër Izraelit

Qindra persona kanë protestuar në sheshin qendror të Manhatanit, “Times Square”, kundër sulmeve të Izraelit ndaj flotës humanitare për territorin e bllokuar të Rripit të Gazës.

Protesta ishte organizuar nga Liga Arabe dhe mes të tjerash kërkohej që t’i jepej fund edhe bllokadës që Izraeli ka vendosur ndaj Autoritetit Palestinez.

“Njerëzit këtu nuk kanë fjalë për të shprehur zemërimin e tyre. Ata do të dalin çdo ditë për të protestuar kundër Izraelit”, është shprehur një prej demonstruesve.

Izraeli në ndërkohë ka vazhduar bllokadën e Rripit të Gazës me ndërhyrje ushtarake. Ushtarët e flotës izraelite ju vërsulen sot anijes "Rachel Corrie", që udhëtonte me flamurin irlandez dhe e kanë sjellë atë në portin izraelit Ashdod.

Aty ngarkesa do të kontrollohet dhe do të dërgohet më pas në Rripin e Gazës. Aktivistët e paqes në bordin e anijes, sipas të dhënave të ushtrisë, nuk bënë rezistencë.

Ata u sollën ndërkaq në aeroportin Ben Gurion, nga ku sot ata u transportuan në vendet e tyre.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se qeveria e tij edhe në të ardhmen do ta mbajë Gazën nën bllokadë.

Nga ana e tij, kryeministri i Turqisë, Rejjep Tajip Erdogan, po vlerëson mundësinë për të shkuar personalisht në Gaza, në mënyrë që të thyejë bllokadën e vendosur nga Izraeli.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja libaneze "Mustaqbal", e cila citon "burime shumë mirë të informuara turke".

Gazeta në pronësi të kryeministrit libanez, Saad Hariri, theksoi se "Erdogan po mendon të shkojë në Gaza dhe se ka folur për këtë hipotezë me anëtarët e tij të afërt të qeverisë".

Sipas të njëjtave burime, kryeministri turk ka njoftuar edhe SHBA-në se ka kërkuar nga flota detare e Turqisë të shoqërojë një flotë të re humanitare drejt Gazës, që aktualisht ndodhet në fazë përgatitje".

"Administrata e SHBA-së është përpjekur ta ndalojë këtë projekt të Erdoganit", theksoi gazeta "Mustaqbal".

Ndërkaq Washingtoni njoftoi dje se se bllokada izraelite në Rripin e Gazës nuk mund të mbetet në formën aktuale dhe se duhet gjetur mënyra të reja për dërgimin e ndihmave humanitare atje.

"Po punojmë me Izraelin, autoritetet palestineze dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, në zhvillimin e procedurave të reja për dërgimin e mallrave dhe ndihmave në Gaza", tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Mike Hamer.

Zëdhënësi i State Departamentit amerikan, Philip Crowley, tha se "të gjithë dëshirojnë që të shmanget përsëritja e incidentit tragjik" që ndodhi të hënën, kur në sulmin e komandove izraelite në flotën humanitare u vranë nëntë aktivistë pro-palestinezë.

Në anën tjetër, një zyrtar izraelit theksoi dje se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, po lëvizë përpara planet për krijimin e një Komisioni Ndërkombëtarë, i cili do të zhvillojë hetime për sulmin e përgjakshëm kundër flotës humanitare për Gazën.

Ban dëshiron që ish-kryeministri i Zelandës së Re, Geoffrey Palmer, një ekspert për ligjin detar, ta kryesojë këtë Komision, në të cilin do të përfshiheshin edhe ekspertë nga Izraeli, Turqia dhe SHBA-ja. Ban ende nuk ka bërë publike detajet e këtij propozimi të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›