Prishtina, pret seminarin që begaton dhe avancon studimet albanologjike
Një armatë e tërë studiuesish që merren me trashëgiminë dhe krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar do të bëhen bashkë gjatë 12 ditëve të gushtit, në Seminarin e XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tryeza e sivjetme e seminarit do ti kushtohet nobelistes me origjinë shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, me rastin e 100- vjetori të lindjes. Katër ditë para se të nisë ky seminar (16 deri më 27 gusht), drejtori Liman Matoshi dhe sekretarja profesionale Blertë Ismajli, në një konferencë për media të mbajtur në ambientet e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, kanë bërë të ditur detajet e përmbajtjes së tij. Përgatitjet për edicionin e sivjetmë kanë nisur që në fillim të janarit të këtij viti, ndërsa drejtuesit e saj thonë se gjithçka është gati për të nisur me sukses Seminari që begaton dhe avancon studimet albanologjike. Teksa e ka quajtur veprimtari intensive përmes formash të ndryshme të punës, ku do të trajtohen tema të zgjedhura problemore nga fusha e shkencave albanologjike, Matoshi është ndalur në përmbajtjen e edicionit të 29–të të seminarit. Vetëm në programin e punës së seminarit do të referojnë 40 studiues shqiptarë dhe të huaj që do të kumtojnë rezultatet e fundit të tyre brenda një viti. Edhe këtë vit Seminari do të ketë sesionin e gjuhësisë dhe atë të letërsisë. “Në të dy sesionet do të lexohen 116 kumtesa nga shqiptarë dhe të huaj”, ka thënë Matoshi. Emra të njohur studiuesish, si Istvan Schutz nga Hungaria, Oliver Schmitt nga Austria, arvanitasi Niko Stylos janë vetëm disa nga personalitetet që do të marrin pjesë në organizimin më të madh për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Temë bosht e sesionit shkencor të gjuhësisë sivjet do të jetë “Kontaktet e sotme të shqipes”, ndërsa “Poezia e sotme shqipe”, do të trajtohet në kuadër të sesionit shkencor të letërsisë. Më shumë se 80 kursistë do të ndjekin kurset e gjuhës shqipe, të cilat këtë vit janë ndarë në tri nivele. Sekretarja profesionale e Seminarit, Blertë Ismajli, ka treguar se grupi prej 83 pjesëmarrësve është tejet heterogjen. Ajo ka thënë se në këtë grup ka pjesëmarrës nga shumë vende të botës, që nga ShBA-ja e vende të ndryshme të Evropës, disa prej të cilave kanë qendra për studimin e albanologjisë. Për Matoshin, ajo që është me rëndësi kur flitet për kursistët është fakti se shumë nga ta janë në kurse të gjuhës për herë të parë. “Kjo na gëzon, sepse ripërtërihen gjeneratat e albanologëve nëpër botë”, ka thënë Matoshi.
Ministri Xhaferraj takon përkthyesin e Kadaresë në rumanisht, Marius Dobrescun
Përkthyesi në rumanisht i veprave të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, Marius Dobrescu është pritur sot nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Përkthyesi Marius Dobrescu, është autori i shumë artikujve publicistikë për Shqipërinë dhe letërsisë shqipe, në shtypin rumun. Ministri Xhaferraj shprehu respektin, mirënjohjen e tij për produktin e vlerave kulturore shqiptare në Rumani. Ndërsa përkthyesi Dobrescu nuk la pa përmendur dhe revistën rumune “Miku i Shqiptarëve”, ku vetë Dobrescu, ka botuar ndër vite veprat e shkrimtarëve të njohur si Naim Frashëri, Lasgush Poradeci etj. Një temë e prekur gjatë takimit ishte periudha e komunizmit, e përjetuar nga të dy popujt. Dobrescu cilësoi se përveç romaneve, janë botuar dhe revista të ndryshme shqiptare. Marius Dobrescu ka përkthyer mjaft vepra të njohura nga poezia dhe proza shqipe në periodikun rumun. Dobrescu është konsideruar ambasadori i kulturës shqiptare në Rumani. Ai është vlerësuar edhe me çmime kombëtare edhe në Rumani, duke u shpallur përkthyesi më i mirë i vitit në përkthimin e veprave te Kadaresë. Dobrescu ka përkthyer mbi 25 vepra të Kadaresë në gjuhën rumune. Një ndër veprat, që e bëri të njohur Dobrescun, ishte përkthimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e cila u vu në skenë një vit rradhazi në Teatrin Kombëtar Rumun. Ndërkohë, shkrimtari ynë Ismail Kadare, me rastin e vizitës më të fundit në Rumani, e ka konsideruar si një nga përkthyesit e tij të preferuar dhe më produktivë. Në tregun rumun mësohet se sapo ka dalë në treg romani Daullet e shiut i përkthyer nga Dobrescu. Këtë vit në Rumani organizohet dhe Festivali i Poezisë Ballkanike ku merr pjese edhe Shqipëria. Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, i dhuroi Marius Dobrescut në këtë takim një libër të Marubit, dhe një punim artizanal tradicional shqiptar.
“Shqipëria vend shenjtorësh” ekspozitë kushtuar 100-vjetorit të Nënë Terezës
Për 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizon nga data 20 deri më 30 gusht ekspozitën "Shqipëria vend shenjtorësh". Në këtë ekspozitë do të paraqiten 50 veprat me autor shqiptar dhe të huaj kushtuar figurës së shenjtores Nënë Tereza. Për mbledhjen e shqipërimin e poezive, lutjeve, kujtimeve të Nënë Terezës janë kujdesur Don Lush Gjergji, Visar Zhiti dhe albanologu Robert Elsie.
Në fondin e librit të huaj bien në sy vëllimet e gazetarit dhe shkrimtarit italian Renzo Allegri. Te "Tereza e të varfërve" ("Teresa dei poveri", 2003) ai sjell bisedat e tij të gjata me këtë grua, dhe në një tjetër vëllim me të njëjtin titull, botim i vitit 1992, ai ka mbledhur thënie të njerëzve të artit për të. Roger Royle dhe Gary Ëoods sjellin nga Varshava albumin me fotografi "Obrazy Zycia" (1996), i cili të fton në një udhëtim fotografik në jetën e shenjtores. Bashkë me Nënë Terezën, Biblioteka Kombëtare ka vendosur të bëjë të njohur edhe shenjtët shqiptarë. Afërdita Sharrxhi, shefja e Departamentit të Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare thotë se do të nxirret nga Fondi Antikuar dhe i Dorëshkrimeve, kolana me nëntë vëllime "Illyricum Sacrum" (riprodhim i origjinalit, 2004), me autorë Daniel Farlatin (1690-1773) dhe At Jakob Koletin (1734-1827). Vëllimi i shtatë është me rëndësi për Shqipërinë.
Kinemaja spanjolle të hënë në Durrës
Ambasada e Spanjës njofton se në kuadrin e javës së IX të Kinemasë Spanjolle shfaq nismën “Europa në ekran” në qytetin e Durrësit, gjatë datave 16-20 Gusht, në teatrin “A.Moisiu”. “Në kuadrin e programacionit kulturor të mbylljes së Presidencës Spanjolle të BE-së dhe, duke qenë se kinemaja është një nga transmetuesit më të mirë të kulturës në shprehjen e saj shumëfishe, më 16 gusht do të fillojë Java e IX e Kinemasë Spanjolle, që do të quhet “Europa në ekran”, bën me dijeni kjo përfaqësi diplomatike. Duke shtuar se kjo javë është konceptuar me projektimin e një seri filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së si Portugalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat që, si Spanja ashtu edhe Europa ka përballuar në 50 vitet e fundit, dhe me pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë europiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle. Konkretisht, të hënën më 16 gusht, do të projektohet filmi “Një frankë, 14 peseta” (2006) me regji të Carlos Iglesias.
“Miss Globe” në detin e Sarandës
Një spektakël të paparë paralajmëron sivjet për edicionin e 37 të “Miss Globe International”, producenti Petri Bozo. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij mirëpresin çdo ditë konfirmimet e drejtorëve nacionalë nga të gjitha vendet e botës për pjesëmarrjen në konkurs. Bozo ka nisur udhëtimet nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku do të drejtohet turi i vajzave e mbi të gjitha në qytetin bregdetar të Sarandës ku do të zhvendoset sivjet skena e spektaklit, i treti për nga rëndësia në botë. Si organizator për të shtatën herë, por edhe si mbajtës i patentës edhe për pesë vite të tjera, Petri Bozo sivjet ka menduar diçka vërtetë të veçantë. Data e spektaklit është vendosur tashmë, më 25 shtator, dhe jo rastësisht. Kësaj here gjithçka do të dalë nga kufijtë tradicionalë të një konkursi ndërkombëtar. Përballë hotel “Grand” në Sarandë është menduar ngritja e skenës, e cila do të hyjë deri në det. Aty janë menduar detajet e pasarelës mbi të cilën do të parakalojnë vajzat dhe pjesa ku do të organizohet spektakli. Dhe jo vetëm kaq. Është vendosur tashmë dhe janë kryer të gjitha marrëveshjet e nevojshme që atë darkë mbi 100 jahte të ardhura nga Korfuzi të rrethojnë skenën, jo vetëm për të shijuar spektaklin, por edhe për t’i dhënë një tjetër shije, krejt të pazakontë . Nga data 12 deri më 14 shtator pritet mbërritja në Shqipëri e të gjitha konkurrenteve. Më 15 shtator vajzat do të nisen drejt jugut për të shkelur pëllëmbë më pëllëmbë bregun dhe plazhet e mrekullueshme të tij deri në Sarandë. Përfaqësuesja shqiptare në këtë konkurs do të jetë vajza që u kurorëzua “Mis Shqipëria 2010, Ne-vina Shtylla.
14 Gusht 2010