Krimi në internet, si hetohet dhe luftohet në Shqipëri
Artan CENA
TIRANË - Jeta në shoqërinë e informacionit sjell avantazhe, por ka edhe rreziqe. Në botën virtuale në rrjet nuk lëvizin vetëm miqtë e shokët, por edhe piratët, spiunët e internetit. Në internet tani ka filluar terrorizmi në internet, ku hidhen video të ndryshme me thirrje të ndryshme për krime. Kohët e fundit edhe në vendin tonë krimi në internet ka filluar të bëhet shqetësues. Deri tani krimi i internetit në Shqipëri ka prekur përdorues të thjeshtë, duke u vjedhë fjalëkalimet.
Një ditë më parë, gazeta “Albania” publikoi videon e një forumi islamik, ku i këndoheshin himne Osama Bin Ladenit. Në fillim të muajit korrik, Policia e Shtetit vendosi që të ngrejë seksione të posaçme për të luftuar krimin në internet. Kohët e fundit kjo lloj mënyre është duke u përdorur shumë nga organizatat e krimit të organizuar, sidomos kur është fjala për para. Dhe tani kemi këtë kalim të ri, që do të thotë se ne tani kemi edhe spiunazhin kriminel online, lufta zhvillohet online, apo së paku me sulme të llojeve të ndryshme.
Lufta ndaj krimit online
Teknologjia ka ecur me shpejtësi para dhe këtë risi po mundohet ta përdorë dhe Policia shqiptare. Para pak kohësh, Policia e Shtetit vendosi që të ngrejë një sektor të ri për zbulimin e krimit, atë të luftës kibernetike (internetit). Siç bëhet e ditur, kompjuteri dhe sajtet e shumta të informimit dhe komunikimit elektronik e kanë bërë që bota të jetë fare e vogël tani më. Mënyrat e luftimit të krimi online janë të ndryshme.
Disa muaj më parë Policia shqiptare vuri në pranga Artan Kriston, i cili sipas prokurorisë, kishte bërë thirrje në disa sajte interneti për luftë të shenjtë. Prokurorët nuk kishin ndërhyrë në këtë rast për të bllokuar këtë faqe, por e kishin mbajtur nën vëzhgim me qëllim që të mblidhnin prova për çështjen e hapur. Duke qenë një institucion shtetëror, Prokuroria dhe Policia e kanë të drejtën që të bëjnë kërkesa zyrtare për bllokimin e faqeve të ndryshme në internet, sajte në të cilat mund të ketë thirrje për luftë, terrorizëm apo thirrje nacionaliste, kërcënuese. Ende nuk është bërë e ditur nga prokuroria nëse kanë nisur hetimet në lidhje me videon ku këndoheshin vargje me lavde dhe himne për Osama Bin Ladenin dhe luftën që po zhvillon ai në Afganistan dhe Irak. Në këto dy vende, përkrah ushtarëve amerikanë dhe të vendeve të tjera, janë dhe ushtarët shqiptarë, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt në luftime në terren.
Armiqtë
Elektronika ka armiqtë e saj, që nuk janë vetëm viruset, por edhe hakersat. Ata janë të aftë të kopjojnë dhe zbulojnë fjalëkalimet e email-eve e adresave të tjera dhe mund të manipulojnë informacionin që u kalon të tjerëve, duke kanosur e kërcënuar, duke fyer e ofenduar nga adresa të panjohura. Ky është krimi kibernetik, lloji më i ri i krimit i cili ka diktuar hapjen e një zyre të veçantë edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave nga policia, shqiptarët para hakersave janë gati të pambrojtur. “Çdo person mund të kryejë një vepër të caktuar në krimet kompjuterike me anë të programeve që thyejnë kodet. Shpeshherë adresat e e-mail-it që mund të thyhen kodet, mund të bëhen nga administratori i rrjetit”, - thonë burime nga policia.
Fjalëkalim i sigurt
Nëse një person kërkon një fjalëkalim të sigurt ai duhet të ketë 12 karaktere dhe jo vetëm me shkronja, por edhe numra dhe shenja pikësimi. Por edhe ky duhet ndërruar çdo ditë, gjë të cilën pakkush e bën. Për pasojë të mungesës së masave të sigurisë, denoncimet ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve në internet janë shtuar së fundi në Shqipëri. “Rritja e spiunazhit shpjegohet në radhë të parë me rritjen e shkëmbimit të të dhënave, sidomos përmes internetit. Prandaj shtohet jashtë mase rreziku që të spiunohesh. Prandaj disa shtete po ndërmarrin fushata sqarimi për internetin".
Hetimet
Zyra e krimeve kompjuterike ka kryer operacione të njohura për goditjen e grupit që klononte karta bankare ku u arrestuan 17 persona të implikuar në mëse 400 raste të vjedhjes se bankave, si dhe operacioni “Konkord”, i cili shkatërroi një grup personash për mashtrim kompjuterik të cilët kishin arritur të vidhnin mbi 100 mijë euro.
Pengmarrje dhe gjobë 70 mijë euro, shkatërrohet grupi kriminal
TIRANË - Bie në pranga kreu i një grupi që merrte peng persona të ndryshëm dhe më pas i lironte kundrejt pagimit të shumave të ndryshme parash. Deri tani policia ka vënë në pranga dy persona, ndërsa është duke bërë hetime dhe për të tjerë persona, anëtarë të kësaj bande që merrej me gjoba, pengmarrje dhe grabitje. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se strukturat e hetimit të krimit të Policisë së kryeqytetit, në bashkëpunim me autoritetet italiane të zbatimit të ligjit bënë të mundur arrestimin e një grupi kriminal me tendencë “shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Në kuadër të këtij operacioni policor është vënë në pranga Xhovalin Hasani, 32 vjeç, me banim në Itali dhe Fatmir Quni, 28 vjeç, me banim në Kamzë, Tiranë. Në ngarkim të tyre policia ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila kishte caktuar në ngarkim të tyre masën e sigurisë “arrest në burg” për konsumim të veprave penale “shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “vjedhje me armë”. Ky grup kriminal është goditur në sajë të informacioneve të poseduara për to si dhe falë bashkëpunimit me autoritet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit italian. Në ngarkim të tyre u arrit të dokumentohet tërësisht implikimi i tyre në vjedhjen me armë të datës 9 maj 2010 në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, ku i kanë marrë nën kërcënimin e armës një shtetasi një shumë të konsiderueshme eurosh. Pas disa ditësh dyshohet se drejtuesi i këtij grupi kriminal, 32-vjeçari Xhovalin Hasani, ka organizuar me anë të telefonit nga Italia një shtrëngim me anë të kanosjes po të këtij shtetasi, duke bashkëpunuar me 28-vjeçarin Fatmir Quni, me synim marrjen e shumës së parave prej 70 mijë eurosh, të cilën e kanë realizuar me anë të kërcënimit dhe vjedhjes me armë. Aktualisht nga strukturat e hetimit të krimit dhe më konkretisht specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Armë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punohet intensivisht për identifikimin e të tjerë personave të përfshirë në të këtë shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Vjen si turist, aksidentohet rëndë 26-vjeçari italian
TIRANË - Kishte ardhur si turist dhe për të parë vendet se ku kishte luftuar gjyshi i tij, por një italian me pasionin për alpinizmin për pak sa nuk ka gjetur vdekjen në udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. Roberto Rosi, 26 vjeç, ishte nisur më 22 qershor nga Viçenca me qëllim që të bënte një tur turistik në Shqipëri dhe Greqi, për të parë vendet e Luftës Italo-Greke, ku kishte luftuar gjyshi i tij, që kishte ndërruar jetë para pak kohësh. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta italiane “Giornale di Vicenza”. Rosi, punëtor në qytetin italian, për pak sa nuk ka vdekur në datën 2 gusht, pasi duke ngjitur një anë mali kishte rënë nga një lartësi e konsiderueshme dhe kishte mbetur i palëvizur. Ngjarja ka ndodhur në një jo shumë të frekuentuar. Me anë të celularit që e kishte me vete kishte mundur të kërkonte ndihmë dhe është shtruar në një spital shqiptar. Kishte pësuar dëmtime të rënda dhe ai ishte në gjendje të rëndë deri ditën e djeshme, kanë treguar familjarët e 26-vjeçarit italian që kanë ardhur në Shqipëri. “Tani që e keqja ka kaluar ne po bëjmë gati që ta transferojmë Roberton për në Viçenca, për të qenë më afër tij”, - kanë bërë të ditur familjarët.
Vetëvaret 60-vjeçarja e ve, jetonte e vetme në shtëpi
DURRËS - Një 60-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesën e saj, ku jetonte e vetme. Policia e Durrësit tha se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 23:30. Policia e Durrësit tha se në Lagjen Nr. 18 është gjetur e vetëvarur në banesën e saj shtetasja me inicialet S. Sh., 60 vjeçe, lindur në Shijak dhe banuese në Lagjen Nr. 18, Durrës, me gjendje civile e ve. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ka nisur hetimet. Sipas të dhënave nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe pyetja e të afërmve rezultoi se ajo jetonte e vetme në banesë dhe vuante nga depresioni. Policia tha se po punohet për sqarimin e rrethanave të tjera të ngjarjes. Dosja me materialet hetimore për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes” i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Durrës.
Mashtron dhe merr 40 milionë, nën hetim 73-vjeçarja
ELBASAN - Një e moshuar është vënë nën hetim nga policia pasi është denoncuar se ka marrë një borxh prej 40 milionë lekësh dhe nuk i ka kthyer. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se dy ditë më parë, në orën 09:30, nga ana e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetases Fatime Xhika, 73 vjeçe, lindur e banuese në lagjen "Kongresi" në Elbasan. Hetimi ndaj saj ka filluar pasi tri ditë më parë, në orën 12:30, është paraqitur e ka bërë kallëzim penal 59-vjeçarja me inicialet M. K., lindur e banuese në lagjen "Shënkoll", Elbasan, duke treguar se, 73-vjeçarja me anë të mashtrimit i ka marrë 40 milionë lekë të vjetër që në vitin 2007 e nuk i ka kthyer ende.
14 Gusht 2010