Vrasja e profesorit të atletikës, arrestohet pronari i lokalit
Pronari i lokalit pranë të cilit ndodhi dy ditë më parë vrasja e atletit Hasan Rakipi është ndaluar nga policia si i dyshuar për ngjarjen. Burime nga policia e Tiranës thanë se kishin ndaluar 55-vjeçarin Avni Gaca, me banim në Kamzë, pasi dyshohej si autorë i ngjarjes së rëndë që i mori jetën atletit. Policia tha se Gaca ishte arrestuar pasditen e djeshme, ndërkohë që pas një kontrolli ata i kishin gjetur atij një sasi fishekësh.
Arrestimi
Burime nga policia e kryeqytetin bënë të ditur se kishin shoqëruar dhe më pas arrestuar pasditen e djeshme Avni Gacën. Gaca pronar i një lokali në afërsi të vendit ku dy ditë më parë u ekzekutua me plumba në kokë dhe në trup ish-atleti Hasan Rakipi, dyushohet si autorë i krimit dhe i janë gjetur në shtëpi një numër fishekësh. Policia ende nuk e ka bërë zyrtarë lajmin për arrestimin e Gacës, por burime brenda saj njoftojnë se ai akuzohet për krimin e dy ditëve më parë, që i dha fund jetës së Rakipit. Hetimet për ngjarjen e rëndë vazhdojnë ende, ndërsa janë të paqarta motivet e ngjarjes. Policia njofton se ka ngritur një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, viktima është qëlluar me pistoletë. Plumbat e kishin kapur atë në kokë e gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas hetuesve, arma e krimit është e llojit “TT”, ndërsa nga ekspertiza e kryer, autori e ka qëlluar viktimën nga afër, nga rreth një metër largësi. Sipas hetuesve, ka qenë duke hapur derën e pasme të makinës së tij, një “Benz” ngjyrë blu e errët me targa TR 65 34 N, kur është ekzekutuar.
Ngjarja
Rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, Hasan Rakipi, pasi ka mbaruar stërvitjen e ekipit të tij, së bashku me një përfaqësues të Federatës Shqiptare dhe një shok tjetër, janë drejtuar për tek një lokal, anës rrugës, përballë fushës stërvitore në Kamzë. Sipas dëshmitarëve, të tre kanë ndenjur për disa kohë aty, e më pas janë çuar nga tavolina. 56-vjeçari ka dalë nga lokali, për të shkuar tek makina e tij, një shok ka ndenjur në tavolinë, ndërsa tjetri në tualet. Mjeti ishte parkuar përpara lokalit, rreth dy metra larg derës së kafenesë. Në lokal kishte klientë të tjerë, të cilët po qëndronin. Sipas dëshmitarëve, “kur Rakipi ka dalë jashtë, janë dëgjuar krisma pistolete”. Miqtë e tij kanë dalë jashtë dhe kanë gjetur viktimën të mbuluar nga gjaku, ndërkohë që përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë kanë qenë të kota, pasi viktima humbi jetën menjëherë.
Dyshohej se kishte ndihmuar autorin e masakrës, vret veten 66-vjeçari
Një person që dyshohej se kishte ndihmuar autorin e masakrës në Vidohovë të strehohej dhe fshihej policisë, i ka dhënë dje fund jetës. 66 –vjeçari nga i njëjti fshat me viktimat dhe autorin e dyshuar të masakrës Besim Karaj, u gjet i vdekur dje në shtëpinë e tij. Policia thotë se po hetohet për një vetëvrasje të mundshme, por nuk përjashtohen edhe mundësi të një hakmarrje. Burime pranë saj njoftuan se “Ismet Musabeu, 66 vjeç, lindur e banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit në banesën e tij”. Hetimet paraprake lidhur me ngjarjen hedhin dyshime për një vetëvrasje. I ndjeri u gjet me një litar të lidhur lak në fyt me të cilin sipas policisë kishte gjetur vdekjen. Policia bën të ditur se burri, para pak ditësh ishte nën hetim pasi dyshohet se kishte ndihmuar të kërkuarin Besim Karaj të arratisej. Sipas policisë “Musabeu kishte ndihmuar Karajn duke i dhënë strehim provizor dhe ushqim gjatë ditëve që ai u shpall person në kërkim”. Ndërkohë policia nuk konfirmon se vetëvrasja ka ardhur si pasojë e dyshimeve që rëndonin mbi Musabeun apo për arsye të tjera. Ngjarja në Vidohovë ku tre persona u ekzekutuan për motive xhelozie është një nga më të rëndat të ndodhura në vend për motive të dobëta.