E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon greva e minatorëve, tentohet bllokimi i rrugës

Specialistët thonë se situata brenda në minierë, në nivelin e 14-të nën tokë, është alarmante dhe grevistët rrezikojnë seriozisht të vdesin brenda në galeri.

Nga konstatimet mësohet se në minierë është shtuar lagështira, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të argjinaturave, çka rrit rrezikun për 13 minatorët grevistë.

Dhjetëra qytetarë të Bulqizës dhe familjarë të minatorëve protestuan mëngjesin e sotëm në mbështetje të grevistëve duke tentuar të bllokonin rrugën nacionale Tiranë- Peshkopi, në vendin e quajtur Qafa e Buallit. Por, ata nuk janë lejuar nga policia.

Vazhdimi i mëtejshëm i grevës mund të shkaktojë pasoja dhe për vetë minierën, si shembjen e nënkateve dhe të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune, ndërkohë që mosndezja e ventilatorëve sjell grumbullimin e gazrave helmues, sidomos në punimet qorre, duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë.

Nga ana tjetër, mosvënia në funksion e pompave për largimin e ujërave nga miniera përbën bllokim total të minierës, duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e pajisjeve të instaluara.

Lidhur me zgjidhjen e situatës, përfaqësues të kompanisë austriake pohuan dje se mirëpresin bisedimet me minatorët për t’i dhënë fund situatës së krijuar në minierë. Ata propozuan që takimi mes palëve të zhvillohet sot në orën 11:00, në ambientet e zyrave të ACR-së në Tiranë.

Por, ky propozim u hodh poshtë nga grevistët dhe sindikalistët, të cilët ngulin këmbë që takimi duhet të zhvillohet në Bulqizë.

Ndërkohë, dje u njoftua se Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur të pranojë kërkesën e Repartit të Inspektimit të Shpëtim Minierave (RISHM) për të mbyllur përkohësisht Minierën e Bulqizës, deri në një rehabilitim të plotë të saj.

Përgjatë periudhës së rehabilitimit, puna në minierë do të pezullohet. Sipas METE-së, kushtet në minierë janë të vështira dhe rrezikojnë jetën e minatorëve. Ndërsa RISHM ka depozituar dje padi penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në ngarkim të drejtuesve të grevës së urisë të minatorëve të Bulqizës.

Akuza përmend dëmtime me pasoja të rënda, të pronës publike shtetërore dhe shkelje të rënda të sigurisë në punë, në veprimtarinë minerare, që cenojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve. /Start/

                                                                                             2011-08-10 09:14
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›