E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon numërimi i votave të 26 kutive. KQZ: Çdo votë e numëruar e bën më të sigurtë procesin zgjedhor

31-05-2011 / Gazeta 55

-- Miratohet kërkesa e mazhorancës për numërimin e kutive të cilat kanë specifike për votat e kontestuara


-- Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9


UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për numërimin e 403 votave në 26 kuti votimi, në të cilat mendohet se ndodhet zarfi i fletëve të kontestuara. Pas debateve të shumta, KQZ vendosi me 4 vota “pro” miratimin e kërkesës së Partisë Demokratike për të vlerësuar 403 vota në 26 kuti votimi, të cilat duhet të japin rezultat për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Akualisht, kandidati demokrat Lulzim Basha është në avantazh me 81 vota ndaj rivalit të tij Edi Rama, edhe pse pritet që pas numërimit të radhës, kjo diferencë të rritet ose të zvogëlohet. Sipas kërkesës së depozituar nga mazhoranca një javë më parë, bëhet e ditur se në 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, ndodhet zarfi i fletëve të kontestuara. Këto fletë votimi do vlerësohen sipas Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, një pjesë e fletëve të votimit të kontestuara, pavarësisht se në favor të kujt kanë shkuar, janë vlerësuar si të tilla, për shkak se kryqi ose plusi përbri emrit të kandidatit ka dalë pak jashtë kuadratit të përcaktuar. Një tjetër rast i evidentuar në librin e protokollit të mbledhjeve nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, është kur në kuadratin përbri emrit të kandidatit në vend që të shënoheshin dy shenjat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, është shënuara fjala “Po” ose nuk janë shënuar shenjat x ose +, por një vizë në të gjithë kuadratin. Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Ndërkohë kanë mbërritur në KQZ 26 kutitë që do të numërohen me kërkesë të Partisë Demokratike.


Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli: Kutitë e votimit gëzojnë integritet të plotë


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve garanton se kutitë e votimit gëzojnë integritet të plotë. Zëdhënësi i këtij komisioni Leonard Olli garantoi se të gjitha kutitë e votimit janë të ruajtura në magazinën e Lundrës në përputhje me të gjithë detyrimet e ligjeve të vendit. Sipas Ollit, të gjitha kutitë janë të pajisura me kodet e sigurisë të përputhshme këto me procesverbalet përkatëse të çdo KZAZ-je. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli deklaroi gjithashtu se marrja në dorëzim e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore është transparente. Ky reagim vjen pas akuzave të Partisë Socialiste se janë futur duart në kutitë e votimit, çka ka sjellë sipas tyre edhe plotë 357 fletë votimit më shumë se zgjedhës në të gjithë qarkun e Tiranës. Për këtë arsye socialistët kanë deklaruar se do të depozitojnë një kallzim penal në Prokurori.


Ambasadorja britanike, Mcilwham: Politika të ketë besim te institucionet e ligjit


Ambasadorja e Britanisë së Madhe Fiona Mcilwham ka kërkuar nga të dyja palët të besojnë në punën e Kolegjit zgjedhor ndërsa ka kërkuar nga ky institucion të veprojë në bazë të ligjeve të vendit. Në një prononcim për mediat ambasadorja Mcilwham kërkoi nga palët më shumë besim për sa i përket transparencës së procesit zgjedhor dhe në profesionalizimin e Kolegjit Zgjedhor. “Duhet të besojmë në punën e institucioneve të vendit, në transparencën e procesit zgjedhor dhe në punën e institucioneve”- theksoi Mcilwham duke kërkuar partive që pas vendimit të Kolegjit të pranojnë rezultatin për bashkinë e Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›