E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon odiseja e filmit shqiptar në “Oskar”

20/10/2011  Duket se debatet për prezantimin shqiptar në Akademinë e Filmit për çmimin “Oskar” nuk kanë mbaruar. Porse tani pas debatit brenda truallit shqiptar mes vetë kineastëve dhe bordit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë shigjeta është drejtuar pikërisht te bordi i “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.

Pas letrës së regjisorit të “Amnistisë” Bujar Alimani kundër vendimit për prezantimin e Shqipërisë në “Oskar” me filmin “Falja e gjakut”, Akademisë i drejtohet një letër tjetër, që këtë herë duket se ka marrë formën e një debati publik qytetar. Letra e formuluar nga gazetari dhe publicisti Arben Kallamata kërkon që në favor të saj të nënshkruajnë të gjithë ata shqiptarë që mendojnë se është bërë një padrejtësi, duke skualifikuar filmin “Falja e gjakut” nga konkurrimi për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Nga Arben Kallamata

Të nderuar miq,

Javën e shkuar Akademia e Arteve dhe Shkencës së Filmit në Hollivud u bëri një surprizë të pakëndshme artdashësve në përgjithësi dhe atyre shqiptarë në veçanti duke skualifikuar kandidaturën e filmit “Falja e gjakut” nga pjesëmarrja në Çmimet e Akademisë (“Oskar”) në kategorinë e filmave të huaj (joanglishtfolës). Skualifikimi u bë me argumentin se filmi i Joshua Morston nuk ishte autentik sa duhej.

Ky është nga ato rastet tipike ku ne shqiptarët i biem kokës sonë me shkelm. Skualifikimi erdhi pasi Akademisë iu dërgua një letër ankese nga një shqiptar (nga regjisori i filmit që përfitoi drejtpërdrejt nga ky vendim).

“Falja e gjakut” është ndër filmat më të mirë dhe më të suksesshëm të prodhuar në gjuhën shqipe. Me një regjisor amerikan (Joshua Morston, i cili me vetëdije i vuri vetes detyrë të ndihej sa më shqiptar që të ishte e mundur, dhe e arriti këtë), filmi ka bashkëskenarist shqiptar (Andamion Murataj) dhe një trupë aktorësh krejtësisht shqiptarë. Tema e filmit, një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare sot – gjakmarrja, është tërësisht shqiptare. Pamjet janë të gjitha të marra në vendngjarje, në Shqipëri, ndërsa trupa realizuese, sipas një interviste të Morston, është shqiptare në maksimumin e mundshëm për të pasur një film dinjitoz – për vetë kushtet dhe gjendjen e teknikës kinematografike shqiptare disa procese të përgatitjes së filmit nuk mund të realizohen me cilësinë e duhur në Shqipëri.

Joshua Morston është regjisor i njohur amerikan, i cili ka pasur sukses të veçantë me filmin e tij të mëparshëm Maria Full of Grace (“Maria plot hire”). “Falja e gjakut” është filmi i tij i dytë i suksesshëm, me të cilin ka fituar çmimin “Ariu i Artë” për skenarin në festivalin e filmit në Berlin dhe është pritur në mënyrë entuziaste nga kritika edhe në festivale të tjera, veçanërisht në atë të Torontos në shtator të këtij viti. Filmi u zgjodh nga Komisioni Shqiptar i Çmimeve të Akademisë për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për “Oskar”. Gjithçka shkoi ashtu siç duhej të shkonte deri në çastin kur në skenë doli ambicia profesionale dhe vogëlsia vetjake, e shprehur në formën e një letre dërguar Akademisë së Arteve dhe Shkencës Filmike në Hollivud, në të cilën argumentohej se “Falja e gjakut” nuk ishte sa duhet film shqiptar. Shijen më të hidhur në këtë histori ta lë fakti i ulët që autor i letrës është pikërisht regjisori i filmit të renditur i dyti si pretendent për të konkurruar, “Amnistia”. E papritura është se Akademia e Arteve dhe Shkencës së Filmit në Hollivud e “hëngri” letrën dhe skualifikoi filmin “Falja e gjakut”, duke i hapur dritën jeshile regjisorit që kishte bërë ankesën.

Nëse mendoni, ashtu si edhe unë, që filmit shqiptar “Falja e gjakut” i është bërë padrejtësi; nëse e ndieni që Joshua Morstonit (i cili u ngujua në kuptimin e vërtetë të fjalës për një vit me një familje shqiptare në Veri të Shqipërisë për t’u ndier si shqiptar dhe për t’i hyrë nga brenda psikikës së shqiptari), i është ngulur një thikë pas shpine nga vetë shqiptarët; nëse dëshironi që një film i shkëlqyer të paraqesë Shqipërinë mes ajkës së filmave botërorë në ndarjen e çmimeve “Oskar”; nëse besoni se e drejta duhet vënë në vend, atëherë kushtojini dy-tri minuta kohë. Më poshtë unë kam përgatitur një tekst të shkurtër, të cilin mund ta kopjoni (copy and paste) dhe t’ia dërgoni drejtpërdrejt Akademisë së Arteve dhe Shkencës Filmike në Hollivud në adresën ose në uebsajtin e dhënë. Do t’ju lutesha që, nëse e shihni të arsyeshme, ta shpërndani këtë mesazh edhe për miqtë tuaj. Së fundi, dua t’ju siguroj të gjithëve se nuk njoh personalisht asnjë nga autorët e filmit “Falja e gjakut” dhe këtë përpjekje e bëj thjesht sepse e ndiej se është diçka që duhet ta bëj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›