Kaosi i rrjetit të energjisë elektrike, rrezik i qytetarëve
20/10/2011 Kërcënimi i përditshëm, ministri Pollo premtoi ndërhyrjen me projekt, ende asgjë
FIER- Rrjetet e merimangave të telave në qytetin e Fierit vazhdojnë të mbeten ende një prej problematikave kryesore të banorëve. Në çdo rrugë të këtij qyteti hasen këto pleksje telash të transmetimit të energjisë elektrike, por dhe të rrjeteve të ndërtuara nga kompani të ndryshme. Mjafton të ngresh vështrimin pak lart dhe ky kaos të shfaqet i frikshëm. Një rrjet që vazhdon të shtohet vit pas viti, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Kjo pasi herë pas here këto fije këputen për shkak të mbingarkesës që kanë apo edhe të qëndrimit në vende të hapura, duke u rrëzuar në tokë në hapësira publike, ku qëndrojnë edhe fëmijë.
Kërcënimi
“Na qëndrojnë në kokë si një kërcënim i përditshëm. Kemi frikë të kalojmë në rrugë kur fryn erë e fortë, pasi nga çasti në çast mund të këputen telat, - shprehet një Luli Prifti, qytetar i lagjes “Liri Gero”. - Kemi më shumë frikë për fëmijët, kryesisht në ditët me lagështirë, kur bie shi. Fëmijët nuk dinë se aty mund të kalojë rrymë elektrike dhe mund t’i prekin me dorë telat e këputur”, - shton i njëjti qytetar. Ndërkaq veç mbingarkesës së tejskajshme të rrjetit të telave si të energjisë elektrike, ashtu dhe të shpërndarjes së rrjeteve të tjera, të cilat janë lidhur në të njëjtat shtylla, janë edhe këto të fundit tejet të amortizuara. Mjaft prej tyre kanë humbur qëndrimin duke u anuar gjithmonë e më shumë. Ky realitet haset në të gjitha rrugët e Fierit, ku më evident është pranë banesave dhe subjekteve të ndryshme. Më 31 janar të këtij viti Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratoi projektligjin për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike. Ministri Pollo u shpreh atëherë se projektligji do të zhdukte rrjetet e merimangave të telave nëpër qytete. Por, ndonëse Pollo u zotua se ky rrjet merimangash nuk do të ishte më rreziku i përditshëm i qytetarëve, Fieri mbetet ende në grackën e kësaj rrjete. Edhe CEZ, që u zotua se do të ndërhynte për rehabilitimin e rrjetit në tërësi, deri tani nuk ka bërë gjë. Ky kaos telash të ndërthurur në mënyrën më të çrregullt të mundshme vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë në qytetin e Fierit.
boks
Tha atëherë...
Genc Pollo: “Do t’i zhdukim pezhishkat e merimangave”
Gjatë prezantimit të këtij projekt ligji ministri Pollo theksoi atëherë: “Nëse ecni nëpër Tiranë dhe kaloni në lagje nga më të ndryshmet, ngrini kokën dhe do të shihni pezhishka merimangash jo vetëm nga telat e korrentit, por edhe nga rrjete të ndryshme, të ndërtuara nga kompani të ndryshme, të cilat janë vendosur në mënyrë krejt të çrregullt, duke dhënë përshtypjen e çrregullit e të kaosit. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe ky ligj parashikon rregullat, kompetencat, organet dhe procedurat e këtyre organeve, në mënyrë që çdo investitor në fushën e komunikimeve elektronike që synon të ndërtojë rrjete, ta ketë të qartë se çfarë duhet të bëjë dhe, në rast se vepron në përputhje me këtë ligj, ta ketë të qartë se është edhe i mbrojtur në investimin e tij. Është një ligj që ka munguar prej shumë kohësh.”