Vazhdon procesi i rigjykimit ndaj Haradinajt
Në vazhdim të procesit të rigjykimit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të enjten në Tribunalin e Hagës ka dëshmuar Skënder Rexhahmetaj nga fshati Isniq i komunës së Deçanit.
Ai ka folur rreth organizimit të mbrojtjes në fshatin Isniq gjatë kohës së luftës. Dëshmitari ka thënë se jeta në fshat ka qenë e organizuar, pasi që populli shqiptar ishte i detyruar për një gjë të tillë për shkak të presionit të regjimit serb, dhe se këto organizime kanë qenë të pavarura.
“Gjithsesi se ngjarja që ndodhi në Gllogjan shqetësoi njerëzit dhe secili fshat, përfshirë dhe Isniqin ka vepruar seriozisht në këtë drejtim”, ka thënë dëshmitari Rexhahmetaj.
I pyetur nëse strukturat udhëheqëse të fshatit kanë qenë të pavarura, dëshmitari ka thënë se ato kanë qenë të pavarura dhe shumë të rrezikuara nga pushteti serb.
“Ne kemi kaluar periudha të vështira dhe kemi nxjerrë forma se si duhet të mbrohet jeta në forma të okupimit, por ishte e nevojshme që njerëzit e fshatit të merreshin vesh mes vete se si do të vepronim”, ka thënë Rexhahmetaj.
Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gusht.
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues.
Por ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm.
Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara. /kp/