Prokurori-polici, përplasja për Trebickën
Përçahet grupi hetimor për vdekjen e Kosta Trebickës, pasi ekspertët nuk pranojnë të firmosin për aksidentin
Disa ekspertë të prokurorisë së Korçës nuk pranojnë të firmosin procesverbalin me versionin zyrtar
KORÇË- Ekspertët e prokurorisë refuzojnë të firmosin një nga aktet kryesore pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku humbi jetën Kosta Trebicka. Proces-verbali kryesor i këqyrjes së vendit të ngjarjes mbetet i pafirmosur, ndërsa vdekja e Trebickës shkakton përplasjen e parë mes prokurorisë dhe policisë. Çështja e Kosta Trebickës, i vdekur në rrethana misterioze pak ditë më parë duket se ka regjistruar konfliktin e parë në organin e akuzës në Korçë, ndërsa disa ekspertë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, nuk kanë pranuar të firmosin aktet e ekspertizës, duke mos qenë të bindur nëse ky është një aksident automobilistik, ashtu siç ka deklaruar zyrtarisht Policia e Shtetit.
Kundërshtia e hapur e ekspertëve që ndodh për herë të parë në një proces të tillë, mbështetet në prova konkrete që nuk janë bindëse për anëtarë të grupit të hetimit, të cilët për të mos rrezikuar me këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur mbarë shoqërinë shqiptare, kanë preferuar të tërhiqen duke mos pranuar të vendosin firmën e tyre dhe të jenë pjesë e versionit paraprak zyrtar, sipas të cilit biznesmeni shqiptaro-amerikan ka vdekur si pasojë e një aksidenti automobilistik.
Duke iu referuar të njëjtave burime të mirinformuara nga autoritetet lokale, ekspertët që nuk kanë pranuar të firmosin kanë asistuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të veprimeve të kryera në të, ndërsa nuk e kanë hedhur firmën, ndonëse këtë duhet ta kishin bërë të paktën që prej 48 orëve të shkuara. Të njëjtat burime të mirinformuara kanë bërë të ditur se jo të gjithë kanë firmosur në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, proces-verbal i cili ka nxjerrë si konkluzion paraprak vdekjen e Trebickës në aksidentin në fjalë.
Madje për këtë fakt, gjatë të martës ka patur dhe një përplasje në prokurorinë e Korçës, madje dhe një debat mes drejtuesve të këtij organi brenda grupit hetimor për vonesën e pajustifikuar në hartimin e proces-verbalit në fjalë. Duket se situata është e tensionuar, ndërsa nga ana tjetër organi i akuzës është bërë tejet hermetik duke mos pranuar të komunikojë me gazetarët, për atë se çfarë ndodh brenda godinës gati 50- vjeçare të Prokurorisë në këtë rreth. Por ngurimi i ekspertëve për të firmosur këtë proces-verbal, madje dhe akte të tjera vjen nga shumë fakte dhe detaje që nuk përkojnë dhe që nuk i ngjajnë aspak një aksidenti automobilistik.
Vendosja e kufomës në mënyrë të relaksuar, me kokën nga lindja, sendet e gjetura, si të vendosura me dorë përreth tij, rreth 42 metra larg mjetit, por dhe vetë largësia e makinës nga kufoma, si dhe pjerrësia e kodrinës ku ka ndodhur ngjarja, xhami i thyer në anën e kundërt të drejtuesit të mjetit nga ku mendohet se ka dalë trupi i biznesmenit që denoncoi trafikun e armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit, por dhe thëllëza e gjetur e varur në brezin e viktimës, që nuk i përket zonës së Voskopojës, janë disa prej elementëve të dyshimtë, në morinë e shumtë të të tjerave që kanë bërë të mendohen, madje të shohin më me vërtetësi këtë proces hetimi për të mos gabuar dhe duke parandaluar madje dhe pasojat që mund të bien mbi ta.
Madje, sipas burimeve nga prokuroria e Korçës, e cila kryeson hetimet për këtë ngjarje, mësohet gjithashtu se në brendësitë e makinës nuk janë gjetur njolla gjaku të viktimës, gjë që e bën shumë më të çuditshëm dhe dyshues këtë ngjarje. Këto dhe argumente të tjera, disa prej të cilave nuk janë bërë ende të njohura nga policia në momentin e parë dhe prokuroria gjatë hetimeve të mëtejshme, kanë futur në ngërç një pjesë të ekspertëve, të cilët nuk duan të jenë të mendimit me pjesën tjetër të kolegëve të tyre, duke e trajtuar këtë rast si një aksident automobilistik.
Por duket se kjo ka vënë në vështirësi organin e akuzës, ndërsa kërkohet me insistim përpilimi dhe nënshkrimi i këtij proces-verbali. Në këto kushte, duket se gjithçka ka mbetur në mes, ndërkohë që nuk janë hartuar ende aktet e tjera të ekspertëve si ai i ekspertëve kriminalistikë, i atyre autoteknikë, i ekspertëve të qarkullimit rrugor etj,. Në juglindje duket se ka pllakosur heshtja mbi vdekjen e Trebickës nga ana e prokurorisë dhe e grupit hetimor që po ndjekin nga afër këtë proces hetimi dhe veprimet mbi ngjarjen e rëndë, të lënë të mendosh se ka shumë mistere të pazbardhura, duke e bërë atë edhe më të frikshme.
-----------------------------------
Në kulmin e debateve për vdekjen e Kosta Trebickës, policia regjistron procedimin për shkeljen e rregullave të qarkullimit
Absurdi, Trebicka procedohet për shkelje të rregullave në qarkullim
TIRANË- Në kohën kur opinioni publik dhe familjarët e biznesmenit Kosta Trebicka i kthyen sytë nga Prokuroria e Përgjithshme, për të mësuar të vërtetën mbi ngjarjen misterioze, organi i akuzës regjistron një procedim penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor për Trebickën.
Ky lajm konfirmohet për Shekullin nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat shtuan se regjistrimi penal i çështjes është bërë në Prokurorinë e Korçës, institucion ky që mbulon zonën e Voskopojës. Policia e Korçës, pas përfundimit të mbledhjes së provave materiale dhe informacioneve për ngjarjen e pasdites së 12 shtatorit, ku gjeti vdekjen shtetasi Kosta Trebicka në vendin e quajtur Kullat e Gjergjevicës i ka dorëzuar prokurorisë së Korçës dosjen e plotë.
Brenda dosjes janë administruar procesverbale të këqyrjes së hollësishme të vendit të ngjarjes, kufomës, përshkrimit të autoveturës, të gjitha sendeve dhe provave të tjera të gjetura dhe sekuestruara në vendin e ngjarjes. Atëherë kur pritej që të hapej një proces për shkaktarët e kësaj ngjarjeje, Prokuroria e Korçës proceson penalisht të vdekurin Trebicka, duke e transformuar në absurd këtë proces hetimor.
Pas grumbullimit të provave paraprake në vendngjarje, efektivët e policisë i kanë deleguar prokurorisë procedimin penal me numër 1006, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ky procedim penal, i regjistruar tashmë në zyrat e Prokurorisë së Korçës ka paragjykuar automatikisht hetimin e vdekjes së Trebickës, duke e cilësuar ende pa mbaruar hetimet nga grupi hetimor si një vdekje e ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga vetë Trebicka.
Zyrtarët e këtij institucioni e kanë justifikuar këtë regjistrim penal si një praktikë që ndodh në rastet të tilla, pasi sipas tyre: nuk mund të hetojmë një çështje pa pasur një regjistrim penal dhe në mungesë të provave dhe dyshimeve që kjo është një vrasje, kemi marrë vendimin për ta regjistruar si dosje me cilësinë e kryerjes së veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor-thanë dje burimet nga policia lokale.
Ndërkaq, policia e shtetit vetëm pak ditë më parë e ka cilësuar vdekjen e Trebickës si ngjarje e shkaktuar nga aksidenti automobilistik, konkluzion ky i arritur menjëherë pas kryerjes së akt-ekspertimit mjeko -ligjor të kufomës.
Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore thuhet se nga ekzaminimi mjeko-ligjor i kufomës së shtetasit Kosta Trebicka rezulton se 52- vjeçari ka pësuar dëmtime të jashtme dhe të brendshme, të njohur ndryshe si shembje të kokës dhe gjoksit që kanë sjellë dëmtime të organeve përkatëse të shoqëruara me hemorragji, si rezultat i mekanizmit të goditjes dhe përplasjes, që në të shumtën e rasteve janë karakteristika të traumave automobilistike,-thuhej në raportin e mjekësisë ligjore.
Sipas këtyre burimeve pritet që në ditët në vazhdim pranë prokurorisë të vijnë ekspertët amerikanë për të kryer një sërë eksperimentesh të makinës dhe krijimit të dinamikës së ngjarjes, për të vërtetuar më pas shkakun e vdekjes së Trebickës.