E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon takimi maratonik

(E plotësuar) Të enjten, raundi i dialogut u ndërpre vetëm përkohësisht për të pasur kohë për darkë për delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë, ndërsa do të vazhdojë në orën 21 e 30, mirëpo askush nuk mund të parashohë se kur mund të përmbyllet.

Të gjitha burimet konfirmojnë se ka një presion të jashtëzakonshëm nga ana e Bashkimit Evropian që në këtë raund të ketë marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale.

Burime të BE-së pohojnë se është e domosdoshme të ketë marrëveshje, në mënyrë që të rriten gjasat për Serbinë për të marrë statusin e kandidatit. /rel/

Ende pa rezultat

Në Bruksel po vazhdon takimi maratonik ndërmjet delegacionit negociator të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ndërkohë që deri më tash nuk ka asnjë marrëveshje të arritur ndërmjet palëve.

Ndonëse rrethi më i ri i dialogut për çështje teknike është dashur të përfundojë dje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe takimi po vazhdon edhe për të dytën ditë me radhë.

Burime të afërta me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian (BE), Robert Cooper, kanë bërë të ditur se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e dëshiruar, duke paralajmëruar edhe një ditë të gjatë dhe të rëndë, pa ndonjë garanci se do të përfundojë me sukses.

Menaxhimi i integruar i kufijve është ende çështje e nxehtë ku po debatohet për dy ditë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe dhe ku dëshirohet të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që t’i ndihmohet Serbisë që të fitojë statusin e kandidatit për në BE.

Ndryshe, gjatë ditës ka përfunduar edhe takimi i ministrave të BE-së, ku është diskutuar për aplikacionin dhe statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka thënë se debati ka qenë “i përzier” për shkak se jo të gjitha shtetet tani janë të mendimit se Serbisë duhet t’i jepet statusi i kandidatit.

Në mesin e tyre ka shtete që e kundërshtojnë këtë gjë, para se gjithash, shtetet ushtarët e të cilave janë plagosur në dhunën e fundit në veri të Kosovës, përkatësisht Gjermania dhe Austria.

Takimi i radhës së ministrave të BE-së do të mbahet në fillim të javës së ardhshme. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›