E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhduan zgjedhjet në Çeki

Procesi i votimit në Çeki rifilloi sot në orën 08:00, për të zgjedhur 200 deputetët e Dhomës së Ulët të parlamentit çek, në një votim të karakterizuar nga një pjesëmarrje e madhe.

Dita e parë e votimit përfundoi të premten në orën 22:00, me një pjesëmarrje që i afrohej shifrës 50 për qind.

Socialdemokratët (CSSD) e Jiri Parubekut, kryeministër në vitet 2005-2006, ishin në krye sipas sondazheve të fundit parazgjedhore, duke lënë pas partinë e djathtë ODS, aktualisht e drejtuar nga nënkryetari i saj, Petr Necas.

Megjithatë, asnjëra nga 25 partitë në garë nuk mendohet të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe njoftimi i rezultateve i parashikuar, pritet të shënojë fillimin e bisedimeve të vështira për formimin e një koalicioni.

Partia komuniste KSCM e mbajtur larg që prej vitit 1989, shpreson të marrë vota prej të harruarve nga reformat e qeverisë së qendrës së djathtë të liberalit Mirek Topolanek, nga nostalgjikët e epokës sovjetike, por edhe nga të rinjtë.

Përveç CSSD-së, ODS-së dhe KSCM-së, dy grupime të krijuara së fundi, TOP 09 (e djathtë) e ish-shefit të diplomacisë Karel Schwarzenberg, dhe Çështjet publike (VV, e qendrës) e ish-gazetarit Radek John, pritet gjithashtu të kalojnë pragun e 5 për qindëshit të nevojshëm për të hyrë në parlament.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›