E Shtunë, 31 Tetor 2026

RERUM NOVARUM



Nga Panajot Soko*

Kur diku rreth fillimit të viteve ‘90, media do të zbulonte pjesëmarrjen e tij në protestat ksenofobiste-ultranacionaliste të mesviteve 30-të, François Miterrand nuk e uli aspak kokën kur deklaronte se: “Rinia është e tillë, e mbushur me energji që kërkon detyrimisht të shpërthejë. Ajo shpërthen kudo ku gjen një valvul. Është detyra e shtetit t’i krijoje këto valvula, në të kundërt gjithçka kthehet në një llavë nëntokësore që s’dihet ku do të shpërthejë...”. Si zakonisht ai kishte të drejtë.
Çdo i ri mbart brenda vetes një potencial gjigant energjie të ngjashëm me një llavë vullkani që kërkon detyrimisht të gjeje një oxhak ku do të shpërthejë. Dhe nëse një i tillë nuk ekziston, ai e krijon atë. Duhet krijuar valvula. Duhet që dikush të mendojë ta shpërthejë atë pikërisht në vendin ku e gjithë ajo do të shndërrohej në një energji pozitive që do të na shërbente të gjithëve.
“Është shumë e thjeshtë të fitosh energjinë që mbart rinia. Mjafton të jesh ti ai që e përdor. Në të kundërt "të tjerët" do ta përdorin atë dhe më besoni... është shumë e vështirë ta kesh atë kundër”, - do të deklaronte George Bush Senior gjatë një takimi me studentët e Kyiv National Taras Shevchenko University në Ukrainë. Thënë nga goja e një burri shteti dhe babai te suksesshëm, këto fjalë marrin atributet e aksiomës.
Faktikisht është shumë e qartë. Rinia gjithmonë është në pritje të dikujt që ta përdorë atë, dhe si shpërblim t’i plotësojë asaj nevojat. Dhe gjithmonë është dikush që e përdor atë. Por jo detyrimisht janë “të mirët” ata që e bëjnë.
Rinia nuk kërkon shumë. Ajo kërkon prosperitetin, dinjitetin, të dëgjohet, të vlerësohet për atë ç’ka është dhe ç'ka posedon. Në thelb nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të pranohet si e barabartë.
Është klasa më e diskriminuar e tregut të punës. Quhen me fat nëse e kanë një punë dhe nëse jo... quhen thjesht "normalë". Tashmë për ta është bërë e zakonshme që gjithkush t'i diskriminojë pikërisht për faktin se janë të rinj. Askush nuk ka menduar ndonjëherë se çfarë mund të bëhet që ata të fillojnë të trajtohen pothuajse si të barabartë në tregun e punës. Të qenit pjesë e statistikave, grafikeve, të dhënave të përgjithshme është bërë mëse normale, por deri më sot asnjë s’ia ka parë hajrin gjithë këtyre dhe vështirë se do të ndodhë në të ardhmen. Ato s'kanë ndihmuar qoftë edhe një të ri të vetëm të gjejë punë dhe mjafton ky fakt që të quhen demagogji pa bukë. Kështu që ata përpiqen maksimalisht duke u mbështetur thjesht te vetja e tyre, por kur e shikojnë që gjërat e vështira kthehen në edhe më të vështira, atëherë fillojnë ta shikojnë jetën, le të themi më pragmatisht. Çdo gjë që atyre iu është servirur si “tregu i lirë i mundësive” nuk qenka gjë tjetër thjesht një luftë xhungle ku humbësit, në gjuhën e përditshme quhen “të pafat”. Dhe kështu që të detyruar nga nevoja që kanë për mbijetesë dhe të mbetur të vetëm në përpjekjet e tyre, ata fillojnë ta kërkojnë fatin diku tjetër. I drejtohen drogës, prostitucionit, vjedhjes si të vetmet e mbetura që mund t’iu ofrojnë atyre shpëtim. Futen në një valle ku hyhet pa paguar asgjë, por dilet vetëm duke paguar gjithçka. Kronikat e zeza që shoqëria merr si vakt ushqimi emocional çdo ditë, në pjesën më të madhe të rasteve janë thjesht epilogu i historisë urbane të një të riu që askush ndonjëherë nuk u përpoq as të paktën ta konsideronte. I të riut që dështoi të gjente një punë thjesht dhe vetëm sepse s’kishte eksperience.
I atij të riu që askush nuk mendoi se ndoshta ishte aq i aftë sa të kishte një ide te suksesshme biznesi, le më pastaj dhe ta ndihmonte financiarisht atë.
I atij të riu që do të pranonte çdo lloj pune, por që thjesht ra viktimë e ciklit të tejzgjatur të zëvendësimit të forcës aktive të punës. I atij të riu që emigracionin e kishte mësuar ta shihte të arritshëm thjesht dhe vetëm si një rrugëtim gomoneje..
Ishte thjesht fati i tij i keq që ishte i ri...
- Shoqëria është mjaftuar me shkollën, por mjafton të mos jesh shumë meskin dhe ta kuptosh që është shumë më tepër sesa thjesht shkolla ajo që të edukon.
Në themel është çështje sistemi vlerash. Të rinjtë ngrenë modelet e tyre, dhe cilësia e modelit tregon cilësinë e edukimit, por jo detyrimisht të numrit të klasave.
Të rinj që dinë çdo gjë rreth Toni Montanës apo Britney Spears, por nuk dinë as emrin e Dostojevskit. Të rinj që lexojnë çdo ditë të reja rreth odisesë së mbathjeve seksi të David Beckham, por që vështirë se mund gjejnë diçka interesante tek informacionet rreth Rilindjes Europiane. Përhapja e informacionit teknologjik dhe gjithë të rejat që ai sjell në pjesën më të madhe të rasteve ka precipituar thjesht në një fjalë “Chat”. Gjithë pjesa tjetër e kozmosit informativ për ta është thjesht shumë pak interesante. Dhe e gjitha kjo është pasojë e modeleve që shoqëria iu servir atyre që në kohen e brumosjes. Askush nuk është përpjekur ndonjëherë të kuptojë se çfarë do ta bënte interesante për rininë librin, dokumentarët informativë, dëshirën për të ditur. Askush nuk ka menduar sesi ta bëjnë dijen më tërheqëse se Rihana, apo letërsinë më tërheqëse se lotaritë sportive. Jo! Njëlloj si në pllakën me mbishkrime që është zbuluar qe nga koha e Egjiptit të lashte, edhe sot shoqëria fshihet pas shprehjes “Këta të rinjtë e sotëm, askush nuk i kupton”. Dhe kështu bien të gjithë në paqe me vetveten.
- Të rinjtë kërkojnë të jenë të lirë të lëvizin, kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes, kërkojnë të marrin përgjegjësitë e tyre sociale pra kërkojnë të konsiderohen si të vlefshëm dhe të trajtohen si të tillë. Ata kanë gjithë adrenalinën dhe idetë që i mungojnë pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe janë te gatshëm t'i japin gjithçka kanë, thjesht shoqëria duhet t'ua kërkojë e vlerësojë këtë.
Ajo ç’ka mungonte deri tani ka qenë IDEA. Idea sesi të rinjtë të punësoheshin me sa më pak vështirësi, idea sesi të rinjtë të edukoheshin sa më mirë, idea sesi të rinjtë të ishin më shumë të tërhequr nga dija, idea sesi të rinjtë mund të bëheshin pjesë e mendim-dhënies dhe vendim-marrjes, idea sesi mund të orientonim rininë të kujdesej për fizikun e tyre, idea... idea...
Ka qenë arrozive dhe do të jetë fatale nëse të tilla ide, për të tilla qëllime, do të vazhdojë të mos ketë edhe në të ardhmen.
Shoqëria duhet të fillojë ta kuptojë. Politika duhet të fillojë ta kuptojë. Ka nevojë për Rerum Novarum në të gjitha aspektet. Ne e kemi kuptuar...

* Përfaqësues i Institutit IDEA

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›