Ndërmjet luftës dhe turpit, zgjodha luftën
Nga Zamira Çavo
Kohët që po jetojmë po më bindin çdo ditë e më shumë se Shqipëria ka nevojë për një frymëmarrje të re, për një politikë tjetër, për një brez të ri politikanësh, jo thjeshtë në moshë, por mbi të gjitha n ë ide. Por shikoj se sa pak njerëz po e kuptojnë këtë nevojë dhe akoma më pak sa e kane parë si zgjedhje të tyre këtë ndryshim.
Sot vendi gjendet para një udhëkryqi të madh, ose t’ia besojë veten politikës aktuale, të majtë apo të djathtë qoftë, ose duhet të luftojë për të siguruar ndryshimin. Në se do të vazhdojmë të luajmë kukafshehtazi me veten tonë, do të pranojmë politikën aktuale ,me mendimin se “s’kemi ç’bëjmë tjetër, këta politikanë kemi”, atëherë duhet të pranojmë turpin. Cilin turp? Atë që dhe pas 18 vitesh “demokraci” akoma nuk dimë të bëjmë zgjedhje, atë, që Shqipëria është shteti më i varfër në Europë, turpin që njihemi në botë si trafikues droge, që vrasim njeri tjetrin se s’na mbron ligji, turpin që bredhim rrugëve të botës e na trajtojnë si njerëz pa shtet, trupin që rrimë si lypsarë para dyerve të ambasadave që na trajtojnë si njerëz pa dinjitet. Cilin turp? Turpin që kryeministri ynë na e ka vënë në ballë me përfshirjen e tij në aferat më të ulëta korruptuese, turpin në frazat pa lidhje që thotë e që na bëjnë të ulim kokën të turpëruar ne shqiptarët ndërsa bota të tallet me ne. Cilin turp? Turpin që sa herë kemi ngjarje të rënda në vend, sa herë që shkojmë keq e mos më keq në ekonomi, aq herë politikanët tanë “gjejnë gjuhën” për të ricikluar njeri tjetrin. Cilin turp? Atë që deputeti flet me fjalorin më banal të mundshëm, që godet e fyen si pa të keq , që përdor shtetin si vilajet të vetin… Cilin turp? Atë, që Presidenti ynë i nderuar e quan” ngjarja më e madhe në historinë e populli tim” hyrjen e vendit në një aleancë qoftë dhe ajo me emrin NATO? Atë që për çdo gjë kërkojmë të na i zgjidhin të huajt, sikur jemi të sapo ardhur në qytetërim. Dhe më së fundmi turpin që Bota vazhdon të na trajtojë si vendi pa shtet e që na dikton deri dhe vargun e poezive!
Unë zgjodha ti largohem turpit, pra të luftoj për ndryshimin dhe këtë e bej jo se dua të jem “ndryshe” si individ, por sepse besoj se ka mundësi për të qenë ndryshe. Por jam e bindur se ndryshimi vjen me “luftë”, prandaj zgjodha luftën, se besoj tek ajo.
Po e argumentoj: Shqipëria nuk është jashtë rrjedhave bashkëkohore sociale e politike. Klasa politike shqiptare mundohet ta sjellë kundër kësaj rrjedhe. Partitë politike në vend, nuk kanë më resurse për zhvillim, sepse:
-programet e tyre janë një copy-paste i programeve të partive të tjera europiane. Por në Europë problemi i partive është tashmë në diskutim të gjerë pikërisht për shkak të ndryshimeve të shpejta ekonomike, teknologjike, intelektuale dhe mundësive të pafundme që krijon kapitalizmi. Partitë në Europë janë tashmë në riorganizimet e tyre për tju përshtatur erës së re ,përtej se majtës e së djathtës, pikërisht për shkak të zhvillimit të tyre. Por Shqipëria as që mund të llogaritet me këtë hap. Arsyet janë të shumta. Varfëria mbetet kryesore. Partitë akoma nuk po dinë ti japin rrugën e zgjidhjes pikërisht zbutjes së varfërisë. As Programet mediatike tip top-show, nuk mund të jenë zgjidhje, as deklaratat se “jemi për Shqipërinë mbi të majtën e të djathtën”. Sepse mbi të majtën e të djathtën ,do të thotë të projektosh një politikë të re mbi të paktën një ritëm zhvillimi ekonomik disa herë më të lartë se ai që ka Europa sot, sepse duhet të dalë vendi nga gjendja e stanjacionit të varfërisë, e më pas ti afrohemi realitetit Europian. Asnjë parti nuk ka, përveç deklaratave demagogjike, rrugë për të kryer këtë zhvillim.
Mbi të gjitha asnjë parti nuk ka në programin e vet, një platformë të zhvillimit të institucioneve shtetërore, duke pretenduar se jemi vend që duam demokraci. Por demokraci pa ligje nuk ka, dhe Ligji nuk është thjeshtë një deklarim por mbi të gjitha një zbatim në kushte të barazisë së plotë para ligjit. Politikanët tek ne, vetëm ligjet “nuk i njohin”. Sjellja e tyre nuk është as më shumë e as më pak vetëm sjellje e ngjashme me atë të “Olimbisë” tek “Karnavalet e Korçës”! E ç’mund të pres unë nga politikanë që nuk kanë lexuar në jetën e tyre asnjë libër? (sepse nuk besoj se kanë bërë shkollë, dhe pse mund të kenë diploma)
- Pra një arsye tjetër pse partitë politike nuk kanë më resurse zhvillimi, është dhe fakti se nga ato, gjithnjë e më shumë po largohen intelektualët, teknicienët, njerëzit e mençur, duke ja lënë vendin, individëve që e duan politikën si mjetin e vetëm të përfitimit personal, madje dhe militantë po largohen.
Në Europë, partitë gjithnjë e më shumë kërkojnë të thithin individë me vlera, dhe ti largohen politikës si profesion. Në Shqipëri ndodh krejtësisht e kundërta; politikanët tanë, më së shumti nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veç të qenit… “politikan”.
Ka njerëz që besojnë se politika shqiptare është mjaft elastike se përndryshe nuk do të na kishin pranuar ne NATO. Unë, ashtu si dhe çdo njeri tjetër i lexuar, e di mirë se gjeopolitika është sot kryefjala e interesave të fuqive të mëdha. Interesat përkthehen në mundësi ekonomike zhvillimi për ato vende. Zgjerimi i kufijve të NATOS është në këtë program , ashtu sikundër ishte dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.
-Politika shqiptare ka nevojë për një riorganizim që të dijë të orientohet drejtë e të rrokë rastin. Personalisht nuk e kuptoj se pse opozita vazhdon të vetëbërehet nga intrigat e thurura nga ajo vetë në një kohë kur duhet të luftojë për të ndryshuar situatën në vend për të ndryshuar imazhin tonë, për të na dhënë mundësi të reja qeverisjeje? Te huajt e dinë këtë punë, dëgjon rëndomë të thuhet. Po cilët të huaj?
Mbase i gjithë ky shkrim do të kishte nevojë për një argumentim teorik. Vendi nuk është, por dhe shpjegimin teorik e kam. Ajo që vlen është besimi se dita do të vijë kur të tjerë si unë, do të kenë zgjedhur të përqafojnë “luftën” për ndryshim.
11 Prill 2008