Gjykata dënon ish-zyrtarin e Ministrisë së Punës
Tiranë - Gjykata e Tiranës dha dje vendimin për Spartak Gjinin dhe Llambi Tarkën. Trupi gjykues vendosi të dënojë me 2 vjet e gjysmë burg Gjinin dhe 20 muaj burg Tarkën. Për të dy të arrestuarit është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar. Një seancë më parë prokuroria pati kërkuar burg dhe gjobë për ish-zyrtarët. Prokurori i ka kërkuar gjykatës që Spartak Gjini të dënohej me 5 vjet burg dhe 2.1 milionë lekë gjobë. Për Llambi Tarkën katër vjet burg dhe 2.1 milionë lekë gjobë. Pas pretencës së përfaqësuesit të Akuzës avokatët kanë kërkuar kohë të përgatisin mbrojtjen përfundimtare ndaj klientëve të tyre. Gjykata e Tiranës pranoi seanca më parë gjykimin e shkurtuar për ish-zyrtarët që u arrestuan për favorizim në tendera. Gjykimi për ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, dhe për të arrestuarit e tjerë ka nisur prej pak ditësh. Trupi gjykues, që kryesohej nga gjyqtari Martin Deda, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar në gjendjen siç ishin aktet në dosje. Gjini para se të arrestohej ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, mbi të rëndoi akuza e favorizimit në tendera si dhe ajo e “korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Spartak Gjini u arrestua në nëntor të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar “Rikonstruksioni”, i cili u organizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me “Task-Forcën” në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe shtetasit Llambi Tarka, 51 vjeç, ish-anëtar në Komisionin e Prokurimeve në Ministrinë e Punës, si dhe Fiqiri Pali, 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, pronari i një shoqërie me aktivitet ndërtimi. Edhe për këta të arrestuar u pranua gjykimi i shkurtuar. Sipas të dhënave hetimore dyshohet se shtetasi Spartak Gjini, në bashkëpunim me shtetasin Llambi Tarka, në këmbim të përfitimeve të paligjshme kanë paracaktuar fitues të tenderit të datës 14.09.2007 me objekt rikonstruksionin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, firmën ndërtuese “Siret”, me pronar shtetasin Fiqiri Pali, duke detyruar firmat e tjera pjesëmarrëse të heqin dorë nga konkurrimi.
Arrestohen dy të rinj për tregtim lëndësh narkotike
Tiranë - Policia e Tiranës arrestoi dje dy persona në kushtet e flagrancës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike”. Burime nga policia bënë të ditur se Muhamed Manollari, 23 vjeç dhe Agron Shkurti, 25 vjeç, të dy nga Tirana, u arrestuan në kushtet e flagrancës duke shitur lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në “Rrugën e Kavajës”. Gjatë kontrollit fizik, të dy personave iu sekuestruan 32.9 gr. bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, shuma prej 16.800 lekë të përfituar nga shitja e kësaj lënde, si edhe dy aparate celulari “Motorola” dhe “Samsung”. Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë se Rrethit për veprime të mëtejshme procedurale.
3 Maj 2008