Imuniteti i Mediut, Prokuroria: “Nuk ka mbërritur ende kërkesa e Kuvendit”
TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme mbetet në pritje të kërkesës së Kuvendit për materiale shtesë hetimore lidhur me marrjen e autorizimit për ndjekjen penale të ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ngjarjen e ndodhur më 15 mars në Gërdec të bashkisë së Vorës. “Në Prokurorinë e Përgjithshme ende nuk ka mbërritur kërkesë zyrtare nga Kuvendi”, -thanë të premten për ATSH-në, burime zyrtare nga kjo prokurori. Sipas tyre, prokuroria është në pritje të kësaj kërkese për të proceduar më pas me shqyrtimin e saj dhe materialet shtesë që kërkohen për marrjen e autorizimit nga Kuvendi, për ndjekjen penale të ish- ministrit Mediu. Gjatë mbledhjes së të martës të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, kërkoi që kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të shoqërohet edhe me dokumentacionin përkatës. Kjo kërkesë u mbështet nga Kryetarja e Kuvendit, e cila kërkoi nga deputeti Madhi që të paraqesë me shkrim kërkesën për t’ia përcjellë më pas Prokurorisë së Përgjithshme. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë një konference për shtyp, rreth një javë më parë, bëri të ditur se i kishte kërkuar Parlamentit autorizim për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu, për ngjarjen e Gërdecit.
3 Maj 2008