E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Xhindit, politika “zbarkon” në Roskovec

04/05/2009  Familjarët nuk pranuan që homazhet të kryeheshin në kuvendin e Shqipërisë

Pak orë pas vrasjes në Roksovec Topalli dhe Rama, Berisha dhe Topi një ditë më pas

Dukej sikur dita do të mbyllej qetësisht të shtunën në darkë për politikën Shqiptare, për të filluar me një të diel pushimi, kur nën zjarrminë e fushatës elektorale nuk pritej ndonjë zhvillim i rëndësishëm. Kryeministri Berisha kishte qenë në Sarandë për hapjen e sezonit turistik, Rama merrte pjesë në një tryezë për arsimin në Tiranë, ndërsa Kryetarja e Kuvendit kishte preferuar një shëtitje me bashkëshortin në rrugët e Tiranës. Presidenti ishte në rutinën e tij të përditshme. Ndërsa deputetët e tjerë të Kuvendit, dikush i gëzohej pushimit, ndërsa ndonjë tjetër kishte shkuar në zonën ku ka fituar mandatin më 2005-n, me shpresën që t’i paraprijë një kandidimi të mundshm. Por nuk ishte e thënë që dita të mbyllej me një panoramë të tillë. Rreth orës 21:20 minuta telefonat e krerëve të shtetit filluan të binin dhe brenda një harku kohor prej 30 minutash në ambientet e politikës u përhap lajmi se një deputet i opozitës kishte rënë pre e plumbave të kallashnikovit të një dorë misterioze mu përpara shtëpisë së tij. Pyetjeve “kush?”, “cili?”, “pse?” askush s’dinte t’u përgjigjej dhe ende nuk dihej asgjë e saktë nëse deputeti Fatmir Xhindi kishte vdekur apo jo. Po s’kaloi shumë dhe lajmi se deputeti i 3 legjislaturave në zonën pranë Fierit nuk i përkiste më kësaj bote.

Krerët e politikës

Roskoveci, një qytet i vogël vetëm 18 kilometra larg Fierit, s’kishte parë ndonjëherë aq shumë politikanë të të dy krahëve të mbledhur bashkë në një hidhërim. Të parët që mbërritën nga Tirana menjëherë pas eksponentëve të lartë të Policisë së Shtetit ishin kryetari i PS-së Edi Rama dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Së bashku me ta u panë dhe deputetët Kastriot Islami, Valentina Leskaj, si dhe Ilir Bano dhe Fatos Beja nga e djathta. Si Rama, ashtu dhe Topalli dënuan rëndë aktin kriminal. Dhe të dy shprehën dëshpërimin e tyre për humbjen e mikut dhe deputetit të Kuvendit Fatmir Xhindi. Në orët e para të mëngjesit reaguan që nga Tirana dhe Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Topi. Përveç ngushëllimeve për njerëzit e familjes ata dënuan aktin e rëndë së bashku me angazhimin se ngjarja do të zbardhet dhe autorët do të vihen përpara drejtësisë.

Homazhi

Ideja për t’i bërë homazhet në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë duket se nuk është pranuar nga familjarët, prandaj deputetët dhe krerët e shtetit, por dhe deputetë dhe eksponentë të opozitës e shpërngulën Kuvendin e Shqipërisë në Roskovec për të nderuar mikun e tyre. Për t’iu gjendur pranë familjes mbërritën dje në Roskovec dhe Presidenti i Republikës me Kryeministrin, të cilët i shprehën dhimbjen, por dhe ngushëllimet e tyre familjes. Në orën 14:00 trupi i deputetit Fatmir Xhindi u vendos në ambientet e pallatit të kulturës, ku iu bënë homazhet e fundit nga qytetarët. Pas diçka më shumë se një orë arkivoli i tij u mbart nga të afërmit dhe shokët e tij të Kuvendit drejt varrezave të fshatit Kurjan, rreth 7 kilometra larg Roskovecit, vendi ku lindi deputeti Xhindi dhe punoi deri pak orë përpara vdekjes. Pas ceremonisë dhe fjalës së rastit të mbajtur nga kryetari i PS-së Edi Rama, miq dhe të afërmit i dhanë lamtumirën e fundit të dashurit të tyre, i cili njihej si një njeri dhe deputet paqësor, veti këto që bënë që edhe pas vdekjes së tij politika e ashpër shqiptare të reflektonte paqe dhe dashamirësi, ashtu siç kishte dëshiruar ai gjatë gjithë jetës

Valentina Leskaj

“Të zbardhet ngjarja që mori jetën e Xhindit”

Deputetët e Partisë Socialiste kërkuan zbardhjen e ngjarjes tragjike që i mori jetën deputetit socialist Fatmir Xhindi. Kështu, gjatë ditës së djeshme socialistët kanë bërë thirrje për hetime të hollësishme mbi këtë ngjarje. Deputetja e PS-së Valentina Leskaj gjatë një prononcimi për shtypin e ka quajtur një traumë të përgjithshme vrasjen e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Për këtë arsye kryetarja e ligjvënësve socialistë ka kërkuar që shteti të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje të rëndë. “Rezervohem për të folur për rrethanat e ngjarjes”, - vuri në dukje Leskaj gjatë fjalës së tij. Nga ana e tij deputeti i PS-së Taulant Balla e konsideroi këtë një ngjarje kriminale. “Shteti të marrë masa sa më parë që drejtësia të shkojë në vend”, - u shpreh Balla. Në vlerësimet e tij Balla e konsideroi deputetin Fatmir Xhindi një deputet model për Parlamentin shqiptar.

Reagimi

Stefa vlerëson figurën e Xhindit

Kolegët parlamentarë, sidomos ligjvënësit socialistë, kanë dhënë vlerësime gjatë gjithë ditës së djeshme mbi personalitetin e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Deputetja e PS-së Rajmonda Stefa e ka konsideruar një akt kriminal të pashembullt vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Gjatë fjalës së saj Stefa është shprehur se deputeti nga natyra nuk ishte nxitës konfliktesh. “Nuk kam vërejtur asnjë shqetësim te Xhindi. Ai ishte deputeti më popullor”, - ka thënë Stefa. Ajo e vlerësoi vrasjen e Xhindit si një sinjal negativ për organet e shtetit. Nga ana tjetër, deputetja PS-së Stefa tha se është befasuar për vrasjen dhe se gjatë ditës kur ndodhi kjo ngjarje Xhindi nuk ka pasur ndonjë takim për fushatën paraelektorale. “Jemi befasuar për vrasjen. Fatmir Xhindi ka qenë një njeri i qetë dhe jo konfliktual. Fakti që është zgjedhur 3 herë nga e njëjta zonë deputet konfirmon çka thashë më lart”, - nënvizoi Stefa.

Kastriot Islami

“Siguria nuk është në nivelin e duhur”

Partia Socialiste gjykoi dje se një ngjarje e tillë tregon mbi të gjitha pasigurinë në vend. Për këtë arsye ligjvënësit socialistë jo vetëm kërkuan zbardhjen e ngjarjes tronditëse, por dhe dënimin maksimal për autorët që morën jetën e deputetit Xhindi. Deputeti socialist Kastriot Islami gjatë një prononcimi për shtyp e cilësoi ngjarjen si shumë të rëndë dhe që ka impakt në të gjithë vendin dhe si dëshmi “se siguria nuk është në nivelin e duhur”. Parë në këtë këndvështrim, Islami kërkoi zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe dënimin maksimal për autorët e atentatit. Sipas tij, deputeti Xhindi njihej si njeri komunikues, që nuk i afrohej konfliktit dhe do të mbetet në kujtesë si deputet i përkushtuar në detyrën e tij. Deputeti i PSV ’91 Petro Koçi e cilësoi një lajm të keq për gjithë opinionin shqiptar vrasjen e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Ai e vlerësoi Xhindin si një nga themeluesit e PS-së në Fier.

Kreu i LSI-së

Meta: Ngjarja kriminale dhe tronditëse

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta reagoi dje lidhur me ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën deputeti i PS-së Fatmit Xhindi. Në gjykimin e Metës, një ngjarje e tillë është kriminale dhe dëshmon se siguria në këtë vend është serioze. “Ngjarja është kriminale dhe tronditëse, pasi jo vetëm është vrarë një shtetas, por tregon dhe një problem serioz të sigurisë në këtë vend, ndaj kërkohet zbardhja e menjëhershme e autorëve, në mënyrë që opinioni të qetësohet sa më shpejt”, - deklaroi Meta lidhur me ngjarjen. Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi u vra me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës pranë banesës së tij në Roskovec nga persona që ende nuk njihen. Ndërkohë Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të fushës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Reagojnë politikanët

Drejtues të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare u nisën drejt Roskovecit menjëherë sapo morën vesh tragjedinë e familjes Xhindi. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, zëvendësministri i Brendshëm Genti Strazimiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe personalitete të tjera mbërritën në vendngjarje për t’u gjendur pranë familjarëve dhe për të dhënë mbështetjen e tyre në zbardhjen e krimit. Që të shtunën mbrëma strukturat më të larta dhe të specializuara të shtetit u vunë në lëvizje për të zbuluar dhe më pas mundësuar kapjen e autorit. Kryetarja e Kuvendit u rikthye në Fier për të nderuar përcjelljen e deputetit në banesën e fundit paraditen e djeshme, ndërsa Presidenti i Republikës Topi dhe Kryeministri Berisha mbërritën dje për të marrë gjithashtu pjesë në ceremoninë mortore.

Disa raste politikanësh të vrarë në botë dhe Shqipëri

Në vitin 1963 vritet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhon Ficxherald Kenedi.

Në vitin 1968 vritet kandidati për president të SHBA-ve Robert Kenedi.

Në maj 1978 vritet politikani italian Aldo Moro, dy herë kryeministër i Italisë.

Në tetor 1984 vritet Indria Gandi, tri herë kryeministër i Indisë.

Në janar 1993 vritet në Bosnjë-Hercegovinë politikani Hakija Turajliç.

Në vitin 1995 vritet kryeministri i Izraelit Itzak Rabin, fitues në vitin 1994 të çmimit “Nobel” për paqen

Në mars të vitit 2003 vritet kryeministri serb Zoran Xhinxhiç.

Në shtator 2003 vritet ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë Ana Lindh.

Në mars 2005 vritet politikani dhe lideri i separatistëve çeçenë Islam Maskhadov.

Në vitin 2007 vitet kryeministrja e Pakistanit Benazir Buto.

Më 12 shtator 1998 vritet deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari.

Më 3 maj 2009 vritet deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi.

Mesazhi i Kryeministrit

Berisha: Gjithçka për të gjetur kriminelin

Kryeministri Sali Berisha ka ngushëlluar familjen e deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së shtunës pas një akti kriminal. Shefi i ekzekutivit ka shprehur keqardhjen në emrin e tij dhe të qeverisë që drejton. Në një mesazh për mediet ai ka thënë se akti i shëmtuar kriminal ka tronditur jo vetëm familjen e deputetit Xhindi, familjarët e tij, bashkëqytetarët e tij, kolegët e tij deputet, por gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. “Unë erdha për t’i shprehur ngushëllimet familjes si dhe për të siguruar se qeveria do të bëjë çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit, autorin apo autorët, të cilët qëlluan prapa shpine dhe ekzekutuan deputetin Fatmir Xhindi në pragun e derës së shtëpisë së tij. Ne nuk do të lëmë pistë hetimi, do të mobilizojmë të gjitha llojet e mjeteve në mënyrë që të kapim sa më shpejt autorin apo autorët e këtij krimi të shëmtuar. Edhe një herë jam këtu për t’u shprehur ngushëllimet qytetarëve të Roskovecit, familjes dhe miqve, të afërmve të deputetit Xhindi”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›