E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëpunimi minibashki-bashki-qeveri, çelësi i zgjidhjes së problemeve për banorët e Laprakës”

04-05-2011 / Bisedoi Elda Tomani

INTERVISTA/ Flet për “Gazetën 55”, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, në Njësinë Bashkiake nr .11, në Laprakë, Haki Mustafa

Kandidati i koalicionit” Aleanca për Qytetarin”, Haki Mustafa i cili kandidon për një mandate te tretë qeverisës për minibashkinë nr. 11, në zonën e Laprakës beson fort te fitorja e tij, por edhe te e kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Me bindje të fortë ai pohoh se treshja Lulzim Basha - Haki Mustafa - qeveria Berisha, do të zgjidhin të gjitha problemet që ka minibashkia në të cilën ai kandidon për herë të tretë. Në një intervistë për Gazetën “55”, Haki Mustafa shpalos projektin e tij elektoral i cili integrohet gjerësisht me programin e kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie, Lulzim Bashës. Ai ka folu gjerësisht për problemet që ka njësia bashkiake nr. 11 dhe zgjidhjen e menjëhershme të tyre, me fitoren e dyfishtë në 8 maj. Realizimi i një sërë projektesh si zgjidhja e problemeve në arsim, në infrastrukturë, në strehim, hapja e 30.000 vendeve të punës, ulja e taksave për bizneset, përfundimi i unazës, legalizimet dhe hipotekimi janë vetëm disa ndër pikat që përfshihen në programin e Lulëzim Bashës dhe që integrohen edhe me programin e  kandidatit të mazhorancës për njësinë bashkiake nr. 11, Haki Mustafën. Ai shton midis të tjerave, se kryetari aktual i Bashkisë Edi Rama është i papranueshme për njësinë bashkiake nr. 11, pasi nuk ka bërë asnjë investim në këtë zonë. Haki Mustafa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të votojnë atë dhe Bashën më 8 maj, pasi, sipas tij, zgjedhësit e minibashkisë nr. 11, por edhe të gjithë Tiranës, duhet të kthejnë sytë e të shohin se për 11 vjet rresht kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka lënë kryeqytetin në harresë.

Duke qene se ju kandidoni për një mandat të tretë qeverisës nën siglën e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, si e komentoni këtë vlerësim?
Rikandidimi im është jo vetëm një vlerësim për punën time, por edhe një përgjegjësi më shumë. Ky rikandidim, njëherazi, është edhe një fati i madh që kandidoj për një subjekt të tillë, sikurse është PD-ja. Unë kam qenë kandidat i kësaj partie edhe për dy mandate të tjera. Ky mandat i tretë, më është besuar në sajë të arritjeve që kam pasur në dy mandatet e mëparshme, në sajë të asaj që unë kam bërë për njësinë bashkiake nr. 11.

Çfarë ka bërë Bashkia e Tiranës gjatë mandateve tuaja qeverisëse në njësinë bashkiake nr. 11? A ka pasur investime në këtë zonë?
Kjo zonë ka nevojë për gjëra imediate, mund të them që nga Bashkia e Tiranës nuk është treguar kujdes as për 10 për qind të infrastrukturës. Për 11 vite qeveria ka investuar 3 herë më shumë se sa bashkia në këtë njësi bashkiake. Megjithëse bashkia e Tiranës e ka lënë shumë pas dore, janë gjetur format dhe metodat për të kontribuar dhe për t’u investuar në këtë njësi bashkiake. Pjesa më e madhe e përmirësimit të infrastrukturës në Laprakë është përmirësuar dukshëm, me një fond nga qeveria shqiptare e marrë nga donatorë të huaj, konkretisht nga Cooperacioni Ialian. Ky fond ka qenë rreth 3 milion euro.
 
Cilat janë pikat e programit tuaj elektoral? A mund të na thoni se çfarë do të bëni ju në këtë mandate qeverisës duke qene se ju  i keni evidentuar problemet imediate për të cilat ka nevojë kjo minibashki?
Minibashkia nr. 11 duke qenë e persekutuar 11 vjet nga bashkia e Tiranës, ende vuan pasojat e një infrastrukture, që është më e keqja, krahasuar me të tjera minibashki të kryeqytetit. Nga 580 hektarë që është sipërfaqja e minibashkisë nr. 11, më saktë rreth 5.8 km2, investimet kanë qenë në një shkallë pothuajse të papërfillshme për territorin. Rreth 60 për qind e territorit është pa infrastrukturë. Me Lulzim Bashën dhe me programin e tij, kjo infrastrukturë, që mbizotëron sot në Laprakë, do të harrohet shumë shpejt. Zona ime ka vuajtur për ujë, për kanalizime, për infrastrukturë, probleme këto  që do të marrin zgjidhje pas datës 9 maj, me fitoren e dyfishtë, timen dhe të Lulzim Bashës. Me qenë se jemi te infrastruktura, me fitoren në 8 maj, së bashku me kryebashkiakun e ri, Lulzim Basha, kemi gati edhe zgjidhjen për zhvendosjen e hekurudhës, nga zona e banuar, si edhe për ndërtimin e dy nënkalimeve, përgjatë rrugës së Durrësit, që përshkon minibashkinë nr. 11. Duke qenë se edhe arsimi është një problem, jo i vogël, në territorin tonë do të ndërtohen 3 shkolla, 1 e mesme dhe 2 shkolla 9- vjeçare, të cilat do të zhbllokojnë punën me turne të shkollave, do të zhbllokojnë numrin e madh të nxënësve nëpër klasa dhe do të lehtësojnë qytetarët që të mos shkojnë nëpër shkollat e mesme të Tiranës me shumë shpenzime, qoftë edhe në kohë. Një problem tjetër i zonës time është punësimi që është një plagë shumë e madhe për të gjitha njësitë. Lulzim Basha mori përsipër hapjen e 30.000 vendeve të punës. Unë kam fatin e madh se një pjesë e investimit shumë madhor ndodh në territorin tim. Është unaza që do të bëhet e cila përfundon në një gjatësi të madhe në njësinë time. Kam shumë avantazh në këtë fushë sepse të gjitha bizneset janë në territorin tim, duke pasur parasysh hapësirën dhe daljen nga qyteti. Kjo natyrisht është një fushë në të cilën do të ketë shumë hapësira për punësim. Lehtësira që do t’u bëhet bizneseve, duke krijuar hapësira për mundësi dhe lehtësi për zhvillimin e bizneseve. Duke qenë se në zonën time janë zhvilluar biznese të vogla dhe të mesme unë vlerësoj që të gjitha taksat që do të ulen do të jenë me fat për këto biznese. Një problem tjetër i zonës time dhe në tërësi janë legalizimet të cilën zoti Basha e mori përsipër ta zgjidhë shumë shpejt, bashkë edhe me zgjidhjen e problemit të hipotekimit të pallateve, por edhe me zgjidhjen e problemit të strehimit.
   
Cilat janë pikat tuaja të forta në këtë rikandidim?
Pikat e forta të miat, janë rezultatet në 7 vitet që kam drejtuar këtë minibashki. Ne po luftojmë, po bëjmë përpjekje, që të fitojnë të dy kandidatët, Basha dhe unë. Duke pasur edhe qeverinë në krah mendoj se kjo treshe do të zgjidhë të gjithë problemet e njësisë bashkiake nr. 11, brenda këtij mandati. Infrastruktura mund të rregullohet brenda viteve të para, këtë gjë ia kam kërkuar dhe zotit Rama dhe nuk është realizuar por me zotin Basha është e sigurt se do të realizohet. Më mjafton të më japë 1/11 të buxhetit që më takon dhe unë mund ta përfundoj përmirësimin e infrastrukturës në këtë minibashki brenda dy viteve.

Sa besoni ju në fitoren tuaj dhe të kandidatit të “Aleancës së Qytetarit” për bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha?
Unë besoj 100 për qind në fitoren  e zotit Basha në këto zgjedhje. Fshati që duket nuk do kallauz. Lulzim Basha vjen në këtë garë me një përvojë mbresëlënëse. Ai realizoi rrugën e Kombit, futjen e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave që ishte një kërkesë prej një shekulli e shqiptarëve. Të gjitha këto u realizuan nën drejtimin e zotit Basha. Ai është shumë i besueshëm dhe kudo që shkojmë ne shohim ngrohtësinë e të gjithëve, duke parë edhe qëndrimin e përvojën e tij për 4 vjet, dhe mënyrën se si po bën fushatën, pjesëmarrjen në fushatë, mobilizimi e njerëzve etj. Në këtë njësi bashkiake, modeli me të cilin po punohet përkushtimi i vetë qytetarëve lë të kuptohet se vetë qytetarët e kërkojnë ardhjen e zotit Basha. Vlerësoj që me datën 9 maj zoti Basha do të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe këtë vlerësim e kam të palëkundur.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë zgjedhësit që do të votojnë me datë 8 maj për zgjedhjet lokale?
Mesazhi im për këto pak ditë që kanë mbetur është se banorët e njësisë bashkiake nr. 11, por edhe të gjithë Tiranës, të votojnë për mua dhe Lulaim Bashën. Vota për Bashën është votë për vetë qytetarët në radhë të parë është votë për Tiranën është votë edhe për mua si kryetar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›