E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e lehonës, vjehrra: Mjekët fajtorë, u kujtuan për të pasi vdiq

KORÇË -Erjola qe shëndoshë e mirë, po ma vdiqën mjekët gjatë lindjes. I lanë mitrën e çarë dhe ikën, u kujtuan kur ajo vdiq. Të dalë e vërteta, të shkojnë para drejtësisë se më lanë dy fëmijët jetimë. Mua nuk ma kthejnë më nusen, por shkaktarët të shkojnë në burg, në mënyrë që fatin e Erjolës të mos e kenë gra të tjera!". Kështu ka pohuar dje mes lotëve 69-vjeçarja Bukurije Dinoshi, vjehrra e 22-vjeçares që ndërroi jetë mëngjesin e ditës së premte të javës që kaloi, teksa lindi fëmijën e saj të dytë. Në intervistën e dhënë për "Gazeta Shqiptare", ajo shton se "jemi të varfër, por do marrim para borxh që shkaktarët të shkojnë prapa hekurave të burgut".
Akuzuat mjekët për vdekjen e Erjolës gjatë lindjes?
Nusja nuk më vuante nga asnjë sëmundje. Vajti mirë e bukur në dyert e maternitetit, por ata ma vdiqën. E lindi fëmijën dhe e lanë aty, ikën doktorët dhe infermierët. E lanë vetëm, kur vdiq u kujtuan. Këta janë mjekët e Korçës, (qan). Ne dëgjuam aty, në morg, ku u bë autopsia që nuses i kanë çarë mitrën, por ku ta gjejmë drejtësinë moj të keqen nëna. Këta mjekë e kanë rast të përsëritur. Mua më thanë derën, më vdiqën nusen nga pakujdesia.
Keni bërë denoncim?
Nuk kemi mundësi ekonomike të keqen nëna ku ta ndjekim, por borxh do marrim dhe rrugën ligjore do e provojmë edhe pse nuk kemi fare shpresa tek kjo drejtësi. Nuk është hera e parë me këta mjekë. Dhe ja ku janë, i vdesin vajzat e reja pa të keq, se janë të pakujdesshëm. Nuk kemi besim tek drejtësia. Për merak do e ndjekim çështjen.
Çështja është në hetim nga policia, ju ende nuk keni bërë denoncim?
Thash, me borxh do të kërkojmë të dalë e vërteta. Policia të bëjë punën e saj. Të flasin mjekët se ata e dinë mirë që shkaktarë janë ata që e lanë nusen ashtu pas lindjes. Ne, sot apo nesër do të bëjmë denoncimin tonë.
Pse akuzoni konkretisht mjekët?
E thashë më lart. Nusen e kishim mirë dhe bukur. Na bëri dhe kafen në mëngjes, para se të shkonte për të lindur. Doktorët na bënë gjëmën. I akuzojmë se jemi të bindur që ata janë fajtorët. Por e lanë, të keqen nëna, lindi dhe e lanë në sallë. Kur vdiq vajtën. Si mos kishte hemorragji ajo? Pastaj mjekët na treguan në morg, se ka çarje të mitrës.
U keni kërkuar mjekëve shpjegime?
U kërkuam, por fshihen. Hajde dhe gjeje të drejtën. Pastaj jemi të varfër kush na përfill ne. Vetëm shteti të veprojë, të gjendet e vërteta se nusja na vdiq nga doktorët. Për këtë jemi të sigurt. Vdes një në lindje, vdes një tjetër e asnjë në pranga! Po dale moj të keqen nëna se do vritemi kështu, se kur nuk vepron shteti do veprojmë ne.
Si është foshnja?
E çuam në maternitet sërish se është në gjendje të rëndë. E mbajnë me oksigjen, është shumë rëndë. Atje është djali... (qan sërish)…. Nëse i heqin oksigjenin vdes na thanë doktorët.
Çfarë kërkoni në këto momente?
Drejtësi. Të zbardhet ngjarja plotësisht. Autorët me hekura në duar. Na iku ne, mos ikin të tjera nëna. Se kështu do bëjnë prapë ata. Ishalla mjekët nga Tirana po nxjerrin të vërtetën. Ne jemi në pritje, me ankth jemi. Por nuk e fshehim të vërtetën, mjekët na e vdi-qën vajzën. Na la dy fëmijë jetim. Me se t'i rritim. Tmerr, tmerr. Ky është djali tjetër (fëmija që mban në krahë), është vetëm 3 vjeç, kërkon të ëmën. Çfarë ti them, ku di ai nga vdekja.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Korçë, foshnja e 22-vjeçares rëndë, pritet ekspertiza për vdekjen e nënës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›