E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e minatorit, METE: Po hetojmë për rastin

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar sot pas vdekjes së minatorit në minierën e Martaneshit. Në një deklaratë për mediat METE sqaron edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja e rëndë, ndërsa shton se lidhur me rastin është ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
 

“Sot rreth orës 10: 20 paradite, në Komunën Martanesh, Bulqizë, ka ndodhur një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës të të ndjerit Gani Doci, 63 vjeç, me profesion minator. Sipas të dhënave paraprake që METE disponon, i ndjeri ka humbur jetën ndërsa transportohej për në spital. Në çastin kur ka ndodhur ngjarja, një bllok minerali është shkëputur dhe e ka goditur të ndjerin në këmbë, ndërkohë që ai ishte duke punuar në galerinë, e cila administrohet nga Shoqëria Ylberi sh.p.k, me leje minerale nr.507.Me të marrë vesh lajmin, në vendngjarje janë nisur me urgjencë inspektorët e RISHM-it. Inspektorët e RISHM-it do të ndërmarrin një hetim të thellë me qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë” thuhet në deklaratë.
 

Duke u shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, METE thekson se është në ndjekje të plotë të kësaj situate dhe në të njëjtën kohë po bashkëpunon ngushtësisht me pushtetin vendor dhe me Policinë e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›