Vdekja e minatorit, prokuroria nis hetimet në vendngjarje
Aksidenti i ditës së mërkurë, i ndodhur në stoqet e kromit, jashtë minierës së Bulqizës, ku u aksidentua me pasojë humbjen e jetës 40-vjeçari Nevruz Gjoka, duke lënë tre fëmijë jetimë, pa asnjë lloj të ardhure, ende nuk është zbardhur nga organet hetimore. Nga burime të sigurta u mësua se inspektorët e RISHM-it, repart i specializuar për zbatimin e kushteve të sigurisë në punë në miniera, e ka vlerësuar këtë aksident, si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik dhe projekteve teknike në punë. Ndërsa burime nga Prokuroria Dibër bëjnë me dije se deri më tani janë marrë në pyetje nga policia gjyqësore e kësaj prokurorie drejtuesi teknik i firmës private ku punonte viktima, Nexhmedin Marku dhe presidenti i firmës, D. Duriçi. Po sipas këtyre burimeve, grupi hetimor për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, vazhdon punën, duke mos dhënë detaje të tjera për ecurinë e mëtejshme të këtyre hetimeve. Aktualisht situata e shfrytëzimit të galerive të rihapura dhe stoqeve të kromit, në minierën e Bulqizës, mbetet një problem tejet shqetësues. Shqetësimi më shumë se me aktivitetin e jashtëligjshëm ekonomik, lidhet me kushtet e sigurisë teknike, pasi veprimet kryhen nga njerëz pa përvojën e duhur në aktivitetet minerare. Madje, aksidentet në këtë minierë kanë treguar se shkelje flagrante të rregullave të sigurimit teknik ka pasur edhe në subjektet e licencuara për shfrytëzimin e mineralit të kromit, gjë që vë në dyshim licencimet e dhëna nga METE. Situata bëhet edhe më alarmante po të kemi parasysh faktin se informaliteti ka përfshirë edhe rihapjen e shumë punimeve, që kanë qenë të mbyllura për efekt sigurie.