E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta në Superiore, përfundon ëndrra e Burrelit

Teuta siguron qëndrimin në Kategorinë Superiore. Verdikti është dhënë dje pas sfidës së "play-out"-it që durrsakët fituan 2-1 me Burrelin (të katërtin e klasifikuar në Kategorinë I). Rrjeta e realizuar me penallti nga Hodo në kohën shtesë rezultoi vendimtare për bregdetarët. Ndërkohë, për klubin matjan, futbollistët dhe tifozët në "Qemal Stafa" mbeti vetëm zhgënjimi për një ëndërr që ishte fare pranë realizimit. Ashtu si një finale e vërtetë, takimi nuk ka kaluar në qetësi dhe dëshira e të dyja skuadrave për të luajtur në elitën e futbollit në vend shkaktoi jo pak tension në fushë. Gjithçka ka arritur kulmin në minutën e 113-të të takimit (e 23-ta nga 30 minuta të kohës shtesë), kur portieri i Burrelit, Haxhia frenon në mënyrë të parregullt në zonë Çotën. Gjyqtari Sokol Jareci akordon 11-metërsh dhe largon "gardianin" nga fusha me karton të kuq. Protestave të lojtarëve matjanë për këtë vendim, i shtohen tifozët e shumtë që kishin "zbarkuar" në Tiranë, ndërkohë që as drejtuesit e klubit nuk arritën të ruajnë qetësinë. Presidenti Koliqi i ka kërkuar skuadrës të largohet nga fusha në shenjë proteste, por futbollistët nuk i janë bindur udhëzimit, që mund të kishte sjellë penalizime të forta për klubin. Pas disa minutave ndërprerje, ku forcat e rendit kishin rrethuar stolin e Burrelit, për të evituar përplasjet, ndërkohë që disa policë hynë në fushë për të larguar nga "bilbili" Jareci lojtarët që protestonin, ekzekutimin e penalltisë e merr përsipër Hodo. Topi fillimisht përplaset në shtyllë, duke mbajtur në ankth për disa të dhjetat e sekondës të pranishmit (Teutës i kalon përpara syve rënia një kategori më poshtë, ndërsa Burreli ëndërron për shansin që të militojë mes skuadrave më të mëdha në vend). Megjithatë, mesfushori durrsak është me fat, sfera përfundon në rrjetë dhe "Djemtë e Detit" sigurojnë një mbijetesë të vuajtur për 34 ndeshje me radhë.

Më parë gjatë ndeshjes, Teuta kishte kaluar në avantazh me golin e Dushkut, që përshëndet rrjetën vetëm shtatë minuta pas fërshëllimës së fillimit të takimit. Edhe pse u krijua iluzioni i një fitoreje të lehtë, të besuarit e Kristaq Miles kanë vuajtur, të penalizuar më shumë nga lodhja fizike. Nga ana tjetër, entuziazmi i Burrelit ka shërbyer për ta bërë ndeshjen spektakolare: ata barazuan shifrat në minutën e 94-ët, kur kishin mbetur vetëm pak sekonda nga përfundimi i kohës shtesë, falë mbrojtësit shtatlartë Xhixha. Impenjimi i matjanëve është vlerësuar maksimalisht edhe nga drejtuesi i stolit të Teutës. "Vuajtëm shumë për të siguruar qëndrimin në Superiore, tha tekniku Mile. Arritëm të shënonim një gol të shpejtë, por paraqitja jonë është kondicionuar nga mungesa e freskisë fizike. Dëshiroj të përgëzoj Burrelin, që me kapitenin e tyre, Xhetani, në krye zhvilluan një ndeshje të madhe". Mes zhgënjimit për shansin e humbur, presidenti i matjanëve, Koliqi, tha: "Më vjen keq për investimet e mia, por do vazhdoj të jem president i skuadrës". Sot në fushë, për vendin e fundit në sezonin 2008/‘09 në Superiore zbresin Kastrioti dhe Lushnja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›