E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e nënës 22-vjeçare në maternitet, mbeten të paqarta rrethanat

Prokuroria do të presë raportin e mjekësisë ligjore, për të parë nëse do të ngrejë apo jo akuzë mbi rastin e vdekjes së gruas disa orë pas një lindjeje normale

Korçë- Prokuroria do të ketë në fillimjavë një raport të qartë të asaj që i ka ndodhur nënës 22-vjeçare në maternitetin e Korçës, e cila humbi jetë dy ditë më parë pas një lindjeje normale, ndërsa ende nuk ka akuzë për këtë rast.

Pas autopsisë që ka përfunduar gjatë orëve të vona të natës së kaluar, trupi i pajetë i gruas vetëm 22-vjeçare u është dorëzuar familjarëve të saj, ndërkohë policia lokale ka nisur hetimet dhe ka bërë marrjen në pyetje të personelit mjekësor që u kujdes për të, ndërsa një ekip nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka udhëtuar nga Tirana për të hetuar ngjarjen.

Hetimet filluan menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e të premtes në maternitetin e Korçës, ku një nënë e re 22-vjeçare humbi jetën tragjikisht, disa orë pasi kishte sjell në jetë foshnjën e saj. Lidhur me dyshimet e policisë dhe pretendimin e familjarëve të viktimës 22-vjeçare Erjola Dinoshi, për një mjekim të pakujdesshëm, një ekip mjekësh specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore nga Tirana kanë mbërritur në Korçë për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Ata do të hartojnë një raport të posaçëm për shkakun e vdekjes së 22-vjeçares fatkeqe, e cila është shtruar në maternitetin juglindor për të sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, madje në një lindje tejet normale. Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, mësohet se raporti i autopsisë do të dorëzohet në fillimjavë në organin e akuzës. Kaq kanë deklaruar mjekët e ardhur nga kryeqyteti, të cilët janë larguar nga Korça vetëm gjatë mëngjesit të së shtunës.

Ndërkohë trupi i pajetë i nënës së re që ka sjellë në jetë një fëmijë djalë është përcjellë gjatë të shtunës për në banesën e fundit, por ende nuk është zbardhur motivi i vdekjes së saj. Hetimet janë përqendruar në pistën e një vdekjeja për shkak të pakujdesisë, teksa në momentet e para familjarët kanë pretenduar se u është kërkuar ryshfet. Niko Gurllari ka qenë mjeku gjinekolog që është marrë me trajtimin mjekësor të gruas së re që ka patur një lindje normale, madje pas saj ajo ka komunikuar me familjarët me te cilët është takuar dhe vetëm mëngjesin e të premtes ka vdekur. Drejtuesit e spitalit rajonal të qytetit juglindor menjëherë pas vdekjes deklaruan se vajza pati një hemorragji dhe humbi ndjenjat gjatë lindjes. Ndërkohë priten rezultatet e ekspertizës për të qartësuar shkaqet e ngjarjes së rëndë, nëëbazë të së cilës do të përcaktohet nëse ka apo jo një vepër penale për këtë rast. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›