Moti i keq, vonesa të trageteve dhe rrugë të bllokuara
Situata është përmirësuar dje, por mjaft rrugë mbeten të pakalueshme ose kalohen me vështirësi. E pakalueshme edhe rruga për në Kapshticë
Moti i keq ka vonuar një pjesë të mirë të linjave detare nga Vlora dhe Durrësi, ndërsa mjaft rrugë në vend janë bllokuar plotësisht ose pjesërisht nga dëbora. Ngricat dhe reshjet që kanë vazhduar pjesërisht edhe gjatë ditës së djeshme, kanë sjellë probleme edhe me energjinë elektrike që është ndërprerë në disa zona për shkak të defekteve. Qarqet më problematike kanë qenë ato me zona të thella malore, të cilat janë izoluar nga dëbora.
Shkodër
Reshjet e dëborës të rëna gjatë tri ditëve të fundit në territorin e Shkodrës kanë krijuar probleme në lidhje me qarkullimin në disa prej zonave të thella malore. Burime zyrtare nga Prefektura e Qarkut Shkodër bëjnë të ditur se edhe gjatë 24 orëve të fundit kanë vijuar reshjet e dëborës, kryesisht në zonat malore të qarkut. Për rrjedhojë, ka patur probleme të qarkullimit në zonat e Iballës dhe të Kërrabës në rrethin e Pukës, në Malin e Shoshit të rrethit Shkodër dhe në aksin e Qafë Thores dhe Vermosh të rrethit Malësi e Madhe. Burime nga prefektura bëjnë të ditur se edhe pse niveli i dëborës në disa zona ka shkuar deri në një metër trashësi, falë punës së mirë që po bëhet nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve në bashkëpunim me struktura të tjera të shtabit të emergjencës civile pranë prefekturës Shkodër, të gjitha rrugët nacionale të qarkut Shkodër janë të kalueshme.
Komunat
Në Bulqizë janë të bllokuara komunat Ostren e Trebishtë si edhe disa fshatra të Martaneshit. Ndërsa në aksin Fushë Bulqizë-Qafë Bualli është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve. Në qarkun e Dibrës ka patur probleme në furnizimin me energji elektrike. Ngricat kanë bërë të pakalueshëm aksin Peshkopi-Librazhd, ndërsa të bllokuara janë komunat Lurë, Kalaja e Dodës dhe Sllova. Në Gjirokastër mbetet e bllokuar komuna Frashër, ndërsa në komunat Pogon e Zagorie të Gjirokastrës, lëvizja kryhet me zinxhirë. Reshjet e dëborës të rëna gjatë orëve të natës së djeshme kanë bërë që pika doganore e Kapshticës të bllokohet gjatë gjithë ditës. Autoritetet kufitare raportojnë se bora ka bllokuar aksin rrugor Kapshticë-Kozanë, ndërkohë që nuk lejohet kalimi i kamionëve dhe autobusëve. Në pikën doganore të Kapshticës lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve të vogla dhe për këtë është e nevojshme pajisja me zinxhirë. Ngricat kanë vështirësuar qarkullimin edhe në aksin Korçë-Kapshticë, në Qafën e Qarrit, Qafën e Llogarasë si edhe në Voskopojë.
Portet
Rreth 6 tragete me 600 pasagjerë janë nisur që mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësi drejt Italisë, por koha e keqe ka sjellë vonesa në oraret e mbërritjes në destinacion të udhëtarëve. Autoritetet portuale bëjnë me dije se deti është 8 deri në 9 ballë dhe situata nuk ishte përmirësuar deri në mbrëmje vonë. Në Vlorë situata gjatë mëngjesit të djeshëm ishte më e qetë, ndërsa udhëtimet e shtyra janë kryer, edhe pse me vonesa. Ndërkohë masat e marra kanë bërë që situata të kalojë pa probleme të mëdha.