Berisha: Pensionet, nga 100 dollarë do të bëhen 100 euro
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë shumë shpejt vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve për rreth 800 mijë shqiptarë. Pensionet në fshat pritet të rriten me 15 për qind, në qytet 10 për qind, ndihmat ekonomike me 10 për qind, rrogat e arsimtarëve 14 për qind, për infermierët 14 për qind, për rrogëtarët e përgjithshëm 7 për qind. Kjo është tabloja e pagave të reja që përfshirë edhe indeksimin e rritjes së çmimeve do të ndihet shumë pak në xhepat e shqiptarëve. Kryeministri bëri të ditur se sipas këtij vendimi, "pensionet në fshat për këtë vit do të rriten me 15 për qind, ndërsa në qytet do të rriten me 10 për qind, duke e çuar pensionin në qytet, jo 100 dollarë siç ishte premtuar nga qeveria, por 100 euro, duke filluar nga data 1 korrik". Ndërsa rrogat e larta do të përfitojnë një shtesë prej 4 përqindësh. "Por qeveria është e detyruar të mendojë edhe për rrogë-ulëtit e sektorit privat, ndaj ajo shpall vendimin që, nga data 1 korrik e tutje, nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ndërhyrje në sektorin privat, por rroga minimale e vendit është një detyrim", theksoi Kryeministri. Qeveria, pas studimeve të bëra për 520 mijë pensionistë në vend, do të vendosë që për pensionin minimal në fshat, për rreth 170 mijë pensionistë, pension i cili është tashmë rreth 63 mijë lekë, të ketë një rritje prej 15 përqindësh, për të kompensuar inflacionin dhe realizuar rritjen e tyre. Do të jenë pensionistët e fshatit ata që do të përfitojnë rritjen më të madhe të bërë nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i qeverisë pritet të miratohet brenda muajit qershor dhe duke filluar nga 1 korriku do të jenë 800 mijë shqiptarë që do të përfitojnë nga ky vendim. Për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, pra për rreth 44 mijë arsimtarë, këtë vit do të ketë një rritje prej 14 përqindësh të rrogës së tyre dhe pjesa tjetër e rritjes do të jetë vitin tjetër, duke garantuar kështu dyfishimin, brenda mandatit qeverisës të Partisë Demokratike. "Mësuesi që merrte 200 mijë lekë rrogë do të marrë 400 mijë lekë në mbyllje të mandatit tonë të parë", tha Berisha. Kryeministri theksoi se "ata që u përpoqën të mashtrojnë muaj me radhë qytetarët shqiptarë se nuk do ketë rritje rrogash a pensionesh, tani do fillojnë t‘u bien sirenave se gjoja qeveria po ndërhyn në sektorin privat. Por ky vendim është universal dhe është e vetmja mënyrë", shtoi ai, duke kërkuar që rroga më e ulët në sektorin privat të jetë 170 mijë në muaj. "Rikujtoj këtu se inflacioni i muajit që shkoi ishte rreth 4.2 për qind, pra vihet re tendenca e uljes tani dhe pritet të ulet edhe më tej. Por, pavarësisht nga kjo, ne vendosëm të ndërmarrim rritjen më të madhe të pagave, të pensioneve, një rritje më e madhe se në çdo vend tjetër", vijoi ai.