E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e punëtorit, në hetim tekniku i mesëm

DURRËS/ Kristo Biba është shpallur në kërkim pasi dyshohet si fajtor për vdekjen e punëtorit Ismet Jaupi

DURRËS- Vdekja “aksidentale” e një punonjësi në ndërtimin e një banesë në plazhin e Durrësit ka vënë në hetim teknikun e mesëm të objektit. Ismet Jaupi, 45 vjeç, ka rënë nga pallati gjatë punës dhe për këtë gjë është cilësuar fajtor tekniku. Por ky i fundit është zhdukur pa lënë gjurmë kur policia ka shkuar ta arrestojë. Tashmë Kristo Biba, është shpallur person në kërkim nga ana e policisë lokale.

Ismet Jaupi ka gjetur vdekjen në sallën e operimit vetëm pak minuta pasi është lënë në spital nga disa persona të pa njohur. Burime të spitalit pohuan se ai është transportuar në urgjencë nga një makinë dhe mjekëve u është thënë vetëm që kishte pësuar aksident në punë. Pas kësaj makina që ka sjellë të plagosurin është larguar me shpejtësi. Nisur nga gjendja tepër kritike, kirurgu Shkëlqim Ferko dhe reanimatori Bilal Mema kanë vënë në funksion sallën e operimit. Bluzat e bardha i kanë dhënë gjak e serum por gjithçka ka qenë e pamundur për 45- vjeçarin deri në atë moment ende të paidentifikuar. Ai vdiq 20 minuta më pas.

Policisë i është dashur më shumë se tre orë kohë për të identifikuar viktimën si dhe vendin ku ka ndodhur aksidenti, pasi urgjenca nuk ka mundur të mësojë as emrin e punëtorit që ka rënë nga lartësia e një ndërtese dhe as vendin ku kishte ndodhur ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen. Nga hetimet e policisë është mësuar se punëtori ka rënë fillimisht në ballkonin e katit të katër të godinës karabina gjashtëkatëshe dhe që aty në tokë. Ismet Jaupi kishte disa vite që punonte në firmat e ndërtimit por ai rezulton të jetë i pasiguruar. Policia dyshon se shkak për këtë aksident nuk ka qenë pakujdesia e punëtorit por mosmarrja e masave për sigurinë në punë. Nga ana tjetër, policia do të hetojë edhe lidhur me arsyet e braktisjes së punëtorit që vdiq në sallën e operimit. Largimi i punëtorëve ka hedhur dyshime të forta dhe një nga pistat e hetimit thuhet se është edhe ajo e pakujdesisë së treguar nga të tjerë të cilët mund të kenë hedhur me apo pa dashje viktimën nga kati i shtatë. Gjatë këtij viti pesë njerëz kanë vdekur në aksidente në punë dhe në të gjitha rastet rezulton se viktimat kanë qenë të pasiguruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›