Policia, nën hetim për arratisjen e kirurgut
TIRANË- Arratisja e kirurgut Ardian Nelaj nga banesa ku duhej të qëndronte në zbatim të masës së sigurisë arrest shtëpie, ka bërë që prokuroria të nisë hetimet ndaj policisë. Kjo e fundit akuzohet se nuk ka zbatuar detyrën për të mbajtur të pandehurin në banesë, ashtu siç kishte vendosur gjykata pak ditë më parë. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare të njësisë së task-forcës kundër krimit ekonomik pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët shtuan se arratisja e kirurgut Nelaj ka ardhur nga neglizhenca e policisë, konkretisht të Komisariatit nr.1 të kryeqytetit.
Por burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Tiranë kanë mohuar përgjegjësinë e tyre në ngjarje duke u shprehur se askush nuk i ka thënë të ruajnë kirurgun e akuzuar për korrupsion. “Policisë së Shtetit nuk i është kërkuar të ruajë shtetasin Ardian Nelaj me banim në rrugën “Hoxha Tahsim” në kryeqytet dhe për këtë fakt nuk është përgjegjësia jonë. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk na ka ardhur neve, që të marrim masa për ruajtjen e tij në banesë për 24 orë në ditë. Ndërsa, vendimi i Gjykatës së Apelit që është dhënë të martën që kaloi, na ka ardhur në zyrë në ora 16:00 pasdite që menjëherë kemi shkuar ta ekzekutojmë, por që nuk e kemi gjetur në banesën ku jeton dhe banon familja e tij. Pas kësaj, kemi marrë masa duke lajmëruar në të gjithë pikat e kalimit kufitar dhe e kemi vendosur në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarë”,- thanë zyrtarët e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet. Por, përkundër këtyre pretendimeve, institucioni i akuzës ka hapur një procedim penal për të verifikuar përgjegjësinë e personave që falë neglizhencës së tyre, kirurgu Nelaj ka mundur të arratiset.
Sipas prokurorisë, në ditët në vazhdim do t’i dërgohet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë një relacion i hollësishëm për disa gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që me vendimet e tyre të padrejta kanë vendosur lënien të lirë të tre doktorëve Kastriot Dautaj, Agim Karaj dhe Ardian Nelaj, ky i fundit tashmë i arratisur falë këtyre vendimeve që e kanë lënë atë në “arrest shtëpie” edhe pse prokuroria e akuzon për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”. Sipas akuzës, ka qenë pikërisht gjyqtari Martin Deda i cili në vendimin e datës tre nëntor ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për izolimin e kirurgut Nelaj në qelinë e paraburgimit, duke e lënë atë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Vendim ky që të martën e kaluar u prish nga Gjykata e Apelit e cila vendosi të rikthejë në qeli kirurgun Nelaj por që falë pakujdesisë së policisë ai ka mundur të arratiset.
Sipas prokurorisë, gjyqtari Deda përveç lirimit të tij nga qelia, nuk ka kërkuar me vendim që kirurgu Nelaj të ruhet në shtëpi me efektivë të policisë. Mjeku Nelaj pasditen e 30 tetorit është arrestuar në zyrën e tij që ndodhej në Qendrën Spitalore të Burgut në Tiranë, pak minuta pasi ka dalë nga operacioni i një të dënuari dhe si formë shpërblimi i ka “kërkuar” nga familjarët 20 mijë lekë të reja. Lekë këto të cilat u sekuestruan në momentin e arrestimit nga policia, por që kirurgu Nelaj ka pretenduar se “para nuk i ka kërkuar asnjë pacienti deri më tani për punën që bënte”.