Vdekja e ushtarëve turq, Thaçi ngushëllon Erdogan

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e vdekjes tragjike të ushtarëve turq në Afganistan.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e rrëzimit të helikopterit ushtarak në Afganistan, ku humbën jetën ushtarë turq. Ushtarët që e humbën jetën vdiqën heroikisht, për vlerat e çmuara të botës së civilizuar. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, popullit mik turk dhe qeverisë turke i shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
12 ushtarët turq gjetën vdekjen paraditen e sotme, gjatë rrëzimit të helikopterit ushtarak turk, afër kryeqytetit Kabul në Afganistan. Nuk është i qartë shkaku i përplasjes së helikopterit, por zyrtarët kanë thënë se shkak mund të jetë një defekt teknik. Turqia ka më tepër se 1800 ushtarë që shërbejnë në Afganistan, në kuadër të forcës ndërkombëtare, që udhëhiqet nga NATO-ja.