Alarm i rremë, prangoset nxënësi
Një telefonatë anonime ka tmerruar nxënësit dhe mësuesit e shkollës industriale "Ali Myftiu" në Elbasan. Telefonata anonime e bërë në sallën operative të policisë ka njoftuar për një bombë të vendosur në këtë shkollë, çka ka bërë që policia të evakuojë të gjithë nxënësit dhe mësuesit në pak minuta dhe të rrethojë godinën shkollore me shirita. Specialistëve të policisë u janë dashur dy orë hetime për të përcaktuar nëse telefonata ishte e rremë apo diku fshihej një bombë. Ndërkohë është mësuar se "loja" për bombë ishte bërë nga një grup të rinjsh, thjesht për të qëndruar disa orë pushim në mjediset jashtë shkolle. Sipas burimeve të policisë është identifikuar telefonata në sallën operative dhe shpejt janë grumbulluar të gjithë celularët e një klase të vitit të tretë të kësaj shkolle, nga ku mendohej se ishte bërë lajmërimi i rremë. I njëjti burim konfirmon se nuk është dashur shumë kohë për të identifikuar edhe poseduesin e telefonit, i cili është shoqëruar në polici. Burime konfidenciale të policisë bëjnë të ditur se telefonuesi ishte nxënës i rregullt dhe me rezultate të larta në mësime, por ishte nxitur nga shokët e tij për të bërë një lojë të tillë.