“Vdekja e vajzës, për faj të mjekimit”
Trazhgim Sokolaj
Vdekja e 17-vjeçares Matilda Petriti, një muaj pas operacionit në bajame, duket se do të çojë para drejtësisë tre mjekë të dyshuar për shkaktimin e ngjarjes tragjike. Në pritje të raportit përfundimtar të autopsisë për shkakun e vdekjes së adoleshentes, prokurorët e Tiranës kanë kryer veprime procedurale të cilat hedhin dyshime të forta mbi dy mjekë të tjerë, veç Xhevahir Hoxhallarit, i cili ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në bajamet e 17-vjeçares. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit bënë me dije se, veç doktorit Xhevahir Hoxhallari, që ka operuar bajamet e vajzës së vdekur, edhe dy mjekë të tjerë janë marrë në hetim për akuzën e “mjekimit të gabuar”. Ata ndodheshin në shërbim në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi kishin turnin mbrëmjen e së shtunës së 26 prillit 2008, në momentin kur vajza 17 vjeçe mbërriti në gjendje të rëndë. Sipas Prokurorisë, këta dy mjekë, dyshohet se nuk kanë kryer ekzaminimet e duhura për të mësuar gjendjen e vërtetë kritike në të cilën ishte vajza vetëm pak orë para se të ndahej nga jeta. Një fakt i tillë konfirmohet nga dëshmitë e mjekëve që kanë trajtuar vajzën, por edhe nga dokumentacioni i veprimeve që janë bërë me 17-vjeçaren. Shkresat u sekuestruan në spital nga prokurorët e çështjes menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më 28 prill. Hetuesit thonë se, vajzës nuk i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Mjekët dyshohet se e kanë bërë këtë për të mbrojtur kolegun e tyre që kishte operuar më parë bajamet e vajzës. “Nëse do të ekzaminonin gjendjen e viktimës, mjekët mund të merrnin masa që do të shmangnin vdekjen e 17-vjeçares”, thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, vajzës i është bërë një verifikim sipërfaqësor dhe më pas ajo është shtruar në QSUT pa marrë ndonjë masë specifike për këtë rast. Nga të dhënat e hetimit, ka rezultuar se pasi kishte mbërritur në spital të shtunën më 26 prill, vajza ishte shtruar por nuk ishte mbajtur në mbikëqyrjen e nevojshme për shkak të mungesës së mjekëve nga dita e pushimit.
Hetim tre mjekëve
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ka përfunduar raportin e autopsisë për shkakun e vdekjes së Matilda Petritit. Raporti i mjekëve ligjorë mësohet se do të dërgohet ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës, në adresë të grupit hetimor që po heton vdekjen e vajzës. Paraprakisht mjekët ligjorë kanë arritur në përfundimin se, vdekja e vajzës ka ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara të bluzave të bardha në momentin e operacionit e më pas, mosdhënies së mjekimit të duhur. Mjeku që ka kryer operacionin në bajamet e viktimës ka qenë në hetim që kur u akuzua nga prindërit e Matilda Petritit, menjëherë pas vdekjes së saj. Tani në hetim janë marrë edhe dy mjekët e turnit, të cilët dyshohet se nuk ekzaminuan gjendjen e pacientes duke mos kuptuar rrezikun e gjendjes në të cilën ndodhej ajo kur mbërriti në QSUT në Tiranë. Matilda Petriti vdiq si pasojë e prerjes së një vene në zonën e qafës, gjatë operacionit në klinikën mjekësore të Xhevahir Hoxhallarit në Pogradec. Pas kësaj ndërhyrjeje kirurgjikale që vajza ka kryer për të hequr bajamet, 17-vjeçarja ka pasur në mënyrë të vazhdueshme temperaturë dhe hemorragji. Për këtë shkak, më 24 prill ajo është dërguar nga Pogradeci në spitalin e Korçës për trajtim më të specializuar pasi gjendja nuk po stabilizohej. Adoleshentja është mbajtur vetëm një ditë në këtë spital, pasi mjekët i kanë rekomanduar dërgimin në Tiranë. Megjithatë që në kohën e qëndrimit të Matildës në spitalin e Korçës, qëndrimi i mjekëve ka qenë i dyshimtë. Pas vdekjes së vajzës, drejtues të spitalit në Korçë thanë se pacientja ishte nisur në gjendje pa rrezik për në Tiranë duke mos argumentuar fare se nëse gjendja e vajzës ishte normale, atëherë dërgimi në kryeqytet nuk ishte i nevojshëm. Megjithatë mjekët e Korçës siç duket për të mbrojtur kolegun e tyre Xhevahir Hoxhallari janë shprehur se, ai kishte kryer gjithçka në rregull gjatë operacionit të realizuar në klinikën e tij në Pogradec. Sipas kolegëve të mjekut nën hetim, ai nuk e kishte ditur se enët e gjakut të Matilda Petritit në zonën e grykës ishin aq delikate sa të dëmtoheshin gjatë operacionit në atë mënyrë që të shkaktonin më pas hemorragji të vazhdueshme.
Operacioni
Rreth 45 ditë më pas, pas shqetësimeve të vazhdueshme si temperatura dhe dhimbjet e grykëve, prindërit e Matilda Petritit kanë vendosur ta operojnë atë në klinikën e Xhevahir Hoxhallarit për heqjen e bajameve. Vajza i është nënshkruar ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën e këtij mjeku, e cila ndodhet në Pogradec. Pas operacionit, 17-vjeçarja ka pasur komplikacione si temperaturë e vazhdueshme dhe hemorragji. Pas këtyre problemeve, mjeku Hoxhallari duket se ka hapur sërish bajamet e vajzës dhe ka tentuar disa herë të qepë venën e dëmtuar gjatë operacionit të parë. Dëmtimi duket se ka qenë i pakthyeshëm dhe si rrjedhim gjendja e vajzës ka ardhur në acarim derisa ajo u dërgua në spitalin e Korçës.
Mjekimi
Më 26 prill 2008, Matilda Petriti është dërguar në spitalin e qytetit të Korçës, pasi gjendja e saj ishte përkeqësuar. Ajo ka pasur hemorragji deri në atë masë saqë mjekët e kanë parë të nevojshme ta furnizojnë me gjak. Pas qëndrimit njëditor në spitalin e Korçës, Matilda Petriti është nisur me urgjencë në drejtim të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, spitali francez. Pavarësisht faktit se vajza ka qenë në gjendje të rëndë dhe nisja e saj është kryer me urgjencë, mjekët e qytetit të Korçës janë shprehur se, Matilda Petriti ka qenë në gjendje normale në momentin kur është nisur për në Tiranë. Një veprim i tillë ashtu si mosekzaminimi i plotë në QSUT dyshohet se është bërë për të mbrojtur Xhevahir Hoxhallarin.
Vdekja
Vetëm 24 orë pasi kishte mbërritur në Tiranë, Matilda Petriti ka gjetur vdekjen në spitalin qendror universitar "Nënë Tereza". Ajo u nda nga jeta të dielën, më 28 prill 2008 dhe në momentin kur vdiq, mësohet se kishte plot katër orë që nuk ishte vizituar apo verifikuar nga asnjë mjek për shkak të numrit të tyre në vogël në shërbim nga dita e pushimit. Menjëherë pas vdekjes së vajzës, prindërit por edhe të afërmit e saj hodhën akuza në drejtim të mjekëve. Ata akuzuan mjekun Xhevahir Hoxhallari si kishte kryer operim të pakujdesshëm për vajzën e tyre, të cilës i kishte prerë venën dhe si rrjedhim i kishte shkaktuar hemorragji të vazhdueshme deri në atë masë saqë mpiksja dhe humbja e gjakut ka shkaktuar vdekjen.
“Tre mjekët rrezikojnë pezullimin nga detyra”
TIRANE – Luan Adili, daja i Matilda Petritit pretendon se javën e kaluar ka marrë dy telefonata kërcënuese nga persona të panjohur. Sipas tij, telefonuesit i kanë kërkuar atij dhe familjes së vajzës 17-vjeçare të tërheqin denoncimin që kanë bërë ndaj mjekëve pas vdekjes së adoleshentes. “Tërhiqeni denoncimin që keni bërë ndaj mjekëve, ndryshe do t`ju zhdukim të gjithëve”, kanë qenë fjalët kërcënuese që i kanë mbërritur në telefon dajës së Matilda Petritit. Familja e saj lajmëroi menjëherë policinë e Korçës, e cila filloi hetimet pavarësisht se të afërmit e vajzës nuk ishin dakord për këtë duke u mjaftuar të kërkonin vetëm mbrojtje nga autorët e kërcënimeve. Pas marrjes së denoncimit nga prindërit e vajzës, prokurorët e Tiranë verifikuan nga afër klinikën e mjekut Xhevahir Hoxhallari në Pogradec. Hetuesit sekuestruan të gjitha dokumentet që u gjetën aty dhe më pas verifikuan edhe kushtet e klinikës pasi dyshohej se ato nuk ishin të përshtatshme për kryerjen e ndërhyrjeve që realizonte mjeku Xhevahir Hoxhallari. Ministria e Shëndetësisë, megjithatë ka mbrojtur mjekët duke thënë se, klinika e Xhevahir Hoxhallarit në Pogradec, ka qenë në gjendje të përshtatshme dhe se ishte kontrolluar disa herë për këtë qëllim. Prokuroria e Tiranës mund të kërkojë pezullimin nga detyra për tre mjekët në hetim. t.s