E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangosen dy biznesmenët për tenderin 50 milionësh

Dy biznesmenë nga Tirana dhe Kavaja, u arrestuan dje në mesditë, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, firmave, vulave dhe bilanceve tregtare.

Dashamir Biçaku

Ismail Stafa, 42 vjeç pronar i subjektit “Ndrepre” nga Tirana dhe Ardian Arkaxhiu, 33 vjeç, banues në Kavajë, administrator i “Ma Co” kanë rënë në pranga pasi akuzohen se kanë falsifikuar bilancet e dy firmave të tyre. Dokumentet e falsifikuara personat i kanë përdorur për të marrë pjesë në një tender për ndërtimin e një rezervuari në Kavajë. Po kështu sipas policisë, ata dyshohet se veç bilanceve, kanë falsifikuar edhe faturat e pagesave të detyrimeve tatimore dhe të detyrimeve të tjera shtetërore, të cilat nuk i kishin përmbushur. Të gjitha dokumentet përkatëse përveç se kishin të dhëna të pavërteta në shifrat e bilanceve dhe pagesave, kanë pasur në fund të tyre edhe firmat e falsifikuara të drejtorëve të Tatimeve të Kavajës dhe të Tiranës. Dokumentet e falsifikuara nga personat e arrestuar, janë bllokuar nga policia pas një tenderi të organizuar nga Ministria e Bujqësisë për ngritjen dhe rehabilitimin e disa rezervuarëve për ujitje në Kavajë, si dhe sistemin e ujitjes në këtë zonë. Firmat e dy të arrestuarve nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara janë regjistruar si pjesëmarrës në tender duke përmbushur fiktivisht kushtet e kërkuara. Madje ata kanë mundur të kualifikohen falë dokumenteve false që kishin paraqitur në Ministrinë e Bujqësisë në bazë të një projekti për ujitjen të organizuar nga ky dikaster. Pasi janë kualifikuar në raundin e parë, për firmat e Arkaxhiut dhe të Stafës, është menduar se ishte hapur rruga për të fituar tenderin. Faza kualifikuese ka përfunduar dhe Ministria e Bujqësisë ka nisur verifikimet për secilin prej subjekteve konkurruese në tenderin me vlerë 50 milionë lekë të reja. Gjatë verifikimeve të kryera, Ministria e Bujqësisë, ka vërejtur se disa prej të dhënave të subjekteve të Arkaxhiut dhe Stafës, ishin të rreme. Kështu bilanci, ishte zmadhuar disa herë më tepër dhe detyrimet tatimore rezultonin të ishin të falsifikuara. Ky fakt ka nxitur specialistët e Ministrisë së Bujqësisë të kërkojnë ndihmën e efektivëve të Policisë së Shtetit. Nuk është dashur shumë kohë që ata të kuptojnë se gjithçka ishte e manipuluar dhe grafika e firmave nuk ishte e njëjtë. Me kaq ka nisur hetimi dhe dje paradite, një prokuror i zyrës së Task-Forces, së Prokurorisë së Tiranës, ka kërkuar nga një gjykatës i gatshëm firmosjen e urdhërarresteve. Pas miratimit të tyre, prokurori i ka dërguar ato në policinë e Tiranës për ekzekutim. Fillimisht blutë kanë arrestuar në banesën e tij, në Kombinat, Ismail Stafën. Më pas është arrestuar në qytetin e Kavajës Ardian Arkaxhiu. Atyre iu janë komunikuar akuzat e falsifikimit të firmave dokumenteve, formularëve dhe vulave. Po ashtu ata akuzohen se edhe për falsifikim të bilanceve tregtare të kompanive që drejtoheshin prej tyre. Pas zbulimit të rastit të fundit të falsifikimeve të dokumenteve të tenderëve, policia ka nisur hetimin edhe për tenderë të tjerë, në të cilët kanë marrë pjesë subjektet e dy të arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›