Dy aksidente në Elbasan, 1 i vdekur e 5 të plagosur
ELBASAN-Një i vdekur dhe 5 të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të regjistruara dje në Elbasan. Aksidenti me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari u regjistrua rreth orës 05.30 të mëngjesit në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në afërsi të fshatit Labinot. Një fuoristradë me targë VL 5032B, e drejtuar nga shtetasi Fjordi Dobra, 23-vjeç del nga rruga dhe përplaset poshtë urës së një kanali me pasojë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të automjetit dhe dëmtimin e rëndë të shtetasve Artan Allushi, 25-vjeç dhe Besmir Murrashi, 23-vjeç, me banim në Librazhd. Kanë qenë kalimtarë të rastësishëm ata që i kanë dhënë ndihmën e parë duke nxjerrë nga automjeti shoferin e vdekur dhe dy të plagosurit rëndë. Shtetasit Besmir Murrashi dhe Artan Allushi, pasi kanë marrë ndihmën e parë në Elbasan, janë dërguar për një shërbim më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Në vendngjarje ka shkuar policia e qarkullimit, ekspertët dhe një grup hetimor. Nga të dhënat paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe shpejtësisë tej normave të lejuara. Gjithsesi pritet përfundimi i ekspertizës për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit. Ndërkohë rreth mesditës një tjetër aksident është regjistruar në aksin rrugor Elbasan-Cërrik ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve kanë mbetur të plagosur shtetasit Idriz Qyra, 63-vjeç nga fshati Gjergjan; Besmira Duka, 22-vjeç dhe Mimoza Çeliku, 41-vjeç.