E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furgonët në Shkodër kërcënojnë me pezullim të shërbimit

SHKODËR-Furgonët taksi 8+1 që udhëtojnë kryesisht në linjën Shkodër- Tiranë kanë zhvilluar një grevë njëorëshe, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestës së tyre deri në pezullim të këtij shërbimi. Shkak për grevën e rreth 60 drejtuesve e pronarëve të furgonëve taksi është mos marrja parasysh e kërkesës për vendqëndrimin nga ana e bashkisë. Ata kërkojnë vend qëndrimi në qendër dhe jo në periferi. Duke qenë në periferi, konkurrenca e autobusëve që e kanë stacionin e tyre tek sheshi i 5 herojve të Vigut është e madhe, ndërsa sipas shoferëve të furgonëve është dhe konkurrenca e panedershme që bëhet nga furgonët e palicencuar që i dëmton. “Ne i paguajmë bashkisë dhe shtetit të gjitha taksat, por na është caktuar një vend qëndrimi në periferi, ndërsa furgonët me targa të bardha, që nuk janë të licencuar për taksi dhe autobusët nisen nga qendra. Ditët e fundit, bashkia ka caktuar po në qendër vendqëndrim për një autobus të Lezhës dhe kështu dëmi që na shkaktohet ne si furgonë rritet”- thotë ata. Protestuesit shtojnë se do të përshkallëzojnë lëvizjen e tyre sindikaliste deri dhe në grevë urie, pasi ashtu siç po vepron bashkia, po shkojnë drejt falimentimit. Burime nga bashkia Shkodër shprehen se furgonëve taksi 8+1 u janë plotësuar disa herë kërkesat dhe po kështu u janë caktuar disa vend qëndrime. Vendi që ata pretendojnë të kenë si pikënisje, në sheshin para teatrit “Migjeni” është i pamjaftueshëm, pasi janë shumë furgonë. “Aktualisht, furgonët taksi 8+1 kanë një vend të përshtatshëm pranë vend qëndrimit të linjës urbane dhe pretendimet e tyre nuk janë të bazuara”-, shprehen burime nga bashkia Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›