E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, prokuroria sekuestron 11 dosje të tenderave në bashki

Vendimi për rihapjen e çështjes së tenderave pas shkeljeve të gjetura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me dëm mbi 10 milionë lekë
BURREL- Prokuroria e rrethit gjyqësor Mat ka sekuestruar 11 dosje të tenderave të zhvilluar në bashkinë e Burrelit. Sipas prokurorit të rrethit, Arben Dyla, ka nisur një procedim penal ndaj bashkisë, i cili lidhet pikërisht me prokurimet publike. Vendimi merr shkas nga shkeljet e shumta që janë konstatuar gjatë verifikimeve të bëra në këtë bashki nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Vendimi
Përmes një shkrese drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, Prokuroria e Matit ka kërkuar rihapjen e çështjes së tenderave të zhvilluar në bashkinë Burrel, ku ka gjetur shkelje të shumta Kontrolli i Lartë i Shtetit. Dëmi i konstatuar kalonte shumën e 10 milionë lekëve të reja. Por megjithëse nga kontrollorët e lartë të shtetit u tha se përgjegjësit, jo vetëm do të zhdëmtonin, por do të ndiqeshin dhe penalisht, kjo gjë nuk ndodhi pasi dhe dosja nuk u dërgua në prokurori. Kësisoj është kjo e fundit që e inicion vazhdimin e këtij procesi. Për pasojë, Prokuroria e rrethit Mat, përgatiti urdhër- sekuestro për dosjet e 11 tenderave, si ato tendera që KLSH-ja kishte gjetur me shkelje, ashtu dhe tendera të zhvilluara dy vitet e fundit.
Prokurori
Kanë qenë katër oficerë të policisë gjyqësore pranë komisariatit e prokurorisë që iu janë drejtuar zyrave të bashkisë duke bërë dhe sekuestron e dosjeve të përfolura, si një veprim i parë i këtij lloji deri më tash në njësitë vendore. I pyetur rreth kësaj çështjeje prokurori i rrethit Mat, Arben Dyla tha për “Shekullin” se është bërë sekuestrimi i një numri dosjesh, por ende jo të gjitha ato që mendohet të ketë shkelje. “Ditën e premte nëpërmjet një shkrese zyrtare kemi kërkuar që bashkia Burrel të na vinte në dispozicion dosjet që ne gjykojmë se duhen hetuar”,- tha Dyla. Sipas tij, në lidhje me veprimet e mëtejshme të prokurorisë, para ligjit janë të gjithë të barabartë. Ai theksoi se organi i akuzës është i vendosur të hetojë në imtësi të paktën për 7 dosje të tenderave që mendohet të kenë probleme, por pa saktësuar se cilat janë dosjet konkrete. Ndërkaq burime të tjera sqarojnë se bëhet fjalë për investime në shuma të mëdha të kryera në sheshin qendror të qytetit, druve të zjarrit në shkolla, çerdhe e kopshte, të ushqimeve nëpër institucionet sociale, kancelari, dieta e shpërblime, shpenzime në karburante etj.
Raporti i KLSH-së
Me datë 12.06.2006 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dorëzuar në bashkinë Burrel konkluzionet e kontrollit të ushtruar në këtë bashki. Në raportin e KLSH ishin lënë rekomandime konkrete për zyrën e financës, juristin, zyrën e ndihmës ekonomike, zyrën e gjendjes civile. Asokohe zëdhënësi i KLSH-së në një konferencë për shtyp qe shprehur se dëmi ishte i konsiderueshëm dhe se do të kërkohej ndjekje penale për drejtuesit e bashkisë, mirëpo nuk ndodhi kështu, vetëm sa u morën disa masa të veçuara. Ndërkohë masat e zhdëmtimit kishin të bënin me arkëtimin e 11.004.153 lekë për 46 persona fizikë dhe juridikë. Sipas raportit të KLSH-së 12 persona, punonjës të bashkisë Burrel kishin përfituar në kundërshtim me ligjin 94.364 lekë, 7 persona të tjerë 223.300 lekë dhe 20 persona po punonjës të administratës së bashkisë 373.120 lekë. Ajo çka ra në sy të inspektorëve të KLSH ishte abuzimi me tenderat. Kjo imponoi kryebashkiakun S.Lleshi të kërkojë në korrik të vitit 2006: arkëtimin nga subjekti “Kreshnik shpk” në vlerën 653.841 lekë për paraqitje të situacionit të pasaktë për zërin e punimeve “mirëmbajtje e pastrim të 8 banjave publike”;të arkëtohet nga subjekti “Vllaznia ndërtim shpk” në vlerën 1.625.976 lekë që përfaqëson diferencë të likuidimit tepër të disa punimeve të ndërtimit nga matjet në vend dhe shumën e likuidimit të fondit rezervë për objektin “sistemim-asfaltim rruge në Burrel” (faza e parë); të arkëtohet nga subjekti “Kristal shpk” në vlerën 7.306.612 lekë që përfaqëson dëmin ekonomik të krijuar nga prishje e objektit “sistemim-asfaltim rruge në Burrel (sheshi)” si dhe shumën e likuidimit rezervë. Në zbatim të rekomandimeve të KLSH-së u dhanë dhe masa të tjera. Juristi u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për kundravajtje administrative. Të tjerë personave përgjegjës për dëmin ekonomik të shkaktuar iu dha vërejtje më shkrim, zgjidhje kontrate dhe paralajmërim për largim nga puna. Shuma e dëmit ekonomik të shkaktuar në tre tenderat në fjalë kap vlerën e 9.586.429 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›