Topi: Ky është momenti i artë për aplikim në BE
ADI SHKEMBI
Ky është momenti i artë që Shqipëria duhet të bëjë aplikimin për marrjen e statusit kandidat. Qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare i është bashkuar dje edhe Presidenti Bamir Topi, i cili në një koment për mediat lidhur me këtë çështje, theksoi se kjo periudhë konsiderohet e përshtatshme për të hedhur hapin tjetër drejt integrimit në BE. “Ne të gjithë jemi të interesuar që të bëjmë aplikimin për në Bashkimin Evropian. Jam i bindur që është momenti i artë që Shqipëria ta bëjë këtë aplikim për në BE, sepse kjo është ëndrra që pritet të realizohet nga të gjithë shqiptarët”, theksoi kreu i shtetit pas interesimit të gazetarëve lidhur me momentin se kur duhet të aplikojë Shqipëria. Në të njëjtën kohë, Presidenti Topi konfirmoi qëndrimin e shprehur pak ditë më parë gjatë një vizite në Itali për kohën kur vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. “Çdo politikan dhe institucion duhet të bëjë vlerësime analitike dhe integrale. Fakti që ne pas një muaji jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO, është një shkallë shumë e rëndësishme dhe e sigurte drejt integrimit në BE. Gjërat shkojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar, vendet e BE-së janë njëkohësisht pjesa më e madhe dhe e vendeve të NATO-s dhe na kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme. Është kjo mbështetje që na bën ne optimistë që pa precizuar vitin, sepse nuk jam unë ai që precizon vitin e futjes në BE, por duke bërë një analizë të logjikshme, unë them që dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë dhe vendi i BE-së”, vijoi më tej kreu i shtetit. Topi vizitoi dje nga afër pavijonin kushtuar viktimave, të dënuarve dhe të përndjekurve nga regjimi diktatorial komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas Presidentit, çdo ditë të përndjekurit politikë po shikojnë që ka një vëmendje tjetër të shtuar, por shtoi ai asnjëherë nuk mund të rikuperohen ato që kanë hequr dhe kanë pësuar në kurrizin e tyre.
Biberaj
“Shqipëria duhet të aplikojë gjatë presidencës çeke për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE mbetet prioritet kryesor i maxhorancës aktuale, por edhe i politikës shqiptare”, u shpreh dje në një prononcim për mediat deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Ai theksoi se integrimi i Shqipërisë në BE përfaqëson interesin madhor dhe strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, interes ky që natyrisht duhet të qëndrojë mbi interesat partiake.