DASH: Qeveria ndërhyri për Gërdecin
Aristir Lumezi
Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e saj vjetor përcakton ligjin e Dosjeve favorizues për qeverinë. “Ligji i Lustracionit është i formuluar në mënyrë të mjegullt dhe i jep liri veprimi qeverisë, e cila nga ana e saj ndërhyn në sistemin gjyqësor dhe në institucionet e pavarura”, thuhet në raportin vjetor të DASH. Sipas raportit, Kushtetuta jep garanci për një gjykim të pavarur e megjithatë presioni politik, kërcënimet dhe korrupsioni i shumëpërhapur si dhe burimet e kufizuara ndonjëherë e frenojnë gjyqësorin nga funksionimi i pavarur dhe efikas. “Formulimi i mjegullt i ligjit i jep qeverisë mundësi të mëdha në përkufizimin e asaj që do të thotë “procese politike”, duke lejuar kështu liri të konsiderueshme veprimi në përcaktimin nëse një zyrtar duhet të shkarkohet nga detyra”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. Ai vëren se gjatë vitit qeveria ka tentuar të marrë më shumë kontroll mbi institucionet e pavarura si gjykatat, Prokurorinë e Përgjithshme dhe mediat. “Qeveria ka ndërhyrë në procesin e hetimeve të shpërthimit të Gërdecit më 15 mars”, theksohet në raport. Departamentit amerikan i Shtetit nënvizon se korrupsioni në vend përbën pengesën kryesore për realizimin e reformave. Sipas tij, edhe pse ligji përcakton ndëshkime penale për zyrtarë të korruptuar dhe ka pasur disa arrestime të bëra në nivele të larta lokale dhe zyrtarë të qeverisë qendrore, korrupsioni mbetet një pengesë e madhe për reformat e domosdoshme dhe është një problem serioz. Raporti nuk anashkalon dhe tragjedinë e Gërdecit. Në të theksohet se prej një viti vazhdojnë hetimet për këtë çështje, ndërsa zyra e kryeministrit është përpjekur të vonojë e pengojë hetimet e mëtejshme, pavarësisht se Parlamenti i hoqi imunitetin ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Po në analizën që i bën korrupsionit në Shqipëri, raporti shton se ky fenomen mbetet pengesa kryesore për reformat e rëndësishme, duke cituar edhe raste të tjera të hetimit ndaj ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha për rrugën Durrës-Kukës apo edhe çështjen e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Sipas raportit të DASH, në lidhje me çështjen Fazlliç, ekspertë ligjorë i kanë përshkruar kërcënimet e Ministrisë së Brendshme për të paditur prokurorët, si aktorë të veprimeve të paligjshme me qëllim trembjen e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen dorë nga çështja Fazlliç, i cili supozohet se ka lidhje me zyrtarë të rangjeve të larta të qeverisë. Raporti i rendit të dhënat për Shqipërinë që nga e drejta e jetës, ku përmenden vrasjet kryesisht për gjakmarrje, citohet rasti i zhdukjes së Remzi Hoxhës, gjyqi për të cilin ende vazhdon. Torturat në burgje ende vazhdojnë, kushtet e qendrave të burgimit nuk plotësojnë standardet dhe arrestimet arbitrare vazhdojnë. Në lidhje me çështjet e pronësisë, mbetet problem i madh kthimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Fondi i shtetit për kompensimin e ish-pronarëve ende nuk është shpërndarë. Raporti i kushton një vëmendje të veçantë dhunës ndaj grave, duke akuzuar dhe qeverinë për mungesën e një programi për dhunën në familje dhe asistencën ndaj grave.
Çështjet kryesore të raportit të DASH
Formulimi i mjegullt i ligjit të Lustracionit i jep qeverisë mundësi të mëdha në përkufizimin e asaj që do të thotë “procese politike”, duke lejuar kështu liri të konsiderueshme veprimi në përcaktimin, nëse një zyrtar duhet të shkarkohet nga detyra
Gjatë vitit qeveria ka tentuar të marrë më shumë kontroll mbi institucionet e pavarura si gjykatat, Prokuroria e Përgjithshme, dhe mediat. Qeveria ka ndërhyrë në procesin e hetimeve të shpërthimit të Gërdecit më 15 mars 2008.
Zyra e prokurorit të Përgjithshëm po hetonte mbi përgjegjësinë e shpërthimit të Gërdecit deri në fundin e vitit; disa grupe të mediave shqiptare dhe ndërkombëtare kanë supozuar se zyra e kryeministrit po fsheh edhe hetime të tjera.
Nuk ka pasur asnjë raport mbi zhdukje të motivuara politikisht dhe pse që nga 16 maji Gjykata e Krimeve të Rënda ka rinisur gjyqin ndaj zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995
Kushtetuta dhe ligjet e ndalojnë torturën, por policia dhe rojat e burgjeve ndonjëherë i rrahin dhe abuzojnë me të burgosurit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupet e të drejtave të njeriut në Shqipëri kanë raportuar se policia ndonjëherë përdor forcë të tejkaluar dhe trajtime çnjerëzore
Si në të kaluarën, policia, prokuroria dhe gjykata kanë vazhduar të akuzojnë njëra-tjetrën për dështim në arrestimin dhe burgosjen e kriminelëve.
Zgjedhjet më të fundit u mbajtën në vitin 2005. Vëzhguesit e zgjedhjeve nga OSBE kanë deklaruar se zgjedhjet vetëm pjesërisht ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare. Votimi familjar mbetet një problem
Ligji përcakton ndëshkime penale për zyrtarë të korruptuar. Me gjithë disa arrestime të niveleve të larta lokale dhe zyrtarë të qeverisë qendrore, korrupsioni mbetet një pengesë e madhe për reformat e domosdoshme dhe është një problem serioz.
Kthimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbetet një problem i ndjeshëm. Avokati i Popullit në vit ka raportuar se ka vëzhguar rreth 223 ankesa në total në lidhje me vendimet e gjykatës, shumë të lidhura me çështjen e pronave.
Ekspertë ligjorë i kanë përshkruar kërcënimet e Ministrisë së Brendshme për të paditur prokurorët e çështjes Fazlliç si aktorë të veprimeve të paligjshme, me qëllim trembjen e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen dorë nga çështja Fazlliç, i cili supozohet se ka lidhje me zyrtarë të rangjeve të larta të qeverisë
Nënshtetasit dhe jo-nënshtetasit, duke përfshirë mediat e huaja, kanë të drejtën për të marrë informacione mbi aktivitetin e trupave qeveritare dhe personave që ushtrojnë funksione zyrtare; megjithatë qytetarët shpesh përballen me probleme serioze në marrjen e informacionit nga institucionet publike e qeveritare.
Individë dhe grupe të krimit të organizuar trafikojnë persona, veçanërisht gra dhe fëmijë nga/dhe brenda vendit. Vendi ka qenë burim për trafikimin e grave dhe fëmijëve për qëllime tregtare, shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, edhe pse ka pasur ritme më të ulëta të trafikimit nga viti në vit.
Minoriteti etnik grek ka pasur fërkime me qeverinë përsa i përket zonave elektorale, edukimit në gjuhën greke, të drejtës së pronave dhe dokumenteve qeveritare.
Ndërsa mediat kanë qenë aktive dhe të pakufizuara, ka pasur probleme serioze për përdorimin e mediave për qëllime politike. Në disa traste gjatë vitit zyrtarë të lartë kanë hedhur sulme verbale mbi mediat, duke i akuzuar se kanë lidhje me mafien dhe rrjetet kriminale.
Pronat, problem i ndjeshëm
Raporti citon se kthimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbetet një problem i ndjeshëm. Në këtë përfundim DASH arrin, nisur nga raportimet e shpeshta të Avokatit të Popullit, i cili vitin e kaluar ka vëzhguar rreth 223 ankesa në total, në lidhje me vendimet e gjykatës, shumë të lidhura me çështjen e pronave. Avokati i Popullit, madje i ka sugjeruar parlamentit të amendojë për Procedurat e Kodit ekzistues Kriminal dhe Kodit të Procedurave Publike për t’i dhënë autoritetin për të proceduar me këto raste.
Media, përpjekje për politizim
Liria e fjalës dhe e shtypit konsiderohet përgjithësisht e respektuar nga qeveria. Raporti i DASH thekson se “ndërsa mediat kanë qenë aktive dhe të pakufizuara, ka pasur probleme serioze për përdorimin e mediave për qëllime politike. Në disa raste gjatë vitit zyrtarë të lartë kanë hedhur sulme verbale mbi mediat, duke i akuzuar se kanë lidhje me mafien dhe rrjetet kriminale”. Sipas raportit, politizimi i mediave mbetet një shqetësim. Ato janë ndarë në linja politike dhe drejt fundit të vitit politizimi është rritur me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009.