E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta gdhish me ankth në oborrin e spitalit

Ta gdhish në spital. Kujtdo që ka pasur rëndë një familjar a të afërm i ka ndodhur të kalojë një apo disa net pa gjumë, në pritje të përmirësimit. 

ZIRINA LLAMBRO

Disa kanë ndenjur me javë në karrige duke përgjuar mjekët. Duke u përpjekur të lexojnë në fytyrat e tyre mes ecejakeve nga reanimacioni, ku të afërmit përpëliten mes jetës dhe vdekjes. Gjithsesi, nuk mund të mbetesh aspak indiferent nëse kalon herët, në oborrin që ndan dy klinikat kryesore të kirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Në foto duken familjarët e një pacienti të shtruar në reanimacion. Kur i  pyet sa ditë kanë që flenë mbi atë dërrasën me një batanije sipër, fillimisht të shohin me habi. E vetmja që flet nga grupi është një mesogrua. “Kemi nja 4 ditë, nuk jemi nga Tirana. Kemi djalin në reanimacion”, thotë ajo. Të tjerët fillojnë e nervozohen e me të drejtë të përcjellin me shprehjen “Do ikësh se nuk ta kemi ngenë”. Shtrati i improvizuar është e vetmja mënyrë ku me radhë mund të çlodhin pak kockat. Duan të jenë sa më afër të sëmurit. Ashtu të gjithë në tufë. Ca më tutje, një tjetër grup nuk ka mundur të gjejë dot as dërrasën e as ndonjë karrige të vjetër. Batanijet i kanë shtruar në tokë. Aty kanë pushuar. Edhe ata presin lajme nga reanimacioni. E teksa secili prej tyre justifikohet me hallin që e ka zënë, kjo panoramë e përditshme tregon mjerimin e thellë të spitalit më të madh në vend. Nuk ka asnjë mundësi që të imponohet asnjë formë rregulli. Nuk ka asnjë shans të vijë “Era spital”.
Çdo gjë mbrapsht
Nëse përshkon me mendje të kthjellët çdo cep të QSU, pa pasur hallin se si do të shërohet nëna, apo babai nuk duhet shumë të kuptosh se gjithçka është mbrapsht. Që te dhomat e pacientëve, që në çdo orë të ditës janë të tejmbushura me vizitorë. Më shumë se i ngrenë moralin, i marrin frymën të shtruarit. Nuk ka asnjë mundësi t’u mbushet mendja se në spital ka orare e ato duhen zbatuar. Në korridoret pranë sallave të operacionit ndjen të gjitha llojet e erërave. Çdo infermiere apo mjek mund ta ketë pisk nëse guxon të thotë: “Ju lutem, dilni, apo mos pini duhan”. Është normale shprehja. “A je tu ik, se kam hallin tim”. As rojet nuk i merr askush seriozisht. Është normale që të jesh në ankth për çdo të afërm. Edhe ta gdhish në spital, duke pritur të dalë nga koma. T’i bësh hyzmet për muaj me radhë. Por ndërkaq si në çdo vend ku ka pak civilizim, mëse natyrshëm të imponohet t’u përshtatesh ca rregullave. Me gjithë hallin që të ka dërguar në dyert e spitalit, nuk mund ta kthesh as në shëtitore e as të bësh ç’të duash pa pyetur askënd. Por për këtë mjerim, fajin nuk e kanë dhjetëra hallexhinj, që përplasen çdo ditë në QSU. Që punët shkojnë mbrapsht në shëndetësi, deri tani faji ka mbetur jetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›