Vdekshmëria foshnjore 2008, 11.1 fëmijë për 1 mijë banorë
Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se vdekshmëria foshnjore gjatë vitit të fundit është ulur në krahasim me vitet e mëparshme. Kjo në fakt nuk ka ardhur si rezultat i përparimeve në mjekësi por si rezultat i kujdesit të prindërve për fëmijët e tyre.
Vdekshmëria foshnjore gjatë vitit 2008 ka qenë më e ulëta ndër vitet e fundit, me 11.1 për 1 mijë banorë, bëri të ditur të martën drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, Gjeorgjina Kuli. Gjatë një konference për shtyp, znj. Kuli informoi mbi shifrat e vdekshmërisë foshnjore që nga viti 2000, mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas saj, vdekshmëria foshnjore ka qenë më e lartë në vitin 2001, me 17.5 për 1 mijë banorë dhe ka ardhur në ulje të vazhdueshme, deri në 11.1 për 1 mijë banorë në vitin 2008. Drejtoresha e QSUT-së, në profesion mjeke pediatre, tha se prej kohësh nuk shihet fëmijë me atrofi, apo kequshqyerje të shkallës 2 dhe 3, që ishte një nga shkaqet e vdekshmërisë së lartë foshnjore shumë vite më parë.