Kandidati për deputet i PD, shkul me vinç flamujt e PS
Gjatë natës së datës 15 qershor disa militantë të PD në mënyrë të organizuar nga Bedri Luku kandidat për deputet i PD në qarkun e Durrësit dhe me anë të mjetit vinç në pronësi të tij dhe Dorian Pjetri, banues në lagjen e re Bashkia Manëz, i afërm i këtij të fundit, kanë hequr të gjithë flamurët e PS të vendosur nëpër shtyllat e ndriçimit në dy anët e rrugës Maminas-Manëz, të cilët ishin vendosur nga ana e socialistëve në përputhje me nenin 79 pika 1 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Këtë njoftim e ka bërë PS e Durrësit e cila shprehet se janë militantët e PD të drejtuar për fat të keq nga vetë kandidatët për deputetë ët kësaj force politike që po acarojnë në maksimum klimën parazgjedhore të nisur nga dëshpërimi i një humbje të thellë. Madje veprimet e tyre kanë shkuar deri në dhunimin e zyrës elektorale në Manëz duke shkulur nga kjo e fundit flamurët e PS-së me gjithë bazamente. Këto veprime vijnë si rezultat i nervozizmit të strukturave të PD në pritje të takimit elektoral që kryetari i tyre Sali Berisha zhvilloi në Manëz. Mesa duket Berisha nuk mund ta tolerojë dot se përveç flamurëve të tij të valëvitet ndonjë flamur i një force tjetër sepse dihet që kreu i PD Berisha i ndan qytetarët në blu dhe rozë. Partia Socialiste në përputhje me kodin zgjedhor ka kërkuar me shkrim nga drejtuesit e njësive vendore të Bashkisë Sukth, Bashkisë Manëz dhe Komunës Ishëm që drejtohen nga përfaqësues të PD caktimin nga ana e këtyre të fundit të vendeve për vendosjen e flamurëve të PS dhe të materialeve të tjera propagandistike. Deri tani nuk është dhënë përgjigje nga ana e tyre dhe duket se këtyre njerëzve nuk u intereson ligji por PD dhe përballë interesave partiake nuk vënë as rregullta dhe as ligjet.