E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 50-vjeçarja, plagosen dy të tjerë nga Mirdita

Krujë- Një aksident i rëndë automobilistik, me pasojë vdekje, ka ndodhur në superstradën Fushë-Krujë-Tiranë. Aksidenti ka ndodhur dje në fshatit Larushk, të rrethit të Krujës. Një autoveturë tip ford, me targa të Krujës, që drejtohej nga Haxhi Xaka, nga Fushë-Kruja, ka përplasur për vdekje 50-vjeçaren Manushaqe Elezi nga Vora. Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima kishte qenë prej tri ditësh te njerëzit e saj, në fshatin Larushk, dhe po kthehej për në shtëpinë e saj në Vorë. Ndërsa ajo ka hyrë menjëherë në superstradë, duke mos vënë re lëvizjen e makinës, e cila gjithashtu po udhëtonte gjithashtu me shpejtësi. Policia rrugore po kryen ekspertizën e vendit të ngjarjes, ndërsa ka shoqëruar në polici drejtuesin e mjetit. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër aksident ka ndodhur në këtë superstradë, vetëm pak kilometra larg Luzit në fshatin Tapizë, ku humbi jetën një studente 19-vjeçare, e cila po qëndronte në anë të kësaj superstrade. Po dje, në orën 07:40, në segmentin rrugor të autostradës, Thirrë-Rrëshen, në vendin e quajtur fshati Peshqesh, dy km nga fshati Reps, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku mjeti Audi A6, me targa 482 KS 300, që drejtohej nga Blerim Mula, 34 vjeç, banues në Podujevë-Kosovë, ka aksidentuar dy këmbësorë Nikolle Shtjefni dhe Prena Shtjefni, rreth 70 vjeç, banorë të fshatit Peshqesh të rrethit Mirditë, të cilët janë dërguar në Spitalin e Rrëshenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy të plagosurit janë transportuar më pas për në Spitalin Ushtarak Tiranë, duke marrë mjekim më të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›