Vrasësi me pagesë ekzekuton në lokal dy të fortët e Laçit
LAÇ Dy persona të njohur si “të fortët” e Laçit janë viktimat e një atentati të ndodhur dje, në orën 10:20 minuta në fshatin Fushë-Mamurras, të rrethit Kurbin. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se viktima të këtij atentati janë Ndoc Zyma, 48 vjeç, dhe Vlash Gjeçi, 46 vjeç, që të dy nga qyteti i Laçit.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se paraditen e djeshme, Ndoc Zyma dhe Vlash Gjeçi, janë ngjitur në makinën e këtij të fundit, për të udhëtuar sëbashku në drejtim të Mamurrasit. Ata pasi kanë përshkruar sëbashku dhjetë minuta rrugë, kanë ndaluar në një lokal, në afërsi të një pike karburanti, në anë të superstradës Fushë- Krujë – Laç, në afërsi të fshatit Fushë-Mamurras. Që të dy kanë hyrë në lokal, në të cilin nuk ndodhej asnjë njeri, përveçse banakierit. Sipas policisë, Ndoc Zyma dhe Vlash Gjeçi, kanë marrë nga një kafe. Në këtë kohë, një i ri ka ardhur dhe ka ndaluar makinën para lokalit, duke hyrë në lokal, ndërkohë që dy viktimat kanë qenë në një tavolinë, në anë të derës së lokalit. Në momentet e para i riu që, sipas policisë, mendohet të ketë qenë rreth 30 vjeç, ka hyrë në lokal i qetë, duke tentuar të ulej në një nga tavolinat e lokalit. Pasi ka bërë lëvizjen mashtruese, sipas dëshmisë së bankierit, i riu ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar të parin Ndoc Zymen e më pas Vlash Gjeçin, duke zbrazur mbi ta shtatë plumba pistolete. Pasi është siguruar se Zyma dhe Gjeçi kanë vdekur, vrasësi ka ndërruar krehrin e pistoletës, duke futur krëhërin tjetër dhe më pas është larguar me makinën e tij, me targa të huaja, në drejtim të Mamurrasit, me shpejtësi në autostradë, duke përfituar edhe nga mungesa e mjeteve, që mungonin në ato momente në qarkullim. Të hutuar, pronari i lokalit dhe bankieri, kanë njoftuar policinë, pas 15 minutash nga ngjarje. Policia e Kurbinit ka mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, duke marrë të dhënat paraprake dhe njëkohësisht ka ngritur edhe postblloqe në të gjithë rrugët hyrëse e dalëse në rrethin e Kurbinit.
Hetimi
Autori i krimit ka mundur të largohej pa u ndaluar nga policia, edhe pse i gjithë segmenti i autostradës Lezhë – Tiranë ka qenë i mbipopulluar me policë, të cilët kishin ngritur postblloqe, për shkak edhe të mitingut në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, mësohet se janë ngritur disa pista për hetim, duke verifikuar edhe aktivitetin e viktimës Ndoc Zyma në Itali dhe gjatë kohës që ka qenë këtu. Ai kishte tre vjet që ishte kthyer nga shteti fqinj. Po kështu edhe aktiviteti i Vlash Gjeçit, i cili punonte në një firmë private. Po kështu, policia e këtij rrethi, një nga pistat që po heton është edhe vrasja me pagesë. Po hetohet dhe e kaluara e Ndoc Zymës, në kohën që ka qenë në Itali. Ai ka pasur një konflikt në këtë shtet me disa shqiptarë, ku më pas është arrestuar dhe dënuar me burg. Gjithsesi do jetë prokuroria e rrethit dhe policia që do zbardhin shkaqet e vrasjes. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se lokali ku janë vrarë Ndoc Zyma dhe Vlash Gjeçi, ka qenë i survejuar nga kamerat. Me të mbërritur, policia e këtij rrethi ka sekuestruar edhe kasetën e këtyre kamerave, duke parë personin që ka kryer krimin dhe rrethanat e ngjarjes. Por që për arsyeje hetimesh nuk ka bërë të ditur se çfarë përmban kjo kasetë.